Paloka Sulmuesi i Bashes militant. Meta Masa te ashpra ndaj tij

Paloka: Sulmuesi i Bashes, militant. Meta: Masa te ashpra ndaj tij

Incidenti i ndodhur gjatë takimit elektoral të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Ersekë është zhvendosur në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka ka lështuar akuza se, i riu që qëlloi me karrige në drejtim të vendit ku ndodhej lideri i PD-së është militant i Partisë Socialiste.

"Dje një akt i rëndë, i dhunshëm, i paprecedent, veçse në '97 ndodhte, është sulmuar fizikisht kryetari i PD-së", duke ia drejtuar më pas gishtin qeverisë, të cilën e  fajësoi për orkestrimin e këtij skenari. Duke drejtuar akuza të ashpra ndaj maxhorancës, duke thënë se për pushtetin bëjnë gjithçka, edhe përplasje civile, Paloka shtoi se kjo nuk është rruga e duhur për të cilën duhet ecur.

“Personazhi që ka kryer aktin është jo vetëm militant i Partisë Socialiste, por i lidhur në hallka të ndryshme të pushtetit. Pati reagime zyrtare të turpshme pro që tregojnë se kush janë ata që e kanë orkestruar. U tha se ai ka dashur të qëllojë xhaxhin e tij, akte të tilla tregojnë se kjo qeveri, kryetari i kësaj qeverie ka nisur një rrugë që vetëm në drejtimin e duhur nuk është. Me këto akte vënë përballë një realiteti që nuk i pëlqen e dinë që në 21 qershor do të përballen me revoltën qytetarë dhe për këtë arsye po bëjnë çdo përpjekje edhe me dhunë”, u shpreh Paloka.

Ndërsa kryeparlamentari Ilir Meta tha se i bashkohet shqetësimit të Palokës për ngjarjen e ndodhur, si dhe  kërkoi marrjen e masave të ashpra ndaj përgjegjësve të këtij incidenti dhe akteve që cenojnë rregullat e fushatës së ndershme. “Edhe unë do doja të bashkohesha me këtë shqetësim. Nuk dua të vë në diskutim që ka ndodhur një ngjarje e rëndë përderisa është konfirmuar nga partia Demokratike që organizoi mitingun. Besoj se të gjithë jeni dakord që të merren masat më të ashpra ndaj personave përgjegjës dhe çdo akt tjetër që cenon rregullat e një fushate të ndershme dhe që cenon të dëmtojë çdo qytetar aq më tepër kur bëhet fjalë për aktivitete të tilla”, tha kreu i Kuvendit.

Mbrëmjen e djeshme, 27-vjeçari Suel Liço, i cili u arrestua nga policia, hodhi një karrige në momentin që Basha po prezantonte kandidatin demokrat për bashkinë e këtij qyteti Viktor Duron, duke goditur 65-vjeçarin Fuat Mydini, i cili u transportua drejt spitalit.  Liço është nga fshati Taç i Ersekës dhe do të përballet me akuzën ''Plagosje e rëndë me dashje''.

Pas arrestimit të Liços reagoi edhe Arben Malo, kryetari i Bashkisë Kolonjë. “Ngjarja është fryrë politikisht. Objektivi nuk ishte Basha. 27-vjeçari Liço donte të të qëllonte xhaxhain e tij. Kolonja nuk është shquar asnjëherë për ngjarje të dhunshme dhe unë distancohem nga kjo. Përkrah veprimet e policisë dhe i uroj shërim të shpejtë të lënduarit”, tha ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama