TIRANË, 4 Nëntor /ATSH- I. Vata/ - Partia Socialiste akuzoi Partinë Demokratike dhe Kontrollin e Larte te Shtetit se janë kthyer në zëdhënes të njëri- tjetrit, duke prezantuar të pavërtetat e tyre për opinionin publik.
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, doli të mërkurën pasdite në një deklaratë për mediat, ku theksoi se Partia Demokratike dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kthyer në zëdhënësa të njeri- tjetrit, këtë e kanë marrë vesh të gjithë. Skema është shumë e qartë; Partia Demokratike akuzon, KLSH merr akuzat e PD dhe i kthen në raporte dhe në fund, PD merr këto raporte dhe i paraqet si të vërteta.
Në informim të publikut, Bare u shpreh se "Në shtator të vitit 2013, e gjetëm ekonominë në ditën më të zezë të saj, të tkurrur në nivelet e 0 përqindëshit. Që në tremujorin tonë të parë të qeverisjes, ne arritëm të thyejmë trendin negativ dhe pas disa tremujorësh që shënonin rënie, kthyem trendin pozitiv të rritjes ekonomike, duke bërë që viti 2013 të mbyllej me 1.1% rritje. Gjatë vitit 2014 ekonomia vazhdoi rrugën e saj të qëndrueshme të kthesës, duke e ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv çdo tremujor pas shtatorit 2013. Viti 2014, u mbyll me një rritje prej 2.2%. Rritja vazhdon inkurajuese edhe përgjatë 2015. Gjatë tremujorit të parë 2015, produkti ynë i brendshëm bruto u rrit me 2,7 % kundrejt tremujorit të parë të vitit 2014, duke mbështetur plotësisht parashikimet tona, të konfirmuara edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë si FMN e BB, për një rritje vjetore afër 3% për këtë vit".
Për dy vite rresht, mazhoranca ka miratuar bashkë me buxhetin paketa fiskale të cilat kanë ardhur me masa lehtësuese dhe jo shtrënguese, tha Bare, duke vijuar se "Në paketën e vitit 2014 u prezantuan 10 masa lehtësuese me efekt prej 9.75 miliardë lekë; Më shumë lekë për konsumin, më shumë lekë për investimet në xhepat e qytetarëve, masa të cilat bënë që 97% e shqiptarëve të paguajnë më pak taksa dhe të merrnin deri një rrogë më shumë në vit nga heqja e taksës së sheshtë dhe vendosja e taksimit të ndershëm. Me futjen e taksimit të ndershëm, pra taksës progresive, sot çdo polic, mjek, infermier, mësues etj., merr nga 20 mijë lekë më shumë në muaj deri në 314 mijë lekë më shumë në vit, pra një rrogë më shumë në vit".
Po ashtu, Bare shpjegoi se "Në paketën e vitit 2015 u prezantuan 12 masa të reja lehtësuese me efekt 1.48 miliardë lekë; kryesisht për lehtësimin e prodhimit, sidomos në bujqësi. Si në asnjë vend tjetër në të gjithë Ballkanin dhe vendet e prekura nga kriza, në Shqipëri nuk është marrë asnjë masë shtrënguese për të ulur pagat dhe pensionet, përkundraz,i sot çdo qytetar përfton nga 2 deri 40% pension më të lartë, si rrjedhojë e rritjes së kontributeve dhe reformës historike të pensioneve".
Duke sjellë si argument të dhënat krahasuese të qeverisë aktuale dhe ish- qeverisë së opozitës, Bare theksoi se " Viti për të cilin opozita akuzon, pra viti 2014, është 242.2 milionë euro më shumë të mbledhura se sa viti më i mirë i Partisë Demokratike, gjate 8 viteve të tyre në qeveri. Pra, faktet janë kokëfortë dhe tregojnë qartë se qeveria e re është shumë më efikase se qeveria e PD në mbledhjen e të ardhurave. Të ardhurat totale në shtator rezultuan 0.13% më shumë se viti 2014 dhe 20.3% më shumë se viti 2013. Për 9-mujorin e vitit 2015 janë realizuar 279 miliardë lekë, ose 4.6% më shumë se vitin e kaluar dhe 34.6% më shumë se viti 2013´´ /a.ke/