TIRANË, 19 Tetor / ATSH / - Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka zhvilluar sot një takim me peshkatarët te Porti i Ri në Durrës.
Gjatë këtij takimi, ministri Panariti, përpos të tjerash i siguroi peshkatarët për mbështetjen e qeverisë përsa i përket plotësimit të kërkesave të tyre dhe për të siguruar kushte të favorshme të punës në një nga sektorët me potenciale e më të mëdhenj për zhvillimin e ekonomisë.
Peshkimi i formalizuar lehtëson aksesin e peshkatarëve te subvencionet shtetërore dhe në projektet evropiane të dedikuara këtij sektori.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Investitorëve në Sektorin e Peshkimit, Helidon Rruga, i ka prezantuar ministrit kërkesat e peshkatarëve. Njëra prej tyre eshte ajo e uljes së barrës fiskale për peshkatarët, për subvencionimin e naftës, e cila përbën 40% të kostos finale, apo kërkesa për ndërtimin e kantierëve për riparimin e anijeve të peshkimit, dhe për mbështetjen me politika lehtësuese shtetërore dhe me grante nga projektet ndërkombëtare.
Gjatë këtij takimi, midis ministrit dhe peshkatarëve u fol edhe për funksionalitetin e portit të ri në dobi të anijeve të peshkimit.
/k.m/ /a.ke/