Takikardi, marrje mendsh, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, djersitje, të dridhura, konfuzion dhe humbje e kontaktit me realitetin. Këto janë disa prej shenjave të panikut, patologji që po përhapet gjithnjë e më shumë. Shumë persona vuajnë nga këto shqetësime, të cilat shfaqen papritur gjatë situatave më të papërshtatshme, kur je në kinema, supermarket, rrugë etj. Por për çfarë bëhet fjalë saktësisht dhe cili është shkaku i këtij problemi psikologjik që sa vjen e rritet? Për ta kuptuar më në thelb situatën, një psikoterapeute shpjegon mekanizmat nxitës të panikut.
Doktoreshë, kush vuan më shumë nga krizat e panikut?
Kjo është një patologji që prek kryesisht femrat. Arsyet kryesore janë dy: gratë janë mësuar t’i tregojnë gjithnjë shqetësimet e tyre, ndryshe nga burrat, të cilët në përgjithësi e kanë më të vështirë të flasin për veten dhe frikat e tyre. Përveç kësaj, gratë moderne janë më të ngarkuara dhe të stresuara. Duhet të bëjnë shumë punë në të njëjtën kohë. E gjithë kjo shkakton stres që mund të shfaqet edhe përmes krizave të panikut.
Cilat janë situatat ose mjediset më të predispozuara për kriza paniku?
Ato që përcaktojnë perceptimin e humbjes së kontrollit, siç është aeroplani. Kjo është një situatë ku subjekti është plotësisht në duart e dikujt tjetër, të cilit duhet t’i besojë medoemos. Ose për shembull në radhët e gjata në autostradë, ku ndjesia e parë është paniku, sepse nuk ka një rrugë tjetër për të shpëtuar, apo në ashensor, sallë kinemaje, mjediset e perceptuara klaustrofobike.
Por cila është arsyeja kryesore që shkakton krizat e panikut?
Krizat e panikut janë shenja të problemeve të brendshme, janë shfaqje të një të keqeje të thellë, shpesh edhe të një vuajtje të madhe që lidhet me humbjen e një personi të dashur, problemet në punë ose, vështirësitë e shumta, të cilat u shfaqen të gjithë njerëzve gjatë procesit të rritjes.
A ka faktorë të jashtëm që ndikojnë në nxitjen e krizave të panikut?
Po, në përgjithësi janë të gjitha ngjarjet traumatike, por edhe ndjenja e pasigurisë që karakterizon këtë moment historik që nxit ankth dhe panik. Është ndjenja që nuk di se çfarë do të ndodhë nesër, për shkak të krizës ekonomike, të problemeve të mëdha që po përjeton tregu i punës, pasiguria, destabiliteti, elemente që janë të pranishme te secili prej nesh. Natyrisht që as organizata shoqërore e bazuar te një egocentrizëm dominant nuk na ndihmon. Narcizismi dhe mungesa e solidaritetit kërcënojnë vazhdimisht mirëqenien tonë.
Ç’duhet bërë gjatë momenteve që shfaqen krizat e panikut?
Gjëja e parë që duhet të bëni është të merrni frymë ngadalë dhe thellë, duke i mbushur mushkëritë me ajër dhe duke hapur diafragmën, me mendjen e ngulitur vetëm te frymëmarrja. Më pas përpiquni të mendoni diçka të bukur dhe pozitive, duke e bindur veten se nuk do të ndodhë asgjë e keqe. Në qoftë se e ushqeni ankthin me mendime të llojit: “Jam duke vdekur”, të jeni të bindur se është mënyra më e mirë për të pasur kriza paniku. Nëse gjendeni në situata mbytëse dhe nuk keni mendësi ajrosjeje, atëherë dilni menjëherë jashtë në mjedis të hapur, ose kur jeni në makinë hapni pak xhamin e dritares.
A mund të shërohesh nga krizat e panikut?
Po, por për t’ia dalë mbanë duhet të kërkoni ndihmë pa ju ardhur turp. Kur vuani nga krizat e panikut nuk do të thotë se jeni i dobët, i paaftë ose pak i zgjuar. Por nuk është as çështje vullneti ose force. Krizat e panikut duhen kuruar përmes një psikoterapie të përshtatshme, ose përmes metodës që përdor lëvizjet e syrit dhe forma të tjera të nxitjes ritmike majtas/djathtas për të trajtuar çrregullimet e lidhura drejtpërdrejt me përvojat e kaluara dhe vështirësitë e tanishme. Në qoftë se 6-8 muaj mund të jenë të mjaftueshëm për të kuruar simptomat, 2 ose 3 vjet janë të domosdoshme për të shkatërruar bazën e problemit.