Paolo Coehlo dhe ideja per t’i falur veprat e tij

Paolo Coehlo dhe ideja per t’i falur veprat e tij
E gjithë industria botuese që është transformuar tërësisht nga hyrja e botës dixhitale mund të mësojë diçka nga Paolo Coehlo, braziliani i famshëm për librat e tij, 64-vjeçari që ka bërë për vete botën me mesazhet që ka përçuar. Disa vite më parë, ai bëri një revolucion të vërtetë duke piratuar librat e vet e duke i lançuar online pa pagesë për t’i përcjellë sa më mirë te të gjithë lexuesit që nuk kishin mundësi që t’i blinin ato. Kështu, veprat e tij bestseller ishin lehtësisht të gjetshme. Në këtë përpjekje të tij, ai përdori argumentin se idetë duhet që të përçohen falas dhe lirshëm. Së fundi, ai ka provokuar një tjetër debat duke lançuar një tjetër ide atë që autorët mund të mbërrijnë te lexuesi dhe mund të ndërtojnë audiencën e tyre përmes përçimit të veprës dhe ideve përmes medias sociale. Ai madje ka iniciuar debate dhe biseda në lidhje me mënyrën e përçimit të ideve të një vepre te lexuesit që në momentin kur ajo ndodhet në procesin e saj krijues.

Kjo filozofi e ka ndihmuar që të shesë miliona kopje të librave të tij, ndër më të famshmit prej tyre mund të përmendim “Alkimistin” një roman alegorik, i cili ka qenë bestseller i “New York Times” për 145 javë rresht dhe është një nga librat më të shitur të të gjitha kohërave. Këtë javë, Coehlo ka lançuar romanin e tij të ri “Aleph”, një libër që rrëfen historinë e epifanisë së tij në një udhëtim që ndërmerret përmes Azisë në vitin 2006 me hekurudhën transiberiane. “Aleph” është germa e parë e alfabetit hebraik që ka shumë domethënie mistike. Ndërkohë që Coehlo kaloi katër vjet në grumbullimin e materialit për librin, ai e shkroi atë brenda një periudhe prej 4 javësh.

Përhapja e fjalës për librin e ri është e lehtë. Kjo sepse veç të tjerash, Coehlo është edhe një përdorues shumë i mirë i “Twitter” duke shkruar shpesh mesazhe në anglisht dhe në portugalisht, gjuhën e tij të lindjes. Ai ka në “Twitter” 2.4 milionë miq dhe i ka bërë të gjithë me emrin e tij dhe me mesazhet që hedh online herë pas here si mesazhin e fundit i cili thotë: “Kur këmbët e tua janë të lodhura, atëherë ec me zemër”. Në vitin 2010, “Forbes” e cilësoi atë si person më me shumë ndikim në “Twitter” përveç Justin Bieber.

Coehlo vazhdon që të japë pa pagesë punën dhe veprat e tij në internet duke u kërkuar lexuesve që vetëm nëse do ta pëlqejnë librin e tij në versionin falas dhe online, pra vetëm nëse do ta konsiderojnë atë një vlerë mund ta blejnë. Në të kundërt jo. Në këtë mënyrë, Coehlo dëshiron që t’u përçojë botuesve një mesazh, atë që nëse do të nxirrnin në internet pjesë të ndryshme të një vepre para se ta nxirrnin një libër në librari do të kishin veçse mirë, sepse do ta afeksiononin lexuesin dhe do ta nxisnin shumë më tepër se në rastin kur i ofrojnë një libër për të cilin nuk dihet asgjë. Nga shtëpia e rij në Gjenevë të Zvicrës, Coehlo na flet për librin e tij të ri, ndjenjat e lidhjes së fortë dhe të pashpjegueshme gati magjike me të madhin e letrave latine, Jorge Luis Borges, dhe kohën e lirë që e kalon në pjesën më të madhe në komunikimin me fansat e tij në “Facebook” dhe “Twitter”. Ja intervista me të madhin Coehlo.

Protagonisti i romanit tuaj të ri “Aleph” duket shumë i njohur për të gjithë ata që i kanë lexuar dhe ndjekur veprat tuaja në kohë: ai është një shkrimtar i mirë dhe i shitur që ndërmerr udhëtime nëpër botë duke qenë se i ka pasion dhe njëherazi është në kërkim të gjurmëve të shpirtit të tij. Sa autobiografik është ky libër i fundit?

Ky libër është njëqind për qind autobiografik. Të gjitha përvojat për të cilat flas në këtë libër janë përvoja të miat personale që i kam kaluar gjatë udhëtimeve të mia shpirtërore dhe gjeografike nëpër botë dhe përmes njohjes së njerëzve. Por sigurisht që kam shumë mbresa të miat personale dhe në një libër doja vetëm që të nxirrja një përmbledhje të tyre për të përcjellë mbi të gjitha edhe një mesazh. Por në fakt, edhe vetë librin e  shoh si një udhëtim më vete dhe jo si një roman, por gati-gati si një studim të shpirtit dhe përvojave njerëzore.

Titulli i librit është huazuar nga “Aleph”, sipas një libri me tregime të shkurtra të Borgesit. A jeni ndikuar prej tij?

Ai është ikona ime dhe shkrimtari më i mirë i një brezi të tërë. Por nuk jam ndikuar prej tij, por nga ideja e Aleph si koncept. Në traditën klasike të librave shpirtërorë Borges e përmbledh shumë mirë idenë se si gjërat nga të ndryshme që janë shndërrohen në fund në një gjë të vetme, unike.

Kur vendosët që të bëheshit shkrimtar?

M’u deshën 40 vjet që të shkruaja librin tim të parë. Kur kam qenë fëmijë më nxisnin që të shkoja në shkollë, por nuk më kanë nxitur që të ndjek karrierën e shkrimtarit, sepse prindërit e mi mendonin se do të vuaja urie me një profesion të tillë. Ata mendonin se askush nuk mund të nxjerrë para dhe të jetojë nga botimi i librave në një vend si Brazili. Ata në fakt, nuk e kishin gabim në këtë jetë, por gjithsesi unë kisha një nevojë shumë të madhe për t’u shprehur përmes librave.

Libri juaj më i famshëm “Alkimisti” është shitur me 65 milionë kopje në të gjithë botën. A vazhdon që t’u befasojë edhe sot suksesi i këtij libri?

Është e çuditshme që të shpjegosh një fenomen të tillë. Mund të kesh 10 mijë shpjegime për një sukses, por është shumë e vështirë që të shpjegosh një sukses.

Ju keni pasur sukses edhe në shpërndarjen e librave tuaj pa pagesë. Ju jeni i famshëm për postimin në internet të versioneve pirate të librave tuaj online, një mënyrë shumë e çuditshme për një autor librash?

Kur pashë versionin e parë pirat të librave të mi mendova se përse të mos vazhdoja unë punën e tyre, pra të mos i shpërndaja edhe vetë online ato? Ka një moment të vështirë, megjithatë në Rusi kur ata nuk kishin letër mjaftueshëm. Atëherë unë vendosa që të nxirrja kopjen e parë online dhe më pas pashë se kisha shitur në këtë vend 10 mijë kopje ndërsa vitin e dytë shkova në 100 mijë kopje. Kështu thashë se kjo gjë funksiononte. Më pas nisa që të nxirrja libra të tjerë online duke ditur që nëse njerëzit do t’i lexonin ato pak nga pak dhe pjesërisht ndoshta do të ishin më kuriozë dhe më të nxitur për të blerë të gjithë librin. Sot shitjet e mia gjithnjë e në rritje e tregojnë mjaft mirë suksesin e në metode të tillë. Kështu që një ditë të bukur në një konferencë vendosa që ta bëja publike një metodë të tillë.

A kishit frikë se mos me anë të kësaj mënyre do të acaronit botuesin tuaj?

Sigurisht që ekzistonte një problem i tillë, por ishte tepër vonë tashmë. Kur u ktheva në vendin tim të parën telefonatë që mora ishte nga botuesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që më tha: Kemi një problem të madh”. Unë e takova dhe botuesi më tha që meqenëse unë kisha bërë një veprim në mënyrë jozyrtare, pra kisha nxjerrë online librat e mi, le ta bëja që sot e mbrapa zyrtarisht.

Dhe sot ju jeni një nga shkrimtarët më të njohur dhe më të famshëm online? A mos vallë keni zhvilluar ndonjë lloj varësie në këtë drejtim?

Po, dhe e pranoj një gjë të tillë. Unë futem në komunikim në mëngjes dhe në darkë. Për të shkruar 12 orë në ditë të duhet shumë vullnet dhe më në fund vjen një moment kur e ndien veten të lodhur dhe duhet që të pushosh. Për mua kjo është thjesht relaks.

Duket se keni një mënyrë të ndryshme nga ajo e shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj të kohës sonë që shkruajnë të mbyllur për javë të tëra pa komunikuar me të tjerët?

Le t’i kthehemi origjinës së të shkruarit. Në të shkuarën burrat dhe gratë që shkruanin konsideroheshin si personalitete të mbyllura në një kullë të fildishtë dhe askush nuk mund t’i prekte. Unë mendoj se ajo kulla e fildishtë nuk ekziston më. Nëse lexuesit nuk i pëlqen diçka tek unë më pëlqen që të ma thotë dhe të jem në kontakt me të. Nuk më pëlqen izolimi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama