Panairi i Librit zgjerohet hapesira nje kat me shume

Panairi i Librit: zgjerohet hapesira nje kat me shume
Mbi 100 botues nga treva të ndryshme shqiptare dhe të huaja ekspozojnë botimet e tyre në Panairin e 15-të të Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë në datat 14-18 nëntor. Nga rreth 60 mijë botime dhe 1500 janë të rinj. Ky është raporti telegrafik i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, raport që ndryshon ndonjëherë. Përveç ekspozimit të librit me qëllim shitjen, njoftohet se do të ketë rreth 60 promovime librash.

Autorë e studiues arbëreshë, Francesco Altimari, Matteo Mandal e Carmine Abate, duket se janë të ftuarit kryesorë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri e justifikon mungesën e të ftuarve specialë dhe autorëve të mëdhenj me faktin se Shqipëria nuk ka treg për tirazhet e veprave të tyre. I vetmi autor i shquar në këto 15 vite që ka ardhur në vendin tonë, është, sipas Petrit Ymerit, Ernesto Sabato. Risi e këtij edicioni është zgjerimi i hapësirës ekspozuese me një kat më shumë në Pallatin të Kongreseve, në më shumë se 2000 m2. Ymeri thotë se do të marrin pjesë të gjitha institucionet të cilat lidhen me historinë e shtetit shqiptar: Parlamenti, Biblioteka, Arkivi Qendror i Shtetit, Posta Shqiptare, Instituti i Historisë etj.

“Panairi i librit nuk është vetëm një librari e madhe, por një tempull kulturës shqiptare”, thotë Ymeri. Si gjithnjë, vijnë në Tiranë botues nga Kosova e Maqedonia, Ambasadat e institutet e kulturës kanë pjesën e tyre. Kryetari Ymeri ankohet për mungesën e sponsorëve, veçanërisht për Ministrinë e Kulturës që nuk ka dhënë “asnjë qindarkë”. Kur pyetet se sa janë shpenzimet që do t’i atribuohen këtij panairi Ymeri thotë se ky hesap nuk është mbyllur ende. Në përfundim të këtij panairi ndahen çmimet për “Librin më të mirë”, “Përkthimin më të mirë”, “Librin më të mirë për fëmijë”, “Librin më të mirë studimor” dhe “Stendën më të mirë grafike”. Anëtarët e jurisë janë: Dhurata Shehri, Fatos Baxhaku, Mirela Kumbaro, Parid Teferiçi dhe Arta Marku.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama