Partia Socialiste ka reaguar lidhur me sasinë e drogës të kapur një ditë më parë në Gjermani, duke deklaruar se bëhej fjalë për një operacion të përbashkët të policisë gjermane e shqiptare.
“Bëhet fjalë për një hetim të policisë gjermane të nisur në tetor, në bashkëpunim me policinë shqiptare. Aktualisht po hetohet për trafik droge edhe në të kaluarën”, deklaroi zv.ministrja e punëve të brendshme, Elona Gjebrea.
Ajo hodhi poshtë pretendimet e opozitës, se shtetet fqinje dhe ato të tjera evropiane janë të shqetësuara nga narkotrafiku me prejardhje nga Shqipëria.
“Vendet fqinje, por dhe të tjera, jo vetëm që nuk janë të shqetësuara, por janë të inkurajuara nga angazhimi maksimal dhe rezultatet e arritura nga policia shqiptare”, u shpreh Gjebrea.
Ajo citoi statistikat e policive partnere, që sipas saj konfirmojnë angazhimin e qeverisë shqiptare dhe tregojnë se droga nga Shqipëria nuk është shumëfishuar.
“Policia e Shtetit është e vendosur të luftojë pa kompromis trafikimin e çdo lloj droge, duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligj-zbatuese në vend dhe jashtë vendit”, shtoi Gjebrea.