Palma e Arte mbeti ne France

Filmi me regji të Laurent Cantent është shpallur filmi më i mirë i festivalit në një garë prej 22 filmave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe filmi në të cilin rolin kryesor e luan aktorja kosovare, Arta Dobroshi, "Lorna‘s Silence". Ndonëse e vlerësuar lart nga kritika, Dobroshi është mundur nga braziliania Sandra Corveloni, e cila është shpërblyer me çmimin për aktoren më të mirë për rolin e një nëne shtatzënë, e cila ka katër fëmijë, në filmin e titulluar "Line of Passage". Megjithatë, filmi në të cilin luan aktorja kosovare ka arritur nga ky festival ta shkëpusë një çmim. Regjisorët belgë që kanë sjellë në ekranin e madh rrëfimin e një emigranteje shqiptare që dëshiron të fillojë jetë të re në Belgjikë, vëllezërit Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, dy herë fitues të "Palme d‘Or" kësaj radhe kanë marrë çmimin për skenarin më të mirë të filmit. Përveç Artës, në këtë film luan edhe aktori kosovar, Alban Ukaj.

Filmi "Entre Les Murs" ka për personazhe njerëz nga jeta reale duke përdorur studentë dhe mësues të vërtetë për të dhënë një kronikë të jetës së tyre njëvjeçare. "Kemi dashur të bëjmë një film që është pasqyrim i shoqërisë franceze, një shoqëri shumëfishe, shumëfytyrëshe dhe komplekse", ka thënë regjisori Cantent.

Benicio Del Toro ka fituar shpërblimin e aktorit më të mirë për rolin kryesor në filmin e Steven Soderbergh, "Che". "Dua t‘ia dedikoj këtë shpërblim vetë atij, Che Guevaras", ka thënë ai. Shpërblimin e regjisorit më të mirë e ka fituar regjisori turk, Nuri Bilge Ceylan për filmin "Three Monkeys". Filmi "Hunger", një portretizim i gjashtë javëve të fundit të grevistit të urisë, Bobby Sands, ka marrë shpërblimin "Camera d‘Or", shpërblim për regjisorin debutues më të mirë.

Clint Eastwood dhe Catherine Deneuve kanë fituar shpërblimin për arritje jetësore, ndërsa filmi për mafian italiane, "Gomorrah", i bazuar në romanin e Roberto Saviana, ka fituar shpërblimin "Grand Prix", apo shpërblimin e dytë më të rëndësishëm të festivalit.

Lista e fituesve:


Shpërblimi "Palme d‘Or": "Entre Les Murs" , regjisor Laurent Cantet

Shpërblimi "Grand Prix": "Gomora" me regji të Matteo Garrone

Çmime speciale për arritje jetësore: Catherine Deneuve dhe Clint Eastwood

Regjisori më i mirë: Nuri Bilge Ceylan me filmin "Three Monkeys"

Shpërblimi i jurisë: "Il Divo" nga regjisori Paolo Sorrentino

Aktori më i mirë: Benicio del Toro në filmin "Che"

Aktorja më e mirë: Sandra Corveloni në filmin "Line of Passage"

Skenari më i mirë: "Lorna‘s Silence" nga Jean-Pierre dhe Luc Dardenne

Shpërblimi "Camera d‘Or": "Hunger", me regji të Steve McQueen

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama