Menjëherë pas akuzave për dhënie para në shkëmbim të votës gjatë zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Korçës, Partia Socialiste ka reaguar menjëherë. Në një prononcim për mediat, kreu i PS-së në Korçë, Ilir Pendavinji, ka thënë se nuk është blerë asnjë votë. Sipas tij, pamjet e fiksuara nga “Fiks Fare” kanë të bëjnë me dhënien e parave për studentët e FRESSH, të cilët kishin vajtur për të votuar. Ai tha se PS ka dhënë para për shpenzimet e udhëtimit të studentëve, të cilët nuk kishin mundësi ekonomike.
Nuk është e vërtetë që PS-ja ka blerë vota gjatë zgjedhjeve të së dielës. Studentët janë të Partisë Socialiste dhe të FRESSH-it të cilëve e u janë paguar shpenzimet e udhëtimit nga Tirana”, ka theksuar Ilir Pendavinji.
Blerja e votave në Korçë, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria nis hetimet për blerje votash në zgjedhjet për kryebashkiakun e Korçës. Një ditë më parë, Partia Demokratike kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Korçës si dhe hetim të gjithanshëm nga Prokuroria.
“PD i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, të sekuestroje të gjithë dokumentacionin që u pa nga të gjithë shqiptarët, dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë organizatorëve. PD kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë, me kusht që të afrohen garanci nga vëzhguesit”, deklaroi dje ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.
Ditën e djeshme në një emision investigativ u publikuan pamjet ku studentët merrnin 2 mijë lekë të reja në këmbim të votës për kandidatin e majtë, Sotiraq Filo. Zgjedhjet për bashkinë e Korçës u zhvilluan ditën e diel, ku kandidati i majtë Sotiraq Filoi mori 15953 vota, kundrejt 5283 vota të rivalit të tij Sotiraq Stratobërdha.