PS Ristani hedh balte mbi punen e Policise se Shtetit

Ervin-Bushati-640x340TIRANE, 6 Nëntor/ATSH/- Partia Socialiste i është përgjigjur sot deklaratave të bëra nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Deputeti Ervin Bushati tha se Ristani po hedh baltë mbi punën e policisë.

"Sigurisht, puna e këtyre dy viteve, sidomos në luftën e hapur ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, ka prishur shumë pazare dhe interesa. Por që pjesë e këtyre pazareve dhe interesave të ishin edhe përfaqësues të Partisë Demokratike; kjo është për të ardhur keq. Ndërkohë që Arben Ristani hedh baltë, dhe merr për bazë gënjeshtrat e një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare, ne dëshirojmë të përgjigjemi me fakte", deklaroi Bushati.

Deputeti i PS-së shtoi se "falë punës së Policisë së Shtetit, numri i vrasjeve krahasuar me vitin 2013 është përgjysmuar. Falë kontrollit të rreptë të Sigurisë Rrugore, kemi numrin më të vogël të aksidenteve në rrugë që nga viti 1997. Në vitin 2013, "Guardia di Finanza", raportonte 323 hektarë, tokë të kultivuar me bimë narkotike. Qeverisja e Partisë Demokratike kishte arritur të asgjësonte vetëm 7,5% të këtyre parcelave. Sot, 99,2% e sipërfaqes së kultivuar është shkatërruar nga Policia e Shtetit. Janë asgjesuar 1,3 milionë bimë narkotike".

Sipas tij, qeveria në dy vite ka asgjesuar 46% më shumë drogë se qeverisja e Partisë Demokratike në tetë vite marrë së bashku.

"Ndaj, shqiptarët janë të qartë: Nga një anë është Partia Demokratike që hedh baltë dhe për aleatë ka të kërkuarit nga drejtësia, nga ana tjetër janë shifrat që flasin më shumë se fjalët", përfundoi deputeti Bushati deklaratën për mediat. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama