Qeveria ka aktualisht një variant në diskutim për taksimin progresiv të të ardhurave personale që synon të ulë taksimin për shqiptarët me pagë nën 90 mijë lekë dhe t’i rrisë për pagat më të larta se kaq. Varianti duhet të merret me rezerva, pasi nuk është përfundimtar dhe as zyrtar. Një variant i mëparshëm synonte një rritje të ndjeshme të pagave për të gjithë, por ai u përgënjeshtrua nga qeveria si i pavërtetë. Fakti është që qeveria është aktualisht në bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe nga këto bisedime do të varet sa e si do të rriten taksat për shqiptarët.
Neutralët
Për afro 242 mijë shqiptarë që kanë pagë mujore më të ulët se 30 mijë lekë, do të mbahet taksimi zero i vendosur nga qeveria paraardhëse në fillim të këtij viti. Për këtë pjesë të shoqërisë, nuk do të ketë as rritje dhe as ulje tatimi mbi të ardhurat personale (TAP), por natyrisht ata do të jenë pagues të rritjes së taksave të tjera.
Përfituesit
Ministria e Financave raporton se aktualisht në Shqipëri janë rreth 160 mijë vetë që kanë paga mes 30 dhe 90 mijë lekë në muaj. Këta janë përfitues të uljes së TAP. Rreth 39 mijë shqiptarë që kanë paga më të ulëta se 40 mijë lekë, pritet të përfitojnë me skemën e re secili mesatarisht 2657 lekë. Rreth 45 mijë shqiptarë me pagë mes 40 dhe 50 mijë lekë do të përfitojnë 2,158 ulje secili. Rreth 36 mijë shqiptarë me pagë deri në 50 mijë lekë do të përfitojnë 1,727 lekë secili ndërsa 20 mijë të tjerë me pagë deri në 60 mijë lekë do të përfitojnë 1192 lekë ulje secili. Për pagat më të larta deri në 90 mijë lekë do të fitohet 2 deri në 6 dollarë ulje.
Humbësit
Rreth 9800 shqiptarë kanë aktualisht pagë të deklaruar në fashën mes 80 dhe 90 mijë lekëve në muaj. Këta do të paguajnë 279 lekë më shumë TAP. Rreth 3700 shqiptarë të tjerë kanë pagë deri në 100 mijë lekë në muaj dhe do të paguajnë 1772 lekë më shumë. Pjesa tjetër e rrogëtarëve me paga më të larta se kaq, gjithsej 16 mijë shqiptarë, do të paguajnë mes 3 mijë dhe 10 mijë lekë TAP më shumë. Më të goditurit pritet të jenë 5 mijë shqiptarë që kanë paga më të larta sesa 200 mijë lekë në muaj. Ata do të paguajnë 35 mijë lekë më shumë TAP. Por ata që kanë pagë mbi 100 mijë lekë do të paguajnë edhe sigurime shoqërore, rreth 3.4 për qind të pagës bruto shtesë, pasi Ministria e Shëndetësisë ka argumentuar se kjo shtresë duhet të kontribuojë më shumë për funksionimin e sektorit të shëndetit publik.
Nga 428 mijë shqiptarë që aktualisht marrin rrogë dhe janë të regjistruar në tatime, 56 për qind nuk do të njohin as rritje e as ulje pagash. Rreth 160 mijë shqiptarë ose 37 për qind, do të përfitojnë nga skema. Rreth 25 mijë vetë ose 6 për qind e të punësuarve do të dalin të humbur.
Skema e Tatimit mbi të Ardhurat Personale nuk prek kurrsesi shumicën dërrmuese të shqiptarëve që janë të papunë, pensionistë, fëmijë apo punonjës në të zezë.