Panairi i 14-te i Librit vizitohet nga Presidenti Topi

Panairi i 14-te i Librit vizitohet nga Presidenti Topi
Panairi i 14-të i Librit i cili u çel mbrëmjen e 9 nëntorit në Pallatin e Kongreseve, është vizituar mesditën e 10 nëntorit nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

“Sot është bota e teknologjisë, por më vjen mirë që shoh në këtë panair kaq shumë të rinj dhe fëmijë, dëshmi se lidhja me librin është shumë e fortë”- kështu e ka nisur fjalën e tij presidenti i vendit i cili vijoi duke pohuar se kjo është një ngjarje e shënuar.

“Dua të sjell në vëmendje një fjalë të mençur të një librari në një qytet të Shqipërisë të cilin kur e pyesnin se çfarë bënte në jete, përgjigjej: Unë shes mendjen e botës! Dhe ky panair është shumë i vyer pasi këtu mund të takohemi me kryevepra, shkrimtarë të mëdhenj, autorët tanë të dashur me të cilët jemi rritur”- theksoi presidenti.

Presidenti i vendit, Bamir Topi u ndal në çdo stendë të panairit dhe një ndër librat dhuratë ishte “Kurbani” i Edi Ramës që sapo ka parë dritën e botimit. I pyetur se ç’mendonte ai për politikanët shkrimtarë dhe librat e tyre, Z.Topi u përgjigj: “Kur lexoj, sidomos në momente si këto e konsideroj një moment relaksi dhe përpiqem që t’i qëndroj sa më larg politikës, por mund t’ju them se është kënaqësi t’i kem librat e tyre në bibliotekën time. Madje i falenderoj”. Panairi i 14-të i librit do të qëndrojë i çelur në Pallatin e Kongreseve deri më 13 Nëntor dhe përgjatë këtyre ditëve çdo botues ka menduar për takimet e shkrimtarëve me lexuesit, përpos sjelljes së kryeveprave të letërsisë botërore dhe studimeve.

I cilësuar si manifestimi më i madh i librit në hapësirën shqiptare, Panairi i 14-të i Librit “Tirana 2011” i çeli dyert në Pallatin e Kongreseve me një ceremoni që edhe në simbolikë bashkon trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Kryebashkiaku i Tiranës Basha, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi dhe deputetja shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë Mehmeti çelen këtë edicion të panairit, i cili në çdo edicion ka bërë bashkë botuesit dhe librin shqip që botohet në hapësirën shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama