Kultura/ Çfarë ofrojnë dy forcat politike PS dhe PD nëse do të qeverisin vendin në katër vitet e ardhshme. PS-ja sjell një program ambicioz për kulturën, duke premtuar mbrojtje dhe rimëkëmbje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për librin, teatrin dhe muzikën. PD-ja shkon në këto zgjedhje pa një program të ri
Partia Socialiste hyn në këto zgjedhje parlamentare, me një plan ambicioz dhe bashkëkohor për artin dhe kulturën, ndërsa Partia Demokratike rendit në programin e saj elektoral disa nga arritjet në këta tetë vjet qeverisje, pa ofruar një plan konkret në rastin e një mandati tjetër. “Rikrijim tërësor i institucioneve qendrore dhe vendore të kulturës, mbështetje dhe nxitje krijimtarisë me një qasje në harmoni me vizionin e Komisionit Europian për Kulturën “Europa Kreative””, është motoja e programit të PS-së. I hartuar me ekspertë të fushës, programi i PS-së duket se do të sjellë një ndryshim tërësor në fushën e kulturës në vend. Duke krijuar në internet platformën “Shqipëria krijuese”, e cila do të paraqesë zhvillimet më të fundit në fushën e artit dhe kulturës në vend, PS-ja synon të ofrojë një hapësirë dialogu për artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të nxisë komunikimin me mediat e reja, të mbështesë një qasje kritike për cilësinë e informacionit duke informuar dhe mbi pronën intelektuale.
Në programin e PS-së u jepet mbështetje artistëve dhe talenteve të reja, grupeve të ndryshme artistike për pjesëmarrje në aktivitete brenda dhe jashtë vendit, nxitje të edukimit për artin brenda dhe jashtë institucioneve kulturore, nxitje e aktiviteteve artistike, si festivale teatrore, muzikore, të traditës popullore mbi bazë dialogun rajonal, e vlerat e përbashkëta kulturore, rritje të mundësive për t’u punësuar përmes kulturës, mbështetje për institucionet artistike lokale, si teatro, galeri, nisma fiskale për tërheqjen e mbështetjes private drejt prodhimit kulturor etj. Libri zë një hapësirë të veçantë në programin e PS-së, e cila do të ngrejë një qendër kombëtare të letrave për mbështetjen e vlerave të traditës dhe prurjeve të reja, do të përfshijë librin shqip dhe autorët shqiptarë në programet e nismat promovuese ndërkombëtare, do të japë fonde të posaçme për botimet dixhitale, do të krijojë një sistem bursash për shkrimtarët dhe përkthyesit në mbështetje të karrierës së tyre. Do të organizohen “Ditët e kulturës shqiptare” në vende të ndryshme të botës, e veçanërisht në vendet e BE-së. PS-ja do të bëjë një rishikim dhe hartim në standardet europiane të paketës ligjore, që përfshin ligjin për krijimtarinë, ligjin për mbrojtjen e të drejtës së autorit, ligjin për sponsorizimet dhe nxitësit fiskalë, statuset specifike (për secilin institucion të krijimtarisë), kontratën kolektive, kontratën individuale.
Ndër hapat në rigjenerimin e institucioneve kulturore do të jenë: rikonstruktim tërësor i Teatrit Kombëtar sipas standardeve europiane, vendosja e Qendrës Kombëtare Multifunksionale për Fëmijë në ambiente të reja, hapja e shkollës së cirkut pranë Liceut Artistik, hapja e degës së dramës AA në Shkodër, krijimi i studios eksperimentale në TKOB, status i veçantë për Teatrin e Shkodrës dhe të Korçës etj. Trashëgimia kulturore zë një vend të veçantë në programin e PS-së, ku përmes krijimit të një legjislacioni modern synohet të ruhen e rikonstruktohen hapësirat tona të trashëgimisë kulturore, dhe t’i jepet një dimension tjetër kësaj pjese të trashëgimisë sonë historike. Ndryshe nga PS-ja, e cila e ka hartuar në detaje programin e saj për kulturën, PD-ja nuk ka ofruar një program të ri për kulturën, por është mjaftuar duke përmendur disa nga “arritjet” në këtë fushë gjatë këtyre 8 viteve qeverisje, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve kanë pasur kritika nga institucionet ndërkombëtare, siç është dhe rasti i trashëgimisë kulturore, e cila pavarësisht shifrave që deklarohen se kanë shkuar në dispozicion të saj, vazhdon të jetë në një gjendje kritike.
Disa nga pikat e Programit të PS:
Identifikim, ruajtje, mbrojtje dhe promovimi i trashëgimisë shpirtërore shqiptare në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Promovim i trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe i diversitetit kulturor për rritjen e rolit të tyre dhe në funksion të turizmit kulturor.
Krijim i një legjislacioni modern për ruajtjen e qendrave, monumenteve dhe peizazheve historike si pjesë e rëndësishme e integritetit të monumenteve kulturore.
Qendra e Menaxhimit dhe Kërkimit Shkencor të Avancuar të Pasurive Nënujore, si kontribuuese në hartimin e legjislacionit në përputhje me konventat ndërkombëtare.
Ngritja e qendrës kombëtare të letrave për mbështetjen e vlerave të traditës dhe prurjeve të reja.
Përfshirja e librit shqip dhe autorëve shqiptarë në programet e nismat promovuese ndërkombëtare.
Rishikim dhe hartim në standardet europiane të paketës ligjore që përfshin:
Ligjin për krijimtarinë.
Ligjin për mbrojtjen e të drejtës së autorit.
Ligjin për sponsorizimet dhe nxitësit fiskalë.
Statuset specifike (për secilin institucion të krijimtarisë).
Kontratën kolektive.
Kontratën individuale.
Disa prej hapave në rigjenerimin e institucioneve kulturore do të jenë:
Rikonstruktim tërësor i Teatrit Kombëtar sipas standardeve europiane.
Dialog me të gjithë aktorët, palët e interesuara dhe shoqërinë civile për qasjet strategjike dhe sfidat e së ardhmes në kulturë.