Tashmë një panair tradicional, që nisi të organizohej qëkurse Mali i Zi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ky aktivitet i librit shqip cilësohet si një faktor që ndihmon në integrimin e kulturës shqiptare në tërësi në Ulqin, një qytet bregdetar i Republikës së Malit të Zi, i banuar nga 40 mijë banorë, shumica shqiptarë, po ku jetojnë edhe malazezë, boshnjakë dhe romë.
Ministrja e Shkencës dhe Teknologjisë së Malit të Zi, Sonja Vllehoviç; zv/ministrja e Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku; dhe ministri i Kulturës i Kosovës, Memli Krasniqi ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit dhe deklaruan mbështetjen e tyre për këtë panair dhe pjesëmarrjen e shtëpive botuese. Ky panair tradicionalisht zhvillohet gjatë sezonit turistik, ku shënohet edhe pjesëmarrja më e madhe e vizitorëve të këtij panairi, që janë pushues që mbipopullojnë qytetin e vogël bregdetar buzë Adriatikut. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, aktiviteti që do të zhvillohet përgjatë gjithë javës në vazhdim në qytetin buzë Adriatikut të lashtë, çel njëherazi dhe veprimtaritë me librin që më pas vijojnë me panairet e tjera të librit që zhvillohen në disa qytete të jugut të Shqipërisë. Përgjatë shëtitores së plazhit të vogël, ku tradicionalisht ngrihen stendat e panairit veror, janë ekspozuar rreth 5000 tituj libra, tituj të rinj të të gjitha gjinive. Nuk mungojnë në këtë edicion librat e autorëve më të mirë shqiptarë: Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Diana Çuli, Zija Çela, Flutura Açka, Viktor Canosinaj etj.; dhe të huaj, si Paulo Coelho, L. Gauillant, Musso, Ugo Ricarelli, Alberto Bevilacqua, Raffaele Nigro, Orhan Pamuk, N. Sparks etj.
Nga Shqipëria marrin pjesë disa shtëpi botuese, që nga Onufri, Toena, Skanderbegbooks, Ombra GVG, Dudaj etj. etj. Ky është viti i 11-të që organizohet ky aktivitet i librit, i cili që kur u iniciua nga Shoqëria e Librit Shqip, si iniciatore dhe promotore e këtij Panairi, me mbështetjen e komunës së Ulqinit dhe qeverisë së Malit të Zi, duket se fshiu njëherazi edhe barrierat kulturore që kishin ekzistuar më parë mes dy vendeve fqinjë. Ndërkohë që të ftuar gjatë javës së panairit do të jenë shumë shkrimtarë, poetë dhe akademikë. Si i ftuar i veçantë nga fusha e kulturës do të jetë studiuesi Bajram Kosumi, ish- kryeministër i Kosovës, për veprën e të cilit do të organizohet një mbrëmje e veçantë.