Dy muaj pas vendimit të Rupert Murdoch për të ngritur një “mur” pagesash dhe abonimesh mes lexuesit dhe të përditshmeve britanike “The Times” dhe “The Sunday Times”, duke e shmangur në këtë mënyrë përmbajtjen e gazetave nga sytë e njerëzve që nuk paguajnë, eksperimenti i madh ka filluar që të ketë efekt edhe në mediat e tjera britanike. Ka nga ata që mendojnë se 79-vjeçari me vendimin e tij ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në tregun e shtypit të shkruar, duke u bërë kështu pararendësi i një ndryshimi shumë të rëndësishëm kulturor, që do t’i shpëtojë gazetat nga rruga e sigurt e rrënimit ekonomik. Ndërkohë ka të tjerë, sidomos analistë, biznesmenë, publicistë dhe madje edhe disa gazetarë gazete, të cilët nuk janë dakord me mënyrën se si po shkon ky eksperiment.
Gazeta “The Times” po përballet me një rënie të ndjeshme të “trafikut” të lexuesve. Një numër biznesesh që e kishin zgjedhur për të reklamuar produktet e tyre, janë larguar prej saj. Rob Lyan, një nga shefat e një agjencie shumë të fuqishme publicitare, që ka nën varësinë e saj reklamimin e shumë bankave të fuqishme dhe grupeve ekomomike, thotë se nuk do të vazhdojë më bashkëpunimin me gazetën, sepse nëse lexuesit kanë filluar që ta lenë këtë gazetë, atëherë humbet edhe arsyeja e reklamimit.
Sipas informacioneve që ai i ka marrë nga njerëz të brendshëm të gazetës, trafiku i kërkimeve në sajtin me pagesë të gazetës ka rënë në masën 90%, që me futjen në fuqi të rregullit të pagesës. Ai paralajmëron se gazeta do të vazhdojë që të pësojë një rënie të madhe dhe kjo duhet marrë në konsideratë nga Murdoch. Ndërsa sipas një analisteje të mediave, që është marrë me studimin e fenomenit të vendosjes së pagesës për informacionin online, ideja e Murdoch është duke “e vrarë” gazetën dhe duke e përjashtuar atë nga tregu i madh i të përditshmeve më të klikuara online. Nëse një situatë e tillë do të vazhdojë, më pas rikuperimi do të jetë shumë i vështirë.
Një tjetër aspekt që ndikon në largimin e shumë faktorëve të rëndësishëm që mbajnë në këmbë një gazetë është edhe pamja e uebsajtit të ri të gazetës online. Sipas analistit, ai nuk është aspak një rezultat i punës për të krijuar një sajt të suksesshëm që konkurron në përmbajtje dhe formë me konkurrencën, por një ndryshim i rëndomtë që nuk ka sjellë asnjë rezultat pozitiv.
Biografi i manjatit të medias, Rupert Murdoch, Michael Wolff, është thellësisht i zhgënjyer me atë çka ofron aktualisht sajti i gazetës “The Times”. Sipas tij, është një sajt që të kujton sajtet e vitit 2004 dhe ndërkohë biografi ushqen bindjen se vendosja e “murit” të pagesës nga ana e Murdoch apo edhe entuziazmi tij për formatin e iPad, janë sinjale të një ndryshimi kulturor brenda perandorisë së mediave të Murdoch. Megjithatë ai është i bindur se duke e njohur shumë mirë korporatën e lajmeve, investimi në teknologji ka qenë minimal. Kur “muri” i pagesës u prezantua më 2 korrik me “taksën” 1 paund në ditë për një akses në të dyja botimet e gazetës së përditshme britanike, u spekulua se strategjia ishte hartuar që të fitonte lexues online. Po a është duke funksionuar një gjë e tillë? Sipas disa të dhënave nuk është duke funksionuar dhe kjo kryesisht bazuar në të dhënat e shitjeve, pra fitimeve që tregojnë se “The Times” ka mbajtur me shumë zor tregun e vet të versionit të medias së shtypur. Ajo është përpjekur me shumë vështirësi që të ruajë aksionet e saj në tregun e mediave cilësore në masën 32% dhe kjo vetëm falë rritjes së eksporteve dhe si pasojë edhe shitjeve me rreth 10 mijë kopje në muaj. “News International” deri më tani i ka mbajtur tërësisht të fshehta shifrat në lidhje me ndryshimet që ka sjellë futja e pagesës në sajtet e gazetave. Disa thonë se brenda kompanisë vetëm 4 persona kanë informacionin e duhur në lidhje me shifrat e sakta, ndërsa të tjerët nuk e kanë idenë se ku po shkohet. Ndoshta në fillim të muajit të ardhshëm mund të publikohen disa nga të dhënat.
Edhe sajti i interneti të “News of the World” parashikon ndryshime të dukshme në javët e ardhshme. Gjithsesi, tashmë gazetat që do të duan të vendosin pagesë për versionet e tyre online, duhet të mendohen mirë. Ka disa që janë të mendimit se “News International” është duke ndjekur në fakt një strategji më të sofistikuar nga sa duket. Sipas një specialisti të mediave elektronike, nuk kemi të bëjmë me një lojë shifrash. Sipas tij, “The Times” dhe “The Sunday Times” kanë mundësinë e artë që të ndërtojnë një komunikim personal me klientët të cilët u kanë emrat, adresat e e-mail-eve dhe numrat e kartave të kreditit. Sipas tij, kjo strategji ka më shumë të bëjë me mbledhjen e informacionit të personave, sesa me tentativat për të shtuar numrin e shitjeve të gazetës.
Por gjithsesi armiqësia e bizneseve dhe agjencive të reklamimit ndaj gazetave të Murdoch është e dukshme dhe ka gjasa që të thellohet edhe më. Por ka edhe nga ata që vazhdojnë ta mbrojnë me fanatizëm dhe sipas tyre edhe me argumente, se media në internet duhet që të rrethohet e gjitha nga “mure”, sepse është e drejtë që lexuesit të paguajnë për informim dhe media të përfitojë financiarisht nga shërbimi që ofron. Ky është një tregues edhe i cilësisë së një gazete në një treg mediatik që nuk ofron shumë risi në informacion dhe që ato organe që bëjnë diferencën, duhet të nxjerrin përfitime edhe për shkak të kostos që kanë pasur në grumbullimin dhe paraqitjen e informacionit ekskluziv. Një tjetër specialist i mediave elektronike thotë se nëse ka ndonjë tendencë në media, është ajo e vendosjes së “mureve” të pagesës për publikimet online të gazetave dhe jo anasjelltas, pra heqja e këtyre mureve të pagesës për marrjen e informacioneve.
Në këtë këndvështrim ai u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të industrisë së marketingut dhe reklamave që të gjejnë mënyrën për të bashkëpunuar me mediat që kanë vendosur “mur” dhe këtë ta bëjnë përmes gjetjes së formave të reja të reklamimit, sepse tendenca do të vijë në rritje dhe jo në pakësim dhe një ditë shumë sajte do të jenë të rrethuara nga “muret” e pagesës dhe nuk do të kalohen pa abonim. Por duke iu rikthyer edhe njëherë dështimit paraprak të këtij eksperimenti, fakt është se ka shumë burime që hezitojnë t’ua japin lajmin gazetave të lartpërmendura nga informacionet që kanë për rënien e lexueshmërisë së versioneve të tyre online.
Një tjetër arsye e refuzimit është edhe fakti se informacioni, apo edhe intervista, nuk do të mund të gjendet e lirë në motorin e kërkimit, pra do të ketë një përhapje të kufizuar. Një ish-botues i medias në gazetën “The Times”, i cili aktualisht është drejtues në një media tjetër, thotë se gazetarët e “News International” janë të frustruar nga rënia e ndjeshme e audiencës së tyre. “Nuk ka dyshim që shumë reporterë dhe analistë të gazetës nuk po kalojnë momente shumë pozitive dhe se kanë humbur shumë nga përhapja e zërit të tyre pas vendosjes së barrierës së pagesës. Por gjithsesi kjo gazetë nuk e ka në kulturën e saj hapësirën për një rebelim nga ana e gazetarëve që mund ta bënin një gjë të tillë për të ndryshuar vendimin e menaxherëve të gazetës.
Por biznesi i lajmeve është një biznes i gjatë, që ka ulje-ngritjet e veta dhe sigurisht që në këto kushte dhe nisur nga ky këndvështrim edhe Murdoch ndoshta synon që në rastin e tij do të vlejë shprehja: “I duruari, i fituari”. Por pyetja është: A është lexuesi gjithashtu i fituar?