Kur ora trokiti dymbëdhjetë e natë, pikërisht në çastin e ndërmjetëm mes dy datash, një trumbë dritash shumëngjyrëshe ndriçoi qiellin, shoqëruar nga jehona të shtënash. Në fakt, rrugët e boshatisura të Tiranës në një natë të akullt dhjetori nuk përbënin fotografinë më të mirë për “momentin e madh” të heqjes së vizave më 15 dhjetor 2010. Entuziazmi u intensifikua të nesërmen, por rezultoi të ishte më së shumti i orientuar nga zyrat e marrëdhënieve me publikun të institucioneve qeveritare, sepse të dhënat e para nga pikat e kalimit doganor nuk flisnin për ndonjë fluks të jashtëzakonshëm. Edhe pse institucionet përgjegjëse kishin marrë masat për lehtësuar qarkullimin e ndonjë fluksi të jashtëzakonshëm, gjithsej rreth 660 njerëz kaluan kufirin shqiptar drejt vendeve të Bashkimit Europian, me pak a shumë të njëjtën nge që kish karakterizuar gjithë vitin.
Ca më herët, në të gdhirë të së njëjtës ditë, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga një shpurë gazetarësh, takoi hareshëm pasagjerët mahmur të një fluturimi për në Vjenë, duke qenë se këta të fundit ishin dallëndyshet e para të shtegtimit pa viza në hapësirën europiane. Data 16, dita e dytë pas hapjes së kufijve, shënoi pak a shumë, të njëjtat shifra. Numrat filluan të rriten gjatë ditëve që pasuan, me rreth 1300 udhëtime drejt Europës në datë 17 dhe 1600 të tilla në ditën pasuese. Ndonëse institucionet shqiptare ende nuk i ka shpërndarë të dhënat e tjera, agjencitë e udhëtimit thonë se duke marrë parasysh pronotimet e bëra dhe fluksin e blerjes së biletave të ndryshme të udhëtimit, me avion, traget dhe mjete të transportit rrugor, prirja vazhdon të jetë mbi nivelin e 1500 udhëtimeve në ditë.
Megjithatë, të njëjtët thonë se flukset nuk ishin ato që parashikoheshin. Jo se dikush kishte bërë ndonjë parashikim shifror, sepse sakaq, eksperienca e vendeve fqinje ka dëshmuar se nuk ka ndodhur ndonjë lëvizje masive njerëzish, qoftë edhe në një periudhë të kufizuar. Në Maqedoni, për shembull, rreth një vit pas liberalizimit të vizave, autoritetet njoftuan se flukset e lëvizjes së shtetasve drejt vendeve të Bashkimit Europian nuk ishin treguar ndonjë rritje të qenësishme, krahasuar me një vit më parë, ndërsa media e komentoi këtë fakt duke thënë se “diferencat ishin të papërfillshme”. I vetmi dallim është se shumë shtetas maqedonas po kërkojnë azil nëpër Europë, dhe qeveria e vendit fqinj vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të mos tentojnë më kot të realizojnë diçka të tillë.
A do të jetë ky rasti i Shqipërisë? Ndërsa është ende herët për të bërë parashikime, vërehet megjithatë, se shifrat e vizitave europiane vijnë në rritje, pavarësisht se vëllimi nuk qaset me pritshmëritë e mëdha. Nga ana tjetër, kjo ndodh në kohë të festave të fundvitit dhe mundësitë janë që ritmi të ulet përgjatë 2011-ës.
Kliton Gerxhani, kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), thotë për “MAPO”-n se operatorët turistikë vlerësojnë se do të ketë rritje të udhëtimeve drejt vendeve të BE-së. “Nuk presim që të jetë diçka e jashtëzakonshme”, thekson Gerxhani. Ai vëren se nuk parashikohet të ketë ndonjë rritje të fortë në udhëtimet e orientuara nga turizmi i plazhit, por besohet se liberalizimi i vizave do të ndikojë te kërkesa për turizëm kulturor në vendet e BE-së në nivelet 20 deri në 30 për qind. “Megjithatë, mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë gjatë vitit që vjen”, thotë Gërxhani.
Efekte në ekonomi?
Sakaq, bordi i një institucioni shumë të rëndësishëm shqiptar ka parashikuar një skenar disi të zymtë për efektet ekonomike që mund të japë liberalizimi i vizave, ose më saktë, lëvizja e njerëzve jashtë vendit, apo edhe më saktë akoma, dalja e valutës jashtë vendit. Një parashikim paraprak flet për rreth 300 milionë euro në harkun e disa muajve. Në fakt, më shumë se një ekspert ka dalë tashmë në media duke thënë se heqja e vizave do të ketë efekte që mund të shkojnë deri në 200 milionë euro.
Të tjerë thonë se parashikimi se do të ketë një mësymje për të blerë euro me sytë drejt Europës, është disi i mbivlerësuar. Më së pari, njerëzit nuk munden dhe nuk do të shpenzojnë para që nuk i kanë. Ndër të tjera, vizitat te të afërmit që jetojnë në Europë – kryesisht në Greqi dhe Itali – rezultojnë me kosto të ulët. Një biletë vajtje-ardhje Tirana-Athinë mund të blihet me rreth 50 euro, ndërsa një rrugë drejt Italisë luhatet në nivelin 100 euro. Sipas këtij skenari, liberalizimi nuk mund të jetë shumë i dëmshëm.
“Vërtet që mund të ketë impakt te kursi i këmbimit, por ka pak gjasa që të shkaktohen pasoja serioze, duke qenë se tashmë një pjesë e konsiderueshme e depozitave në bankat shqiptare janë në valutë të huaj, kryesuar nga euro”, thotë Artan Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB). Në fakt, rreth 46.5% e depozitave në bankat që operojnë në vend, rezultojnë të jenë në valutë të huaj.
Edhe kursi i këmbimit nuk është se ka treguar luhatje të mëdha, ndonëse euro ka vijuar të fitojë një terren të lehtë kundrejt lekut. Por raporti mes dy monedhave vazhdon të lëvizë brenda normës 1 euro baras me 139 lekë, ku të vetmet luhatje ndodhin në presjet e “9”-ës, por pa prekur nivelin 140.
Një nga bankat kryesore që operojnë në vend, shprehej me tone të qeta në një raport të sajin drejtuar disa klientëve të mëdhenj, lidhur me fitimin e ngadaltë të terrenit nga ana e euros kundrejt lekut. “Ndër faktorët kryesorë që e shkaktojnë këtë rritje, janë edhe spekulimet se liberalizimi i vizave, aprovuar këtë të hënë, do të ndiqet me një kërkesë në rritje për euro nga shqiptarët që do të udhëtojnë drejt zonës Shengen. Në çdo rast, ne nuk presim që të ketë një efekt të ndjeshëm në kursin e këmbimit euro/lek”, thuhej në raport.
Në fakt, rritja ende nuk është e ndjeshme, por nëse trendi vazhdon, mund të shndërrohet në lajm jo fort të mirë për shqiptarët që kanë kredi në euro në sistemin bankar, lidhur me faktin e thjeshtë se të ardhurat e tyre janë në lek dhe kreditë në euro. Aktualisht, mbi 52 për qind e portofolit të kredisë në sistemin bankar shqiptar është në euro, dhe prirja tregon një rritje të fortë, nëse krahasohet me nivelin 47 për qind të vitit të shkuar.
Në rastin më të keq të mundshëm dhe gjithnjë brenda një kornize spekulative, inflacioni mund të ishte problemi i radhës. Aktiviteti tregtar i vendit është i orientuar drejt Eurozonës në masën 67 për qind, nëse merren për bazë të dhënat e Bankës së Shqipërisë për vitin 2009. Duke qenë se pjesa dërrmuese e këtyre shkëmbimeve janë importe, një rritje e ndjeshme e euros kundrejt lekut, do të sillte një rritje të ndjeshme çmimesh, ndryshe inflacion.
“Liberalizimi i vizave është një arritje e pritur gjatë nga shqiptarët, por vjen me një çmim”, thotë Adriatik Kotorri, profesor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Sipas Kotorrit, vendi do të përjetojë gjatë vitit që vjen një lëvizje – ndonëse jo të jashtëzakonshme – të ndjeshme të njerëzve që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ku jetojnë më shumë se 1 milion shqiptarë. “Kjo do të thotë se ndërsa njerëzit shkojnë dhe pastaj kthehen, e njëjta gjë nuk ndodh me valutën; ajo mbetet jashtë kufijve”, thotë Kotorri. Ai thotë se bëhet fjalë për një rrjedhje të rëndësishme valute jashtë vendit, në një kohë që ekonomia nuk është në gjendjen e saj më të mirë dhe që nevoja në tregun e brendshëm për valutë është e ndjeshme. “Duke marrë parasysh edhe faktin se të ardhurat nga emigracioni kanë dëshmuar rënie, do të ketë efekte të pashmangshme në vëllimin e parasë që del jashtë vendit”, thekson Kotorri.
Ndonëse shumica e diskutimit bëhet në një terren të panjohur, diçka është e sigurt: eksodi i madh nuk ndodhi dhe nuk ka shumë gjasa të ndodhë, ndërsa efekte ekonomike do të ketë, por se në ç’masë e në ç’formë, kjo do të kuptohet më vonë.