PS merr Tatimet e Doganat Rama emeron Spiropalin dhe Brisida Shehajn

PS merr Tatimet e Doganat, Rama emeron Spiropalin dhe Brisida Shehajn

Zydi Dajti, kryeinspektor ndërtimor. Kamelja Vojka te Shërbimet Qeveritare.
Emërimet, LSI merr postën, PS merr Tatimet e Doganat.
Spirapali dhe Shehaj, dy femra për të mbledhur taksat.

Mbledhjen dhe administrimin e parave që do të vijnë nga Tatimet dhe Doganat, Kryeministri Edi Rama ua ka besuar dy femrave.  Gjatë ditës së djeshme ka vijuar zëvendësimi i drejtuesve në disa prej institucioneve kyçe, dhe kanë qenë surprizë jo e vogël dy emrat e rinj drejtues të Doganave dhe Tatimeve. Në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pas largimit të Gazmir Spahisë, është vendosur Bisida Shehaj, ndërsa në krye të Doganave, në vend të Flamur Gjymishkës, është emëruar Elisa Spiropali.

Emërimet

Plani i socialistëve është për një administratë të unifikuar, pra shkrirje të Tatimeve dhe Doganave, por kjo duket se do të kërkojë kohë. Emërimet e djeshme kanë qenë edhe masa e parë e marrë në drejtim të ndryshimit të administratës në këto institucione dhe PS, edhe pse në aleancë me LSI, ka preferuar që këto dy institucione t’i drejtojë vetëm. Elisa Spiropali, e emëruar në krye të Doganave, mban aktualisht edhe pozicionin e kryetares së Forumit Rinor Eurosocialist, ndërkohë që ka qenë një nga elementët më aktivë brenda PS. Po kështu jo më pak i lakuar është edhe emri i Brisida Shehajt. Kjo e fundit ka punuar në një pozicion drejtues në një nga bankat e nivelit të dytë në vend, ndërkohë që ka qenë aktive gjatë fushatës së PS, kryesisht në takimet me biznesin. Shehaj ka qenë ndër emrat që u votuan në vitin 2011 si anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS.

Ndërtimorja dhe sherbimet qeveritare


Një tjetër emërim është bërë ditën e djeshme në Inspektoratin Ndërtimor, i cili do të jetë në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në krye të këtij Inspektorati është vendosur Zydi Dajti, një emër jo pak i njohur, sidomos i lakuar në post-ngjarjet e 21 janarit. Dajti ka një të kaluar si punonjës në Gardën e Republikës dhe në vitin 2006 është liruar nga detyra. Pas kësaj ai ka punuar në krye të Policisë Bashkiake të Tiranës kur kryebashkiak ishte Edi Rama. Me vendim të Ramës, është shkarkuar nga Kreu i Shërbimeve Qeveritare,  Elsa Meksi. Në vend të saj, drejtoresha e re e Shërbimeve është emëruar, Kamelja Vojka. Kjo e fundit ka punuar kohë më parë si specialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Mësohet se Vojka është shkarkuar nga Kuvendi gjatë peridhuës së maxhorancës së PD. Meksi kishte më shumë se 5 vite që drejtonte Shërbimet Qeveritare.

Posta Shqiptare


Një ndër emrat më të lakuar ndër radhët e LSI, Ardit Çela, nga dje është emëruar drejtor i ri i Postës Shqiptare. Vendimi i ministrit për Zhvillimin Ekonomik, Arben Ahmetaj, u bë i ditur përmes një njoftimi. Çela do të drejtojë Postën, duke zëvendësuar Arqile Gorenë.

Emerimet


Drejtoria e Tatimeve
Ikën Gazmir Spahija
Vjen Brisida Shehaj
Drejtoria e Doganave
Ikën Flamur Gjymishka
Vjen Elisa Spiropali
Ndërtimorja
Ikën Dem Dollapi
Vjen Zydi Dajti
Shërbimet qeveritare
Ikën Elsa Meksi
Vjen Kamelja Vojka
Posta
Ikën Arqile Gorea
Vjen Ardit Çela

Elvana Hana jep dorëheqjen

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, ka dhënë dje dorëheqjen. Hana drejtonte ISKSH që prej vitit 2005. Pritshmëritë janë që emri që do të drejtojë këtë institucion të vijë nga radhët e LSI-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama