Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani është kallëzuar penalisht për fshehje pasurie. Nga kontrolli i plotë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, rezulton se Harasani ka fshehur një pasur prej 2.6 milionë dollarë. Andis Harasani në periudhën 2003-2005 ka mbajtur postin e Drejtorit të Korporatës Energjetike Shqiptare, ndërsa për vitet 2005-2012 ka ushtruar detyrën e deputetit. Sipas ILDKPKI-së, ish-deputeti rezulton se ka bërë deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, fshehje të pasurive dhe transfertave bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit.
NJOFTIM PËR SHTYP
Kallëzim penal ndaj subjektit deklarues Andis Harasani
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Andis Harasani, për funksionet Drejtor i KESH (2003-2005) dhe Deputet i Kuvendit të Shqiperisë, për periudhën kohore (2005 – 2012), nga ku rezultuan deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, fshehje të pasurive dhe transfertave bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 2.600.000 USD.
ILDKPKI ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a//2 186 dhe 287 të Kodit Penal, duke i kërkuar Prokurorisë që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe përpara veprave të tjera penale të kryera nga ky subjekt.