Pabarazi apo padrejtesi sociale per femijet

Pabarazi apo padrejtesi sociale per femijet

Shifra të mëdha dhe të frikshme, që lidhen me pabarazinë sociale, e bëjnë shoqërinë shqiptare që të shfaqet fare e padrejtë para brezave të saj të rinj. Më të rrezikuarit mbeten fëmijët e vegjël. Shifrat janë të frikshme në të gjithë treguesit, por më shqetësuese është pamundësia e optimizmit të së ardhmes së tyre. Në Tiranë vazhdojnë të jetojnë 12 mijë fëmijë në familje ekstremisht të varfra me të ardhura ditore më pak se një dollarë...



Ka një korrelacion që duket shumë i drejtë për kohën ku jetojmë. Sa më shumë të ketë shtresa në nevojë aq më shumë shtohen dhe OJQ-të që merren me to. Dhe, në këtë rast, sa më shumë përpiqemi të përcaktojmë dhe identifikojmë pabarazinë sociale, sidomos tek fëmijët, aq më shumë po bëhemi dëshmitarë edhe të padrejtësisë sociale që rëndon mbi ta. Është kaq e vërtetë kjo, saqë sikur shembuj të thjeshtë të përdorim mund ta ilustrojmë lehtë idenë: p.sh. fëmijët që punojnë sot në Bllok janë bijtë dhe bijat e atyre lypsarëve që kanë qenë kohë më parë, në të njëjtin vend. Por, padrejtësia mbi ta është kudo.


Një mal strategjish hartohen për këto shtresa, por gati gjithnjë e më pak ato prekin thelbin e problemit. Ndërkohë që shtohen pafund përfituesit e tretë, që ushqehen turpërisht mbi fenomenin. Disa nga problematikat më shqetësuese, që lidhen me fëmijët në Tiranë, mbeten varfëria e jashtëzakonshme dhe gama e gjerë e kushteve të pamjaftueshme ekonomike dhe shoqërore të tyre. E ndërsa kushtet e këqija janë rritur nga koha në kohë për familjet e personat në nevojë, mangësitë kanë sjellë që fëmijët e tyre të privohen hapur nga aspekti arsimor, shëndetësor, argëtues e deri te përkujdesi i duhur shoqëror. Nga të dhënat e pak kohëve më parë identifikohej se ishin rreth 12.000 fëmijë në Tiranë, pjesëtarë të familjeve skamnore me ndihmë modeste ekonomike. Këta të fundit, mezi arrinin të shpenzonin 1USD në ditë për rritjen e tyre. Kësaj ushtrie vogëlushësh, i shtohen mbi 4800 fëmijë jetimë, të cilët kujdesohen prej të afërmve. Këtë situatë e përjetojnë sot familjet e mijëra njerëzve që janë të papunë, e afërsisht 100 mijë familjet që jetojnë me këtë ndihmë, e rreth 134 mijë persona me aftësi të kufizuara.

 


Nuk është çudi sot që strukturat shtetëror nuk mund t’i mbështesin familjet e varfra, kurse cilësia e shërbimeve ndryshon në zonat urbane në ato rurale dhe ka shumë fshatra ku edhe mungon fare ndihma mjekësore. Dhe, fëmijët janë ata që po e pësojnë më së shumti, pasi kujdesi për ta mbetet shumë specifik dhe nuk mund të krijohet në këto kushte. Por, sikur të mos mjaftojnë këto, kategori të tëra moshash fëminore vuajnë direkt korrupsionin në shërbimin shëndetësor, rimbursimin e ilaçeve , e deri mungesën e medikamenteve bazike në qendra shëndetësore apo spitale.
Megjithatë duhet të jemi koshientë për diçka pasi pabarazia nuk është e mundur të shmanget dhe kurrsesi nuk duhet ngatërruar me padrejtësinë sociale, pjellë e kapitalizmit të sotëm. Padrejtësia lidhet direkt me instrumente sociale që fëmijët i ndjejnë me avantazhet e pamerituara apo disavantazhet sociale, si edhe mënyrat e shuma jodemokratike, të cilat e kanë burimin tek nepotizmi, militantizmi partiak, favorizimet në tregun e punës, si dhe nga shumë arsye të tjera. Padrejtësia sociale tashmë është e dukshme në çdo aspekt të fëmijëve shqiptarë, që nuk i kanë asfare kushtet e mjaftueshme sociale.


E fundit, por jo më pak e rëndësishme mbetet se të drejtat e fëmijëve në Shqipëri, pas ratifikimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, janë pjesë axhendash dhe kuadrove ligjore, por zbatimi i tyre mbetet vite larg zbatimit real. Ndaj, shifrat që lidhen me ta janë gjithnjë e më pashpresa për të ndryshuar këtë situatë. Kjo gjendje mund të quhet e mirë vetëm për OJQ-të që presin të zhvasin prej tyre këtë vuajtje dhe për ta shndërruar në përfitime dhe mbijetesë lluksi për veten e tyre.
 
***
Duhet të kemi kujdes me pabarazinë


Intervistë për “JAVA” me sociologun Gëzim Tushi: si e shikon ai fenomenin e pabarazisë dhe arsyet që e përçojnë atë tek fëmijët. “Duhet kujdes kur trajtojmë këtë çështje, sepse idetë e deformuara dhe sloganet e pamundura sociale na pengojnë të kuptojmë të vërtetën e realitetit të shoqërisë modern në Shqipëri”, thotë ai.
 
Pabarazitë sociale janë një nga shkaqet e vuajtjes së kategorive të tëra sociale. Edhe pse është premtuar shumë dhe u premtua sërish shumë në fushatë ka pak gjasa të ndryshojë diçka. Si e shikoni ndikimin e tyre në jetën e fëmijëve (shumë familje s’marrin fare ndihmë, mungojnë shumë shërbime, në fshatra të tërë mungojnë ambulancat, korrupsioni, mosnjohja e të drejtave etj., etj.,)…


“Padyshim nuk kam shqetësim për ekzistencën e pabarazisë në shoqërinë e sotme shqiptare. Ai është fenomen social universalisht i njohur, i pranuar dhe padyshim ekonomikisht dhe shoqërisht i dobishëm. Në fund të fundit nuk ka shoqëri të lirë, të bazuar në ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë të individit që të përfytyrohet ekzistenca e barazisë jo në kuptimin egalitarist, por vështirë edhe në optikën humane. Gjërat duhen parë ashtu si janë dhe fenomeneve duhet t’u japim emrat dhe kuptimin e tyre social. Por nga ana tjetër pabarazia që nuk është e mundur të shmanget nuk duhet ngatërruar me padrejtësinë sociale, e lidhur me instrumente sociale që deformojnë rrugën e suksesit personal të merituar, të krijimit të avantazheve apo disavantazheve sociale me anë të mjeteve dhe mënyrave jo demokratikë, që burojnë nga nepotizmi, militantizmi partiak, favorizimet në tregun e punës, si dhe nga shumë arsye të tjera. Por pabarazia ka limitet e veta, tejkalimi i të cilave sjell padrejtësi sociale nga e cila vuajnë jo pak njerëz në shoqërinë e sotme shqiptare.


Atë e përjetojnë qindra mijëra njerëz që janë të papunë, afërsisht 100 mijë familjet që jetojnë me ndihmën ekonomike fare modeste, rreth 134 mijë persona me aftësi të kufizuara si të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë. Megjithëse mbështetja financiare dhe sociale për këto kategori njerëzish nuk ka munguar ajo akoma nuk është në nivele konsistente që të mund të zbutë nevojat dhe statusin e tyre të margjinalizuar (në ndonjë rast edhe të diskriminuar). Padyshim në këtë tablo shtresa e fëmijëve është ajo që i përjeton më shumë pasojat e situatës ekonomike e sociale të shoqërisë tonë dhe familjes së tyre. Në këtë kontekst duhen rishikuar politikat e mbështetjes së familjeve në nevojë duke adresuar politika të mbështetjes specifike për fëmijët.


Por kjo nuk mund të realizohet derisa të mos rishikohet dhe të kalohet nga mbështetja ekonomike për familje në mbështetje ekonomike duke llogaritur nevojat specifike të fëmijëve. Ndoshta kjo masë do mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e disa plagëve që përjetojnë fëmijët në nevojë. Sidomos fëmijët e rrugës, ata që bëjnë punë të këqija (jashtë moshës), që përfshihen në veprimtari keqbërëse apo kriminale, për mbrojtjen e fëmijëve viktima të abuzimit fizik, psikik apo seksual. Të gjitha këto kërkojnë rindërtimin e ‘ortekut social’ të masave të shtetit, shkollës, familjes, medias për të ecur në rrugën e duhur. Mundësitë janë për përmirësime. Unë personalisht jam optimist se disa gjëra do ndryshojnë për mirë”.


 
Si e shikoni në thelb problemin e pabarazisë: prej humbjes së humanizmit në kapitalizëm apo si një dukuri të përbotshme, ku Shqipëria tashmë është pjesë integrale?


“Duhet kujdes kur trajtojmë këtë çështje, sepse idetë e deformuara dhe sloganet e pamundura sociale na pengojnë të kuptojmë të vërtetën e realitetit të shoqërisë modern në Shqipëri. Është fenomen ndoshta unikal në esencë të shoqërisë moderne në përgjithësi. Por mua nuk më shqetëson aq zbehja e humanizmit social në shoqërinë tonë, se sa shpejtësia marramendëse konceptuale dhe empirike me të cilin po realizohet ky proces i pritshëm dhe i logjikshëm.


Normalisht nuk mund të ketë demokraci pa liri të individit, pa qytetar me individualitet. Individualizmi në botën e sotme është ideologjia bazë e qytetërimit dhe modernitetit. Nga ky determinim social nuk mund të shpëtonte as shoqëria jonë. Por tronditjet tona janë më të mëdha sepse kalimi është traumatik. Po kalojmë me shpejtësi nga shoqëria e dikurshme supersociale dhe hipersolidare e të ashtuquajturës “Një për të gjithë dhe të gjithë për një” që ishte jo vetëm parullë demagogjike por dhe denatyruese, në shoqërinë në të cilën me sa duket “individi është gjithçka”. Padyshim, ka një ligj social universal me sa duket. Sa më e madhe të jetë shoqëria aq më i vogël është individi dhe anasjelltas. Ne jemi duke përjetuar të anasjelltën. Kjo do të thotë se së pari po rregullohen mekanizmat e shoqërisë me humanizëm fals dhe solidaritet të panevojshëm dhe pengues dhe po vijmë në normalitetin e shoqërisë në të cilin suksesi, dështimi, arritjet dhe mangësitë janë fryt i angazhimit personal. Shoqërisë t’ia themi të vërtetat e jetës pa zbukurime humaniste dhe ambalazhe të tepërta të solidaritetit social. Të cilat janë realitete të munguara.


Fati i njeriut është i lidhur me individin dhe individualitetin e tij. Me këtë nuk dua të them se shoqëria është vetëm e njeriut individualisht të suksesshëm. Në jetën që zhvillohet në garë ka të suksesshëm por ka dhe të prapambetur. Në këtë kontekst mbështetja e shtetit me politika sociale shtetërore favorizuese dhe sidomos humanizmi social dhe solidariteti familjar dhe komunitar nuk janë kurrë të tepërt apo të panevojshëm. Por ato mbeten faktorë të përkohshëm komplementarë që nuk e nxjerrin individin nga andrrallat e ekzistencës (në kuptimin material dhe social).


Njerëzit tanë nuk mund të rrinë në ‘pritje të Godosë’ së humanizmit dhe solidaritetit, i cili më shumë se ‘vjen’ duket se po largohet nga jeta e sotme me dimension social të kufizuar. Ridimensionimi i modelit social të shoqërisë shqiptare kërkon që gradualisht t’i mësojmë njerëzit tanë të përshtaten me një model të ri socialiteti dhe sociabiliteti në se nuk duan të jetojnë me iluzio0ne të cilat në jo pak raste bëhen zhgënjime sociale që sjellin dëshpërim individual. Kjo është jeta. Njerëzit duhet të mësohen të jetojnë ndryshe duke ridimensionuar ‘ekuacionin’ e lidhjeve dhe marrëdhënieve personale me ‘veten’, të ‘tjerët’ dhe shoqërinë e cila gjithnjë e me pak do të jetë humane dhe solidare”.


 
A është e madhe fatura financiare për një vend, që të ketë disnivele më të ulëta të pabarazisë. Cili mund të ishte modeli më i mirë, sipas jush, që jeta e fëmijëve të ishte më e mirë?


“Ndërkaq situata kërkon të përgatitemi më mirë me politika të mbështetjes sociale dhe institucionale për njerëzit në nevojë,  për të vetmuarit, të moshuarit e braktisur dhe kategori të tjera sociale të cilët nuk mund të jetojnë si njerëz, nuk mund të garantojnë ekzistencën në kuptimin social pa mbështetjen e shtetit, solidaritetin komunitar dhe sidomos mbështetjen e familjes, e cila mbetet ‘vatra’ e vetme e ngrohtë ku njeriu gjen humanizëm, mbështetje dhe solidaritet që buron nga lidhjet e gjakut, të cilat për fat të mirë shoqërisë shqiptare nuk i janë ‘ftohur’ akoma. Ndërkaq qytetërimi ka gjetur një mekanizëm tjetër që kompenson zbehjen e humanizmit dhe solidaritetit social.


Ky është forcimi i lidhjeve të tërthorta qytetare, mbështetja e njerëzve nëpërmjet lidhjeve të punës, miqësive, grupeve të interesit dhe mënyrave të larmishme të asociacionit qytetar. Ky është “kapitali social” i cili sapo ka filluar të krijohet në shoqërinë tonë. Ai është mjeti që do të mbush boshllëqet e krijuara nga zbehja e humanizmit dhe dobësimi i solidaritetit social në shoqërisë shqiptare. Rrugët e tjera të imagjinuara janë vetëm utopike dhe praktikisht të pamundura në shoqërinë tonë që po bëhet me shpejtësi modern, liberale, individualiste”.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama