Pacienti ne koma komunikon me mjeket pas 12 vjetesh nuk kam dhimbje

Pacienti ne koma komunikon me mjeket pas 12 vjetesh: nuk kam dhimbje
Një kanadez që besohej se qe në gjendje vegjetative për më shumë se një dekade, qe në gjendje t’i thoshte shkencëtarëve se nuk ndjen asnjë dhimbje.  Kjo është hera e parë që një pacient me tru të dëmtuar rëndë, qe në gjendje t’i japë përgjigje të rëndësishme mjekëve që po kujdesen për të. Scott Routley, 39 vjeç, u pyet ndërsa aktiviteti i trurit të tij po skanohej. Mjekët e tij thanë se ky zbulim do të krijojë nevojën për rishkrimin e librave të mjekësisë.

Pacientët vegjetativë dalin nga koma në kushtet kur kanë periudha zgjimi dhe sytë e hapur, por nuk kanë perceptime të vetes apo të botës së jashtme. Routley pësoi dëmtime të rënda në tru në një aksident me makinë 12 vjet më parë. Asnjë nga vlerësimet për të që nga ajo kohë nuk ka treguar vetëdije apo aftësi për të komunikuar. Por neurologu britanik Adrian Owen – i cili udhëhoqi skuadrën e analizës së fundit, tha se Routley dukshëm nuk qe në statusin vegjetativ.

“Scott qe në gjendje të tregojë se ka vetëdije dhe një mendje që mendon. Ne e kemi skanuar atë shumë herë dhe karakteristikat e funksionimit të trurit të tij tregojnë se ai është në gjendje të zgjedhë nëse do t’i përgjigjet apo jo pyetjeve tona. Ne besojmë se ai e di se kush është dhe se ku gjendet.”

Të pyeturit të një pacienti është një gjë shumë e rëndësishme që ka qenë edhe synimi i punës së mjekëve në këtë rast. Mjekët shpresojnë se tani do të arrijnë të komunikojnë më shumë me të dhe do të jenë në gjendje të plotësojnë nevoja të ndryshme të tij si psh çfarë lloj dëfrimi i pëlqen.

Prindërit e të aksidentuarit thanë se ata gjithmonë kanë besuar se ai është i ndërgjegjshëm dhe mund të komunikojë duke ngritur një gisht apo duke lëvizur një sy. Por kjo gjë nuk është pranuar nga stafi mjekësor deri më sot. Analiza e fundit ka përmbysur vlerësimet e kryera përgjatë shumë viteve.

Skaneri Funksional i Rezonancës Manjetike mat aktivitetin në kohë reale të trurit duke ndjekur furnizimin me gjak të pasur me oksigjen. Pacientëve u kërkohet në mënyrë të përsëritur të imagjinojnë sikur po luajnë tenis apo po ecin përreth shtëpisë së vet. Në vitin 2010, profesor Owen publikoi një studim ku tha se gati një në pesë pacientë në status vegjetativ kanë qenë në gjendje të komunikojnë duke përdorur aktivitetin e trurit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama