Pa viza... Serish drejt Turqise

Pa viza... Serish drejt Turqise
Shqiptarët do të vazhdojnë të zgjedhin më së shumti Turqinë “modeste”, më pak perëndimore, më pak vanitoze, sepse, pavarësisht vizave, ata mbeten me kuletat hollë, ndërsa kjo e fundit vazhdon të ofrojë paketat më të leverdishme.

Një Europë pa viza, një Europë më afër për shqiptarët. U fol e flitet kaq shumë për fluks lëvizjesh drejt këtyre vendeve, tashmë “të liberalizuara”, sa kryefjala e fjalëve u duk se do të ishin pushimet. Po a ishin vetëm vizat ato që mbanin peng dëshirat e shqiptarëve për të parë e eksploruara Europën e lirë? Drejtuesit e agjencive turistike, të parët që ndeshin kontaktin me këtë lloj interesi, pohojnë njëzëri të kundërtën.

Natyrisht, vizat duhet të ishin faktor dhe liberalizimi i tyre duhet të kulmonte me një fluks turistësh drejt vendeve të Europës së Bashkuar, por, me sa u duk në sezonin e dimrit që shkoi dhe me ç’pritet këtë sezon veror nga vetë agjencitë turistike, shqiptarët do të vazhdojnë të zgjedhin më së shumti Turqinë “modeste”, më pak perëndimore, më pak vanitoze, sepse, pavarësisht vizave, ata mbeten me kuletat hollë, ndërsa kjo e fundit vazhdon të ofrojë paketat më të leverdishme për sa i takon raportit të çmimit me cilësinë e akomodimit. Pra edhe këtë vit, Turqia kryeson Top-listën.

Për sa i takon vendeve “të reja” më intriguesja për shqiptarët eksplorues mbetet Spanja. Por edhe kjo shpesh kundrohet së largu, sapo ky target entuziast përballet me çmimet shumë të larta. Të penalizuar? Nuk ka. Përveç Egjiptit, për të cilin disa agjenci po diskutojnë edhe mbylljen e ofertave. Kërkesa ka rënë, për shkak të luftërave që po zhvillohen në Lindjen e Mesme. Kjo vetëm i ka shtuar pikë interesit për Turqinë, e cila nga ana e saj ka rritur edhe çmimet. 10 për qind më të larta se vjet janë ofertat e saj. Ndërkaq, kriza bën të vetën ngado. Me apo pa viza, konstatuar nga drejtuesit e agjencive turistike, xhiroja totale e këtij biznesi, nga vjet në sivjet, sipas një vëzhgimi të bërë për të gjithë sezonet, ka rënë me 30 për qind.

Heqja e vizave me Perëndimin, pushimet ende drejt Lindjes

“Natyrisht ky vit është i ndryshëm nga vitet e tjerë. Liberalizimi i vizave me EU ka shtuar gamën e produktit tonë dhe, rrjedhimisht, na ka rritur dhe impenjimin për të punuar me këto destinacione të reja. Sigurisht Europa është e këndshme, e kërkuar patjetër pas kalimit të barrierave të vizave, por mbetet akoma në standarde të larta të çmimeve në periudhën e verës”, shprehet Elona Gjondedaj, presidente e “Jona Travel & Tours”.

Ashtu si çdo vit tjetër në prag të sezonit veror, ata kanë lançuar dhe për Verë 2011 paketat e prenotimeve të hershme (Early booking) që prej muajit Mars. Sipas Gjondedaj, ajo që vihet re është fluksi i lartë i kërkesave për Europën. Por kjo deri sa jepet çmimi, sepse më pas ka një stepje në vendimmarrjen e klientit për të blerë paketën. “Ndoshta ky është dhe stereotipi i klientit shqiptar - Last Minute preferohet më shumë se Early Booking”, tregojnë nga Jona Travel.

Në këtë pikë, opinioni vjen njëlloj edhe nga zyrat e drejtuesve të ATHS-së. Ajo që mban lëvizjen është vetëm buxheti i njerëzve. “Nuk mendoj se regjimi i vizave për daljen e shqiptarëve jashtë vendit për pushime përbënte pengesën kryesore, për të folur për rritje apo rënie të fluksit të turistëve. Janë çmimet që ofrojnë destinacionet e ndryshme dhe raporti i tyre me cilësinë, pozicioni gjeografik i cili bën çmimin e biletës së udhëtimit etj”, tregon për MAPO Besnik Vathi, president i kësaj agjencie.

Turqia, edhe këtë vit zgjedhja më e mirë

Pavarësisht se Europa erdhi më afër për klientët shqiptarë këtë vit, destinacionet si Turqia vazhdojnë të mbeten të preferuara dhe të kërkuara. Arsyeja? Komoditet në udhëtim me fluturime direkte charter (kursen kohë dhe para’). Sistemet e trajtimit me ushqim All Inclusive e qetësojnë psikologjikisht klientin që niset me idenë se çdo gjë e ka të paguar.

“Ajo hyn tashmë tek destinacionet e provuara më parë dhe me feed-back shumë të mirë për pushime rekreative. Prandaj edhe këtë vit duket se nuk ka reduktim të kërkesës drejt Turqisë dhe vendeve të target grupit të saj. Ajo që është shtuar është kërkesa dhe për ofertat që Europa ka, kryesisht plazhet.”, tregon rreth kësaj Elona Gjondedaj, nga “Jona Travel & Tours”. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe nga ATHS. Interesimi për pushime në Turqi mbetet i pacenueshëm, sepse është ajo që ofron raportin më të mirë të çmimit dhe cilësisë së akomodimit. “Natyrisht që do të ketë një rritje të kërkesës drejt vendeve të BE-së, që deri dje aplikonin regjimin e vizave, por jo aq sa të eklipsojnë vëmendjen e shqiptarëve drejt Turqisë.”, tregon Besnik Vathi.

Çmimet, këtë vit rreth 10 për qind më të larta

Çmimet e ofertave drejt Turqisë janë rritur me gati 10 për qind krahasuar me ato të së njëjtës periudhë të një viti më parë. “Ishte një rritje vjetore kjo, e pritshme në fakt, duke qenë se dhe interesi për turizëm drejt Turqisë është shtuar, për sa kohë që ajo ruan në treg raportin më të mirë të çmimit me cilësinë.”, shpjegojnë nga ATHS. Por me sa duket nuk është vetëm ky faktori ndikues. Direkt, apo indirekt, një prej tyre është edhe situata e pastabilizuar politike në vendet e Lindjes së Mesme dhe rritja e karburantit si pasojë.

“Niveli i çmimeve për destinacionet e “vjetra” po i quaj, ka lëvizur në proporcion të zhdrejtë me vitet e kaluara, kjo nisur nga shumë faktorë, ku përfshihet dhe rritja e menjëhershme e karburantit, situata e pa stabilizuar politike në vende si Libia, Tunizia etj, gjë që ka çuar klientë të shteteve të tjera të orientohen nga Europa, Turqia etj, duke çuar në rritjen e kërkesës, për rrjedhojë dhe rritjen e çmimeve”, thotë Gjondedaj nga “Jona Travel”.

Të penalizuarit

Sipas informacioneve paraprake të marrë nga agjencitë turistike, ajo që është vënë re gjatë këtyre muajve që pasuan heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët, destinacionet e “penalizuara” në një farë mënyre nga zgjedhjet e shqiptarëve, janë vendet në fqinje ku gjithmonë është lëvizur pa viza. “Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilat zgjidheshin shpesh për të kaluar fundjavat, tani janë zëvendësuar me zgjedhje të reja, kryesisht drejt Greqisë, apo edhe Italisë. Mendoj se kjo formë “penalizmi” mund të vazhdojë të ndihet edhe gjatë sezonit veror.”, tregon presidenti i ATHS-së, Vathi.

Por, të mos harrojmë të penalizuarin kryesor, Egjiptin. Për shkak të situatës së krijuar, ai i ka ulur fare çmimet e ofertave për këto pushime verore, përsëri kërkesa e turistëve drejt këtyre vendeve mbetet e papërfillshme, ndaj një mendim i diskutueshëm është edhe mbyllja fare nga ana jonë e këtij destinacioni. Kështu shprehen nga agjencia e udhëtimeve “Sui Tour”.

Gjithsesi, prenotimet kanë filluar

Pavarësisht të gjithave, prenotimet dhe për këtë vit kanë filluar, kryesisht nga klientët e rregullt dhe të disiplinuar që rezervojnë në avancë. “Janë këta të parët që kanë vërtetuar nga vitet paraardhëse benefitet e këtij lloj rezervimi. Shpresojmë në ditët në vazhdim të ketë rritje të tyre, pasi përveç faktit që janë në të mirë të klientëve, janë dhe në të mirën tonë si organizatorë, pasi na lënë kohën e mjaftueshme për të kuruar produktin deri në detaje dhe për ta sjellë atë në formën më të mirë përpara klientit”, konkludojnë nga “Jona Travel”. Nga ana e saj, ATHS deklaron një rënie me gati 30 për qind të xhiros vjetore, por edhe asaj të pritshme për sezonin, gjithmonë për shkak të rënies së ekonomisë vendore dhe buxhetit të shqiptarëve, sidomos për shpenzime pushimesh. Megjithatë, të gjithë kanë filluar nga përgatitjet. “Pritet një rritje e lehtë e kërkesës drejt vendeve të BE-së, tashme të vizitueshme pa viza dhe ne jemi të përgatitur për këtë, duke konsideruar një sistem më të organizuar ofertash dhe fluturimesh drejt destinacioneve më të kërkuara, si Greqia, Italia, Spanja, Bullgaria dhe Kroacia”, shpjegon Vathi.

Spanja, destinacioni që intrigon më shumë këtë verë

Pikante, e bukur, e nxehtë, Spanja ka spikatur si vendi më i kërkuar nga turitët shqiptarë për këtë verë. Më mirë të themi, më i lakmuari, sepse pas përballjes me çmimet, po aq “calliente” sa destinacioni i bukur, shumica tërhiqen të keqiluziuonuar.

“Për sa i takon vendeve të BE-së, ai më i kërkuari për tu eksploruar nga shqiptarët, është Spanja. Megjithatë, i madh dhe i dukshëm është interesimi, por në momentin e përballjes me çmimin, njerëzit tërhiqen. Është i papërballueshëm për një shumicë të madhe. Me gjithë lehtësimin, luksin për ta vizituar vazhdojnë ta kenë vetëm ajo kategori me të ardhura të mira financiare që e vizitonin këtë destinacion edhe duke pasur regjimin e vizave në mes.”, tregon Suela Luarasi nga “Sui Tours”.

Kroçerë vetëm në pranverë

Sipas asaj që treguan nga agjencitë turistike, shumë të kërkuara për pranverën, sezonin prill-maj, kanë qenë kroçerat, kryesisht të nisura nga Athina. Në këtë periudhë udhëtimet e këtij lloji kanë pasur çmime shumë të mira, por sapo vjen vera interesimi bie e shkon drejt zeros. Udhëtimet me kroçerë nga masa e shqiptarëve në sezon vere, mbeten të shtrenjta dhe të papërballueshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama