Pa Drite- Aktivitete mesazhe dhe emocione ne Diten Nderkombetare te Shkopit te Bardhe

TIRANË, 15 Tetor / ATSH - Klajdi Musabelliu/ - Me rastin e 15 tetorit, që është "Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë", e cila e ka marrë këtë emër që në vitin e largët 1964 kur Presidenti amerikan Lindon Jonson ka nënshkruar një deklaratë ku është kërkuar që personat me shikim të kufizuar të kenë të drejta të barabarta si e gjithë shoqëria, thuajse në të gjithë, vendin janë organizuar disa aktivitete sensibilizuese e kulturore, të cilat në qendër të vëmëndjes kishin pikërisht personat me aftësi të kufizuar në shikim.

Nën moton "Ecim vetëm marshojmë së bashku" sot paradite në sheshin "Nëne Tereza" e përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, pjestarë nga komunitetit i të verbërve dhe ai i artistëve, janë bërë bashkë në një marshim, gjatë të cilit edhe vetë artistët në shenjë solidariteti dhe apelimi, kanë mbuluar sytë e kanë ecur përkrah njëri tjetrit si rrallë ndonjë herë.

Ashtu sikurse në kryeqytet, paralelisht edhe në qytetin e Elbasanit dhe Shkodrës u mbajtën të tjera marshime dhe u organizuan aktivitetete sensibilizues për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe integrimin në shoqëri të kësaj kategorie.

Ndërkohë që po në Shkodër, në kuadrin e aktiviteteve të ditës së "Shkopit të Bardhë", gazetarët e qytetit kanë zhvillur një tjetër aktivitet mjaft të veçantë, ku së bashku me të verbrit e qytetit kanë zhvilluar një ndeshje futbolli miqësore në një nga kalçetot e qytetit.

E teksa në Shkodër të verbërit dhe gazetarët me sytë e lidhur dhe të mbuluar, zhvilluan një ndeshje të rrallë dhe mjaft emocionuese futbolli, në qytetin bregdetar të Durrësit një tjetër aktivitet tejet i veçantë mori jetë.

Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë në praninë e disa të verbërve të qytetit, kryetarit të Shoqatës së të verbërve të Shqipërisë, Sinan Tafaj, Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, zv/ministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, u çel ekspozita e titulluar "Pa Dritë".

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe në bashkëpunimi midis Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Durrës, stafit të Muzeut Arkeologjik me pedagogë e studentë të Universitetit të Arteve, si dhe degëve të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, ekspozita e konceptuar dhe realizuar nga Edlira Çaushi solli kësaj here për publikun e saj të veçantë 27 artefakte të cilat u ekspozuan në një sallë të errët.

27 artefaktet e përzgjedhura nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe të riprodhuara nga studentë të Universitetit të Arteve, të pajisura me mbishkrime në alfabetin breill, u vunë sot në dispozicion të personave që nuk shikojnë dhe të gjithë publikut pjesëmarrës.

Ndërkohë që të rinjtë që nuk shikonin, por që janë përdorues të alfabetit breill, shërbyen si guida për pjesën tjetër të publikut, e cila e kishte të pamundur të orientohej në kushtet e mungesës së dritës.

Ndërgjegjësimi dhe reflektimi për të shtuar vëmendjen dhe për të gjetur mënyra të reja kreative në përfshirjen e kësaj kategorie shoqërore me nevoja të veçanta, ishte dhe qëllimi i këtij organizimi të rrallë i cili edhe pse në kushte të pazakonta, përveç njohjes së një pjese të rëndësishme të Muzeut për të verbërit, apeloi edhe për përfshirjen e tyre në misionet e muzeut në funksion të rritjes së atraksionit dhe audiencës së Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama