PS Ne dy vite investuam ne energjetike me shume se ne 6 vite te qeverisjes se PD-se

TIRANË, 21 Tetor/ATSH/.- Partia Socialiste hodhi sot poshtë akuzat e opozitës lidhur me investimet në sistemin energjetik. Në një deklaratë për mediat, deputeti socialist Ervin Bushati tha se vetëm në dy vitet e fundit po investohet më shumë se në gjashtë vitet e marra së bashku, të qeverisjes së Partisë Demokratike.

"Këtë vit po investohet më shumë se në 6 vitet e marra së bashku të qeverisjes së PD-së. Janë mbi 335 milionë dollarë investime të garantuara për sektorin energjetik vetëm në këto dy vite qeverisje. Nga një gërryes i vazhdueshëm i buxhetit të shtetit, sektori energjetik është kthyer tanimë në kontribues me kohë të plotë të zhvillimit ekonomik", deklaroi deputeti i PS-së.

Sipas Bushatit, ulja e humbjeve në rrjet ka rënë në 25 për qind nga 45 për qind që ishte në kohën e qeverisjes së demokratëve. "Janë të njëjtët që inkurajuan, shtynë dhe toleruan paligjshmërinë në pagesat e energjisë elektrike. Ata mohuan gjithçka që bëri ky shtet. Vetëm në 9 muajt e parë janë arkëtuar më shumë se gjithë viti i tyre më i mirë. Në kohën që ata akuzojnë humbjet në rrjet ishin 45 %, ndërsa në shtator u shënua rekordi historik me 25 % humbje teknike në rrjet", u shpreh Bushati. /a.s//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama