Panairi i papune i punes

Panairi i papune i punes
Nëse vërtet kërkoni një vend pune, më mirë mos e bëni këtë në panair. Në fakt panairi u mbyll dhe s’keni se si, por në rast se ju ka rënë rruga, me siguri duhet të keni dalë po aq të zhgënjyer sa ne që nuk po kërkonim një vend pune. Emrat e kompanive në fakt ishin joshës, madje edhe stendat ishin po aq joshëse, ashtu siç ishin edhe vajzat që të prisnin në to, por përtej kësaj vendet e punës mungonin.

Hiq nja tri kompani call centeri (ato që i gjen thuajse në çdo faqe online dhe që ofrojnë të njëjtën punë të mërzitshme dhe të keqpaguar) dhe nja dy banka apo ndonjë emër tjetër që kishin diçka për të ofruar, të gjithë të tjerët të drejtonin në faqen e internetit ku do gjeje hapësirën për të aplikuar dhe sigurisht do përballeshe: “Për momentin nuk ka asnjë vend të lirë pune”. Formularë dhe CV sidoqoftë mund të lëshoje gjithandej.

Që në hyrje, zyra shtetërore e punësimit të jepte një shans të mbushje letra dhe “të presësh”, ndërkohë që më tutje super stendat e kompanive më të mëdha në vend, edhe pse janë plot fletushka thuajse nuk kanë asnjë mbi vendet e mundshme të punës. Sipas ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, në panair do të lidheshin rreth 1200 kontrata punësimi, por ne nuk dëshmuam në asnjë ngjarje të tillë fatlume.

Nga njëra anë, në një vend me papunësi zyrtare mbi 12 për qind apo thuajse 50 % e ndoshta më shumë sa ç’pretendon opozita, njerëzit mund të jenë dyndur dhe vendet të kenë fluturuar në dy ditët e para, duke mos lënë asgjë në ditën e tretë kur ne shkuam. Ajo që na bëri përshtypje sidoqoftë, ishte vaktësia e vizitave. Shumë pak. Salloni i madh që në ditë panairesh gëlon dhe ku e ke të vështirë të kalosh, kishte vetëm pak dhjetëra vizitorë të interesuar që përgjithësisht largoheshin pas dy apo tri fjalëve në secilën stendë. Këto ama ishin bukur të rregulluara.

Fletushkat mbi njëra-tjetrën sidoqoftë tentonin t’u shisnin të papunëve kryesisht produkteve dhe jo të jepnin punë. Kishte fletë për kredi (jo për të papunët), për depozita, fletë për transferta të leverdishme parash (mund t’i bëni pasi të keni gjetur punë) apo kurse dhe trajnime. Një djali që kishte përfunduar studimet në administrim, i ofruan tri kurse të tjera të mundshme. Vajza që kishin studiuar Juridik, mund të përfitonin kurse për rrobaqepësi. (Edhe pse duhet thënë që agjencia publike e formimit profesional ofronte çmime mjaft të leverdishme edhe për kurse gjuhësh të huaja e mjaft të tjera). Për t’i rënë shkurt, nja dy orë pasi kishim shëtitur dhe folur me mjaft njerëz, kuptuam se kishte shumë pak punë në panairin e punës. krastakrau.blogspot.com

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama