PS Basha ne mbrojtje te atyre qe shkelin ligjin

Deputetja-e-PS-se-Blerina-GjylametiTIRANË, 31 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Partia Socialiste deklaroi sot se Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë përsipër të mbrojë shkelësit e ligjit.

Qendrimi i Partisë Socialiste u bë me dije nga deputetja e majtë, Blerina Gjylameti, që përmes një deklarate për shtyp, reagoi ndaj akuzave të lëshuara nga Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në drejtim të Qeverisë.

Ajo fillimisht akuzoi Kryetarin e PD-së, Basha për vjedhjen e 240 milionë eurove në kuadër të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, kur Basha ishte Ministër i Transporteve.

Po ashtu, ajo akuzoi Bashën edhe për vendimet e marra nga ai, kur mbulonte diplomacinë shqiptare apo Ministrinë e Brendshme, si edhe kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Më tej, deputetja Gjylameti, tha se Basha edhe pse në kurriz të tij mbart akuza të rënda, sot gjen kurajo e merr përsipër të mbrojë ata që shkelin ligjin.

"Se çfarë është i aftë të bëj Lulëzim Basha këtë e ka treguar e kaluara e ti. Si ministër i transporteve vodhi 240 milionë euro në rrugën Durrës - Kukës dhe i shpëtoi drejtësisë dhe akuzës formale të prokurorisë, duke u hequr i sëmure e duke paraqitur një raport mjekësor. Si ministër i Jashtëm shiti interesin kombëtar duke i falur fqinjëve detin shqiptar. Si ministër i Brendshëm urdhëroi policinë të vriste katër qytetar të pafajshëm në mes të bulevardit, vetëm e vetëm se ata protestonin kundër qeverisë së Lulzim Bashës. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës më mirë të mos flasim, se katër vjet fjeti gjumë dhe bëri të pabërën me lejet e ndërtimit për të cilat shumë shpejt do të duhet të përgjigjet", tha Gjylameti.

"Ky është Lulzim Basha! Njeriu që nuk di të bëj asgjë përveç se të gënjejë e të mashtrojë, gjen sot kurajon për t'u dalë në mbrojtje atyre që shkelin ligjin, atyre që nuk paguajnë energjinë, atyre që nuk paguajnë taksa, atyre që nuk duan t'ia dinë për shtet. Gjen kurajon t'u propozojë shqiptarëve të njëjtat politika të vjetra që për tetë vjet e zhytën Shqipërinë në borxhe dhe papunësi. Njeriu që dhjetë vitet e fundit ka qenë ministër i Transporteve, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm dhe kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, tenton ta nxjerrë veten e vet të larë nga gjithë zullumet qe ka bërë në këto dhjetë vjet", përfundoi deklaratën e saj, deputetja e PS, Blerina Gjylameti./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama