Pakoja me 1 kg C4 e gozhde e fundit ne planin e terrorit te 10 shkurtit numri i njejte

Pakoja me 1 kg C4 e gozhde, e fundit ne planin e terrorit te 10 shkurtit, numri i njejte

Banorët e pallatit thanë se biçikleta ishte në vendin që e gjeti policia prej dy ditësh

TIRANA NË 48 ORË

Farmacia – Në orën 02:23, të datës 10 shkurt, një person me biçikletë vendos tritol në farmacinë e Bashkim Tahirit, e cila shpërtheu

“Numani” – Rreth orës 03:56 në rrugën “Arben Minga”, në katin e pestë, ku ishte banesa e oficerit Alfred Numani shpërthyen 400 gr tritol

“Vasil Shanto” – Në orën 04:22 mbërritën dy thirrje për pakon te “Vasil Shanto”, ku parkonte makinën Bashkim Tahiri, të cilat nuk shpërthyen

Avokati – Në orët e mbrëmjes të 10 shkurtit, është çaktivizuar lënda plasëse e vendosur në gomën e avokatit Emirjon Mema, 30 vjeç

Biçikleta – Rreth orës 05:00 të ditës së djeshme, pranë “Petro Ninit” gjendet një kg C4, me gozhdë dhe benzinë, e cila u çaktivizua

Një kilogram lëndë plasëse e llojit C4, e modifikuar me gozhdë, sfera dhe benzinë, e cila u gjet dje në në Tiranë, ishte planifikuar të shpërthente mëngjesin e 10 shkurtit. Shpërthimi do të ndodhte pikërisht në ditën kur u vunë tri bombat në Tiranë dhe ishte i fundit nga katër aktet terroriste të planifikuara për atë ditë. Plani do të vihej në jetë në orën 09:00 të mëngjesit të 10 shkurtit, nga i njëjti numër celulari që aktivizoi shpërthimin në farmacinë e babait të Saimir Tahirit dhe që telefonoi drejt pakos 400 gramëshe te “Vasil Shanto”. C4-a u gjet pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe mendohet se ishte lënë që më 10 shkurt. Ajo që e bën më alarmante situatën, është fakti se pakos i ishin shtuar edhe elemente të tjera që do t’i jepnin përmasa tepër tragjike këtij shpërthimi dhe qëllimi ishte përhapja e terrorit në kryeqytet. Nga burimet e grupit hetimor mësohet se pas verifikimeve të të gjithë banorëve të zonës dhe nisur nga vendi ku ishte lënë C4-a, shpërthimi i saj nuk kishte për qëllim dëmtimin e ndonjë personi konkret apo prone të caktuar. Objektivi ishte vdekja apo plagosja e disa qytetarëve, pasi edhe thirrja që kishte ardhur në celular ishte bërë në një orar, në të cilin lëvizin shumë njerëz. Njësia e Antiterrorit, pasi lëvizi biçikletën dhe çaktivizoi bombën, nisi veprimet e para për të gjetur personat që e kanë vendosur pakon. Mësohet se janë gjetur gjurmë gishtërinjsh, është sekuestruar celulari dhe karta SIM.

 

Biçikleta me C4

Sinjali për gjetjen e biçikletës pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” u dha nga banorët e zonës. Ndërkaq, në njoftimin e saj zyrtar, Policia e Shtetit thotë se “më datë 12 shkurt 2015, rreth orës 04:51, në rrugën ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, pallati Nr. 27, në një biçikletë të parkuar, është parandaluar një akt terrorist. Lënda plasëse është gjetur në një qese të mbështjellë me natriban dhe jashtë pakos me një fije teli. Pas marrjes në kohë të informacionit është parandaluar dhe çaktivizuar nga njësia antieksploziv”. Pakoja me lëndën plasëse ishte ngjitur me koshin e biçikletës, ndërsa ishte e lidhur gjithashtu me natriban. Banorë të shumtë të zonës konfirmojnë faktin se biçikleta ishte vendosur aty prej dy ditësh dhe se nuk i përkiste asnjërit nga banorët e zonës. Nga ana tjetër, askush nuk e kishte parë momentin kur biçikleta dhe lënda plasëse ishte lënë aty. Policia ka nisur kërkimet për pronarin e biçikletës dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.

 

Pakoja “speciale”

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit dhe forcat xheniere, nisën nga puna për çaktivizimin e lëndës plasëse. Nga verifikimi paraprak u konstatua se bëhej fjalë për një pako, e cila përmbante një kg lëndë plasëse të llojit C4, e cila ishte mbështjellë nga elemente ndihmuese për shtimin e fuqisë dhe pasojave të shpërthimit. Në pako ndodheshin edhe një celular, një kartë SIM, dy kapsolla dhe dy kilogramë hekur, e përbërë nga gozhdë, vida e sfera metalike, si dhe një shishe 1.5 kilogramëshe, e mbushur me benzinë. Me të ndarë të gjitha elementet përbërëse të pakos, ekspertët nisën edhe verifikimet paraprake për të mundësuar mekanizmin e shpërthimit. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se drejt telefonit të gjetur në pako kishte ardhur një zile celulari, nga i njëjti numër, i cili ishte përdorur për të aktivizuar shpërthimin e 10 shkurtit në farmacinë “Sat-Farma”, në pronësi të Bashkim Tahirit. Nga ana tjetër, i njëjti numër ka telefonuar edhe drejt pakos që u gjet në të njëjtën ditë te “Vasil Shanto”, ku ngjarja u parandalua, pas çaktivizimit nga policia. Ky numër, sipas hetimeve të ngjarjes, rezulton i blerë në Laprakë. Ndërkaq, ende nuk ka të dhëna për kartën SIM që ishte në brendësi të pakos së gjetur dje.

 

Qëllimi

Nisur nga rrethanat dhe vendin ku ishte vendosur pakoja, ekspertët e grupit hetimor i kanë përqendruar të gjitha dyshimet drejt një ngjarjeje, me qëllim lëndimin e sa më shumë personave dhe përhapjen e terrorit në Tiranë. Grupi hetimor gjithashtu ka përcaktuar se në atë zonë nuk banonte ndonjë familjar i ministrit të Brendshëm apo i ndonjë zyrtari tjetër të lartë. Në ato pallate nuk ka të dhëna se banon ndonjë person i rëndësishëm, i cili mund të ishte objektiv i atentatit. Në rast shpërthimi, pasojat sipas ekspertëve, do të ishin fatale për jetën e shumë njerëzve. Biçikleta ishte lënë në një rrugë qorre, në mes të dy pallateve, vetëm pak metra larg shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, me një nga numrat më të lartë të nxënësve në Tiranë dhe fare pranë Gardës së Republikës. Nisur edhe nga orari kur ishte planifikuar të shpërthente C4-a, pra në orën 09:00, në një orar ku qarkullojnë shumë njerëz, përforcohen dyshimet se qëllimi i aktit ishte i pastër terrorist. Një vajzë rreth 20 vjeçe thotë për gazetën se e kishte parë biçikletën prej më shumë se tri ditësh të parkuar aty, ndërsa shumë të tjerë thanë se biçikleta ishte lënë prej dy ditësh. Banorë të tjerë thanë se policia i kishte pyetur se kush ishte pronari i biçikletës dhe kishin kryer kontrolle. Shqetësime të shumta u shfaqën për sigurinë e banorëve të lagjes, pasi, sipas tyre, ajo është një rrugë, në të cilën kalojnë përditë fëmijët për në shkollë.

 


Akuza
Vepra me qëllime terroriste


Prokuroria i ka regjistruar ngjarjet e mëngjesit të 10 shkurtit për veprën penale “vepra me qëllime terroriste”. Në këtë nen parashikohet se kryerja e veprave, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë ose për të detyruar organe shtetërore, shqiptare apo të huaja, të kryejnë a të mos kryejnë një akt të caktuar, ose për të shkatërruar apo destabilizuar në mënyrë serioze, struktura thelbësore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të shtetit shqiptar, të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama