Me çfarë librash duhet të “ushqehet” ky brez që po rritet? Çfarë autorësh duhet që të lexojnë ata? Por mbi të gjitha çfarë librash do të blejnë lexuesit gjatë ditëve të Panairit të 17-të të Librit? A është shqetësuar kush se ky brez po formohet me libra të përkthyer dhe ultra botime në tredimensional? Këto janë disa nga pyetjet që ngihen edhe në këtë Panair të 17-të të Librit “Tirana 2014”, i cili ngre siparin më datat 12-16 Nëntor 2014 në Pallatin e Kongreseve.
“Ndoshta numri i botimeve të reja nuk do të jetë sa ka qenë gjatë viteve të kaluar, për shkak të tkurrjes që ka pësuar tregu i librit, por kurrsesi lexuesit vendas nuk do t’i mungojë shkrimtari i vitit”, ishte ajo çka u tha, dje gjatë një konference për mediet, nga kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
Rreth 100 shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqipfolëse, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, do të jenë pjesëmarrëse. Aktivitetet kryesore gjatë pesë ditëve të Panairit do t’i dedikohen 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, Jeronim de Rada. Që nga paraqitja grafike, çmimet, takimet me studiues dhe me autorë të ndryshëm, që do të flasin për krijimtarinë letrare, por edhe për punën atdhetare të De Radës etj. Botues të ndryshëm, së bashku me Ymerin prezantuan disa nga përgatitjet e deritanishme rreth Panairit, por ende nuk ka një kalendar konkret të aktiviteteve, që do të prezantojnë veçmas secila shtëpi botuese. Nuk ka asnjë shifër konkrete për botimet e reja, por një gjë është e sigurt se, qiraja që duhet të paguajnë botuesit vazhdon të qëndrojë po njëlloj sa vitet e kaluar, rreth 70 euro m2. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, Ymeri u shpreh se, nuk do të mungojë asnjë shtëpi botuese në Panairin e Librit. Madje Festivali i Panairit të Pranverës, që u bë këtë vit për herë të parë, sipas tij, me cilësinë e diskutueshme që kishte, ka ndikuar më tepër për mirë, në Panairin e Nëntorit, përsa i përket pjesëmarrjes.
“Mund të mungojnë disa botues të vegjël, sepse nuk kishte më hapësirë. Ne nuk kemi mundësinë që të marrim më shumë se dy kate, brenda në Pallatin e Kongreseve. Risi është se sivjet ka edhe më shumë botues nga Kosova dhe se stenda e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, këtë vit është vendosur në qendër të Panairit”.
Botimet e reja për vitin 2014?
Rreth 2866 botime ishin për vitin 2012, 1086 të tillë ishin para një viti, pra 1780 botime më pak. Ndërsa për këtë vit Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nuk e ka ende një raport telegrafik, pasi numri i tyre ndryshon nga viti në vit. “Këtë nuk e dimë ende, duhet që të presim deri sa të shpallen. Zakonisht këto regjistrime i marrim nga Biblioteka Kombëtare, por sivjet kanë një rënie të dukshme botimet e librave të rinj, sikurse kanë edhe shitjet. Madje unë u trishtova para dy ditësh sepse edhe botuesit nga Prishtina më thanë të njëjtën gjë”. Kështu e shpjegon Ymeri, tregun e librit, madje ai e quan të dëmtuar. “Ky fenomen është më shumë se shqiptar, është një fenomen edhe evropian, por jo në këto përmasa që është te ne. Te ne ka një rënie më tepër se 40 për qind dhe këtë e dinë të gjithë botuesit. Megjithatë ne mundohemi që të ulim çmime dhe të bëjmë fushata promovimi”.
Cilësia e Panairit
Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuese edhe këtë vit, janë bërë përpjekjet maksimale për cilësinë e Panairit, nga të gjitha shtëpitë botuese. “Botuesit janë të interesuar që të prezantohen sa më bukur dhe nuk duan që t’ju mungojë asgjë”, tha Ymeri
Uljet që presupozohet të bëhen për librin gjatë Panairit
Kjo varet nga politika që ka secila shtëpi botuese. Sipas Ymerit, dikush mund të bëjë ulje rreth 20 për qind, dikush tjetër pesë për qind, por mund të ketë edhe të tjerë botues, që nuk bëjnë ulje fare. “Ne si organizator nuk bëjmë dot ulje. Ndërsa nga pikëpamja morale çmimet duhet që të vendosen për të tërhequr lexuesin, sepse sa më shumë ulje që të ketë, aq më interesant do të jetë edhe aktiviteti. Kjo është praktika që ndiqet”. Ndërsa më tej Ymeri shton se, çmimi i stendave është ai që ka qenë, nis nga 70 euro deri në 80 euro m2. As qiraja e Pallatit të Kongreseve nuk ka ndryshuar, Shoqata e Botuesve paguan për të rreth 80 milionë lekë të vjetra.
Mbështetja e Ministrisë së Kulturës
Diskutimi i mbështetjes së Panairit të Librit nga Ministria e Kulturës, është i vjetër. Madje edhe gjatë viteve të kaluar, kur Ministria e Turizmit Kulturës dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës), e qeverisë së mëparshme në pushtet mbështeste Panairin me një fond të caktuar, botuesit asnjëherë nuk përfitonin asnjë ulje për stendat. Ndërsa këtë vit, mesa duket Ministria e Kulturës, ka vendosur që mos kontribuojë me fonde konkrete.
“Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjë mbështetje, asnjë qindarkë. Këto çështje i di Ministria e Kulturës, që me arsyet që ka dhënë, mbetet një justifikim qesharak fakti i mosmbështetjes së Panairit. Por tashmë kjo është një histori që ne e kemi harruar dhe e kemi lënë pas krahëve”.
Mbështetja e Bashkisë së Tiranës
Edhe Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë mbështetje për Panairin e 17-të të Librit. “As nga pushteti qendror, as nga pushteti lokal nuk kemi patur asnjë mbështetje. Kemi bërë kërkesë dhe kemi dorëzuar projektet që duhen në Ministrinë e Kulturës, por edhe në Bashkinë e Tiranës, në kohën e duhur. Çdo gjë e kemi dorëzuar me të gjitha rregullat zyrtare, por nuk kemi asnjë lloj mbështetje. Dua të them se institucionet nuk duan që t’ia dinë farë për këtë histori”.
Juria e ngritur mund të shqyrtojë edhe një libër kuzhine
Juria e ngritur për vlerësimin e librit gjatë Panairit të 17-të prej kohësh ka nisur me shqyrtimin e botimeve. Emrat nga të cilët përbëhet kjo juri janë: Virgjil Muçi, Nasi Lera, Persida Asllani, Beti Njuma dhe Alfred Lela. Por çështja është çfarë tekstesh do të shqyrtojnë ata? A do të ketë letërsi, që do të përcaktojë Autorin e Vitit? Kjo ishte një nga pyetjet që gazetarët i drejtuan kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymerit.
A do të ketë ngjarje për autorin e librit?
Çdo libër është ngjarje për autorin që e sjell, për shtëpinë botuese që e boton, pra të tilla ngjarje do të ketë plotë. Ngjarja për ne, është çmimi i madh për De Radën. Pastaj të gjithë librat e rinj përbëjnë ngjarje, sepse jo rastësisht ata paraqiten në ditët e Panairit të Librit, siç janë: Preç Zogaj, Blendi Fevziu etj. Apo fakti se për herë të parë Shqipëria ka fituar çmimin “Europian të letërsisë”, me Ben Blushin dhe do të riprezantohet me “Hëna e Shqipërisë” etj. Libra nga autorë të njohur janë të mirëpritur. Unë mendoj se kjo gjë i bën mirë Panairit. Është e kot dhe nuk besoj se askush mund ta fsheh këtë fakt, sepse secila shtëpi botuese është për këtë qëllim. Për ne kryesorja është që të plotësojmë dëshirat e lexuesit.
Letërsi a do të ketë këtë vit?
Unë nuk jam kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, por organizator bashkë me kolegët e mi në Panairin e Librit. Ne organizojmë mundësit për të qenë aty, por në këtë rast nuk mundet që të flas unë për letërsi. Do të ketë botime për De Radën, prezantime të reja, si ai i Edmond Tupes, Albatros Rexhajt, Mira Meksit, Arben Dedjas etj. Autorë shqiptarë ka pafund këtë vit. Shoqata Botuese i stimulon nëpërmjet një çmimi, që është për Autorin e Vitit. Pastaj nëse është letërsi artistike, një libër për ekonominë, informatikën, kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që do të jenë autorë shqiptarë. Ka prurje shumë të mira të autorëve që konkurrojnë për këtë çmim, ashtu sikurse konkurrojnë përkthyesit për të marrë çmimin e “Përkthimit më të mirë”. Ne i stimulojnë këto prurje, por nuk jemi ne ata që bëjmë letërsi.
Asnjëri nga anëtarët e jurisë nuk janë specialistë kuzhine, të gjithë janë specialistë të librit. Ata bëjnë një punë tejet të pavarur nga ne. Ne kemi një informacion tejet normal, dimë se kemi përcaktuar një juri profesionale dhe se ata mblidhen rregullisht.
Të gjithë librat do të shqyrtohen, edhe librat e kuzhinës?
Edhe një libër kuzhine mund të shqyrtohet, pasi juria e ngritur shqyrton të gjithë librat që paraqesin botuesit. Edhe nëse është libër kuzhine, i ndjerë, do të vlerësohet, por ne nuk kemi asnjë specialist kuzhine në juri.
Panairi i 17-të i Librit
Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014” zhvillohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Për herë të parë është realizuar në vitin 1998. Sipas organizatorëve, ky Panair ka treguar tashmë se është aktiviteti më i madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij.
“Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore, që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare si në: Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi dhe diasporë. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2013, nëntor 2014”.
Qëllimi është që ky Panair të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e medies etj., duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit nga masat e gjera, veçanërisht nga të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.
Në Panairin e 17-të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase dhe të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera kulturore që punojnë me librin. “Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave dhe institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje, kaq të rëndësishme për vendin tonë, një karakter ndërkombëtar. Ky Panair do të shndërrohet në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën”, shprehen organizatorët.
Do të dominojnë botimet e politikanëve apo të shkrimtarëve?
Para katër vjetësh ndodhi fenomeni, që dominuan libra që ishin nga politikanë si: zoti Rama, Blushi, Ngjela etj. Për mua, çdo libër është i gëzueshëm kur vjen në Panairin e Librit dhe mendoj se, edhe për kolegët është e njëjta gjë. Disa nga botuesit u shqetësuan, sepse tërhiqnin më shumë vëmendjen. Por ky fakt, për ne nuk përbën asnjë shqetësim, sepse ai lexues që vjen për librin e Frano Kullit, mund të blejë edhe librin e Jani Malos. Ai që vjen për librin e Ben Kondit, mund të blejë edhe të Genti Gjonit etj.