Pakti detar me Greqine Bushati Prokuroria te hetoje firmetaret

Pakti detar me Greqine, Bushati: Prokuroria te hetoje firmetaret

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i bën thirrje kryeprokurorit Adriatik Llalla që të nisë hetimet për skandalin e paktit detar të vitit 2009, të firmosur nga qeveria “Berisha” me palën greke. Thirrja e kryediplomatit shqiptar u bë gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, pasi, siç theksoi ai, veç vendimit për rrëzimin e paktit detar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, grupi i punës, i ngritur nga MPJ-ja, ka konstatuar shumë shkelje gjatë negociatave me palën greke. Bushati theksoi se prokuroria mund të hetojë nëse është shkelur apo jo neni 210 i Kodit Penal, që parashikon dënim me burg nga 5 deri në 10 vjet për “marrëveshjet e bëra me shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territoreve”. “Sa u përket nënshkruesve të marrëveshjes, besoj se kryeprokurori ka dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikën ndërkombëtare që konsiderohet e shkelur nga kjo gjykatë dhe mund t’i referohet Kodit Penal. Sa u përket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin, unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, deklaroi Bushati.

 

Pakti detar me Greqinë u firmos në 2009-n në Tiranë, në praninë e dy kryeministrave Berisha dhe Karamanlis, nga dy kryediplomatët Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha. Opozita e kohës e ankimoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, me pretendimin se vendi humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej saj. Në janar 2010, Gjykata Kushtetuese rrëzoi paktin, duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare. Neni 210 i Kodit Penal, për të cilën u shpreh Bushati lidhet për dorëzimin e territorit. “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të Forcave të Armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim cenimin e integritetit të vendit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Toponimet

Edhe pse ishte ftuar nga opozita për të raportuar për çështjen e toponimeve, pasi shprehu keqardhjen për largimin e deputetëve të opozitës nga salla e komisionit në shenjë proteste ndaj dhunës së përdorur ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimiri, mesditën e së martës, ministri Bushati deklaroi se problemi i toponimeve është drejt zgjidhjes dhe është rënë dakord me palën greke që të finalizohet sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare dhe rregullave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Në bisedimet me palën greke, është lënë në diskutim që çështja mbi emërtesat gjeografike është te standardet e ICAO-s, që është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil ose sipas emërtesave që përdoren nga OKB-ja. Gjithsesi, çdo gjë pritet të përfundojë brenda këtij gjashtëmujori, pasi me miratimin edhe të palës fqinje është vendosur data 1 janar i 2015, si periudhë tolerance për lëvizjen e lirë të qytetarëve në përputhje me praktikën apo moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për këtë kategori personash, edhe në festimet e Pashkëve”, tha Bushati, duke shtuar se kjo çështje është teknike dhe se me detajet është ngarkuar Ministria e Brendshme.

Blushi

Raportimit të ministrit të Jashtëm, nuk i ka shpëtuar as çështja e statusit të vendit kandidat. Deputeti i PS-së, Ben Blushi, duke e lidhur me panoramën e zgjedhjeve europiane, i kërkoi kryediplomatit të dijë mbi rrezikun e mosdhënies së statusit. “Skepticizmi i disa popujve të Europës së bashkuar në zgjedhjet e fundit mund të ketë ndikim në raport me ne. A ka arsye që ky rezultat në zgjedhjet europiane të ketë impakt te ne në qershor”, pyeti Blushi. Kryediplomati u shpreh se presin deri në minutën e fundit për çështjen e statusit. “Duket që do të kemi koalicion të madh në PE. Atë që shohim për një pjesë të vendeve të BE-së, mes konservatorëve dhe kristiandemokratëve. “Se cili do të jetë raporti i vendeve anëtare, kjo u mbetet atyre dhe nuk më takon mua të flas në emër të tyre. Sesa do të ndikojë, ka opinione e qëndrime të ndryshme. Ne do të vijojmë kontaktet deri në minutën e fundit që BE-ja do të marrë këtë vendim”, shtoi Bushati.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama