PS-PD gjejne konsensus pronat e lena peng ne ankand me 56 te vleres
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
“Dashuri dhe urrejtje”. Kështu mund të përkufizohen marrëdhëniet e sotme mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa janëfutur në një krizë të thellë politike dhe institucionale për shkak të KQZ, dje shumica qeverisëse dhe opozita kanë gjetur mirëkuptimin në Kuvend duke votuar ndryshimet në Kodin Civil dhe në atë të Procedurës Civile. Kështu pas një seance tjetër maratonë dhe ku janë përfshirë në debate të ashpra deri në kërcënime jete, të djathtët dhe të majtët kanë mundur të bëjnë 100 vota pro dhe asnjë kundër për ndryshimet në Kodin Civil dhe 102 vota pro dhe 1 kundër (Damian Gjiknuri) për ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile.
Seanca
Zhvillimet që lidhen me KQZ ishin kryefjala e diskutimeve në Parlament, pavarësisht se rendi i ditës përfshinte diskutime për një sërë çështjesh të tjera që s’kishin lidhje me këtë zhvillim. Për rrjedhojë seanca ka qenë e tensionuar dhe disa herë të dyja palëve i kanë tradhtuar nervat, duke u bërë herë pas here pjesë e debateve nga më banalet e deri te kërcënimet me jetë. Kështu ajo që ka shfaqur e para nervozizëm ka qenë kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila ka përdorur një fjalor banal duke iu drejtuar deputetëve socialistë. Ndërsa në foltoren e Parlamentit ishte Blendi Klosi, kryetarja Topalli pati një ndërhyrje, e cila u konsiderua më pas nga kreu i grupit parlamentar Ruçi si një ofendim i hapur ndaj deputetëve të opozitës.
“Edhe pak ditë kanë mbetur që qytetarët të shpëtojnë nga hilet për Sali…”, – ishte duke u shprehur Klosi, ndërsa është ndërprerë nga Topalli, e cila është shprehur “edhe shkoni për lesh edhe ju!” I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ruçit, i cili është shprehur se “Në cilin Parlamentin të Europës do të gjeni një kryetar parlamenti t’i thotë opozitës: do të ikni për lesh… dhe ju e thoni këtë. Ku jemi? Çfarë po ndodh? Çfarë po bëhet në këtë vend?”
Ndërkohë që një debat të ashpër kanë zhvilluar edhe dy deputetët e Elbasanit, ai demokrat Dashnor Sula dhe ai socialist Tauland Balla, të cilët kaluan në fyerje e sharje personale. Po debat është zhvilluar edhe mes vetë socialistëve, siç ka qenë rasti i deputetëve Ilir Bejtja dhe Arben Malaj, ku shkak është bërë sërish Kastriot Islami. Ndërsa Bejtja ishte duke e konsideruar Islamin një rrugaç, Malaj i ka kërkuar atij që ta lërë këtë debat pasi nuk kishte hije. Por me këtë ndërhyrje nuk është pajtuar Bejtja, duke i treguar Malajt derën e Kuvendit, pra të dilte jashtë nëse nuk donte ta dëgjonte.
Votimi
Pas gati 9 orë debat, Kuvendi ka kaluar në proces votimi, ku janë miratuar dhe dy nga nismat ligjore që kërkonin 3/5 e votave, pra Kodin Civil dhe Kodin e procedurës Civile. Opozita ka dhënë votën e saj pro, por duke marrë më parë një lëshim nga mazhoranca sa i përket çështjes së vlerës së shitjes të kolateralit të bllokuar nga bankat për kreditë e këqija. Kështu, ndryshe nga sa kishte propozuar qeveria, tashmë me konsensusin e arritur mes të dyja palëve, një pasurie të bllokuar nga bankat nuk do t’i ulet çmimi në shitje deri në 50 për qind në ankandin e dytë, por vetëm 30 për qind.
Për ta bërë më të kuptueshme po paraqesim një rast hipotetik, ku një pasuri me vlerë 100 mijë euro dhe e bllokuar nga banka do të nxirret në shitje në ankandin e parë me një vlerë deri në 20% më pak sesa vlera fillestare, pra për 80 mijë euro. Në rast se pasuria nuk shitet në ankandin e parë, atëherë ajo nxirret sërish në shitje në një ankand të dytë, por me një vlerë që zbret deri në 30% të 80 mijë euroshit, që në total shkon diku te 56 mijë euro. Ndërkohë në seancën e djeshme u konstatua dhe një rast ku mazhoranca humbi numrat. Bëhet fjalë për votimin për propozimin e një anëtari të ri të ERE-s, i cili mori vetëm 67 vota, pasi opozita kishte tërhequr më parë kartat duke mos marrë pjesë në votim. Çka në fakt e bën këtë votim të pavlefshëm.