Paolo Seganti Drejtesi per shqiptaret

Paolo Seganti: Drejtësi për shqiptarët

Veçse është edhe i zoti. Për shqiptarët është i njohur nga disa serialë televizivë, si “Bija e Elizës”, “Ultimo”, “Stinët e zemrës”, edhe pse ka realizuar role edhe më të rëndësishëm se kaq. Dy ditë më parë, pa shumë bujë, erdhi në Shqipëri. Vizitoi Tiranën, por edhe Shkodrën. Po shkruan një libër dhe një skenar filmi për një shqiptar. E quajnë Nikolin Gjeloshi, një shkodran, që vite më parë la në formë klandestine Shqipërinë, për të gjetur ëndrrën në brigjet përballë.

Sot është konsulent teknik në një firmë italiane dhe i pari sipërmarrës në rajonin e Toskanës. Për Segantin, ky është imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe jo ai që ofrojnë televizionet. Në një intervistë për “Shekullin”, Seganti tregon jetën e tij si aktor e shkrimtar, mes Italisë e Amerikës, ku jeton prej 23 vjetësh.

Një aktor i njohur italian, i shoqëruar nga një biznesmen shqiptar, që vjen pa bujë në Shqipëri. Mund ta dimë arsyen e vizitës?

Po shkruaj një libër mbi Nikolin Gjeloshin. Doja të shihja vendlindjen e tij dhe të takoja shqipëruesin, Fadil Kraja. Them se do të kthehem sërish, për të parë të tjera vende, mes të cilave edhe Vlorën. Përveçse aktroj, unë edhe shkruaj. Kam në duar disa skenare filmash, si edhe një roman, që del së shpejti “Arrati nga Hungaria”.

Flet pak për komunizmin. Kur isha i vogël, 6 vjeç, im atë, u burgos për 9 muaj në Hungari. U akuzua padrejtësisht se kishte ndihmuar të largoheshin prej Hungarisë, politikanë. Kjo nuk ishte e vërtetë… Kur takova Nikolinin më bëri përshtypje theksi i tij, i përshtatshëm për të bërë rolin e një hungarezi, mik i tim eti. Ia dhashë atij skenarin, me të cilin dua të realizoj një serial televiziv dhe aty nisi kjo lidhje. Më tregoi diçka për jetën e vet, që është e ngjashme me atë të shumë shqiptarëve të tjerë, që kanë lënë vendin. Mu duk interesante dhe kërkova të dija më shumë. Menjëherë mendova realizimin e një serie televizive. Sa herë kthehem në Itali, shkruajmë bashkë këtë skenar. Dhe ja ku jemi…

Ç’ju ngacmoi më tepër në këtë histori shqiptare?

Sa herë që vija në Itali, e vetmja gjë që dëgjoja për shqiptarët, përmes televizionit, ishin vrasje, klandestinë, burgje… Në mënyrë të pandërgjegjshme, në kokën time, shqiptar do të thoshte rrezik. Kur takova Nikon dhe familjen e tij, pashë që ishin njerëz të mrekullueshëm. Ndryshova perceptimin tim për Shqipërinë dhe jam këtu.

Në njëfarë mënyre po e shkruaj këtë libër sepse dua që të vendoset “drejtësia”. Sepse jam i sigurtë që shumica e shqiptarëve janë si ai, si edhe italianët, që duan të punojnë, të jetojnë në paqe. Madje janë shumë të dashur. Nuk i bëj homazh Nikos, sepse është miku im, por historisë interesante, madje tepër televizive. Duke treguar këtë histori u vij në ndihmë shqiptarëve, por edhe italianëve, të cilët mund të shohin anën tjetër të medaljes. Emigracioni, nuk është vetëm një problem juaji.
Nuk është e drejtë që italianët të tremben nga shqiptarët. Jo se të gjithë italianët mendojnë kështu. (Kur Nikolini erdhi në Itali, u “adoptua” nga një familje siçiliane, që e duan si të ishte fëmija i tyre). Por unë, duke ardhur nga Amerika, duke parë herë-herë televizionin, kisha këtë perceptim për shqiptarët. Pra e bëj për arsye artistike, sepse më pëlqen historia, por edhe sepse jam i sigurtë, që do t’iu bëjë shumë mirë shqiptarëve. Nuk dua të tregohem si samaritani i mirë, por them se kështu është e drejtë.

Ju vetë jeni larguar fare i ri nga Italia, pse zgjodhët Amerikën për të jetuar?

Pak ditë më parë vdiq Paul Neëman. Më iku ngjyra e fytyrës kur e dëgjova, sepse, ai është njeriu prej të cilit vendosa të bëhem aktor, kur isha i vogël. Aktori më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë. Ka shumë aktorë të mirë, por kompleksiteti i veprave të tij është i një niveli shumë të lartë. E veç të tjerash ishte edhe një njeri shumë i mirë dhe merrej shumë me bamirësi.

Gjithsesi… U nisa për në Amerikë, sepse u rrita me filmat amerikanë dhe mendoja se kinemaja e vërtetë bëhet atje. E nisa si boksier. Nuk dija gjuhën angleze dhe më duhet të jetoja. Përmes boksit i rashë në sy një fotografi, që bënte publicitet për firma mode të rëndësishme. Nga disa foto të realizuara gjatë ndeshjes nisi rruga ime me modën e më pas me filmin.

Çfarë ka mbetur nga boksieri?

Hunda e thyer dhe nofulla që më lëviz kur ha! Duke lënë mënjanë shakanë, nga boksi më ka mbetur disiplina, të punuarit shumë, duke mos marrë asgjë lehtë. Boksi nuk lejon justifikime. Në një sport tjetër, nëse nuk stërvitesh humb, dhe kaq, në boks ha edhe një të rrahur të mirë. Kështu që kërkon përqendrim dhe shumë punë. Pra boksi më ka mësuar disiplinën e punës.

Filmi juaj i parë mban regjinë e Woody Allen, një hap i mbarë, apo jo…?

Ishte bukur të punoje me të. Për 5 javë punova me Giulia Roberts, Tim Roth, në Venecia, që unë asokohe, edhe pse italian, nuk e kisha parë akoma. Falë Allen-it m’u “hapën” dyert e Hollywood-it. Mjaftonte që agjenti im të përmendte faktin që kisha luajtur një film me të dhe të gjithë të hapnin derën. Nuk është se merrja rolet për këtë, por më jepej mundësia të bëja audicione të rëndësishme me “Warner Bross”, “Paramount”, “Universal”.

Në Shqipëri ju njohin prej disa serialeve televizive, por më së shumti prej “Bijës së Elizës”, ç’do të thotë të kthehesh pas në kohë?

Kam bërë disa filma të epokës. Më pëlqen periudha e Rilindjes, filmat me kostume, sidomos kuajt, me të cilët jam rritur. Shumë njerëz bëjnë aktorin, sepse duan që të jenë të njohur, të takojnë gra të bukura, të bëjnë para…Por mua më pëlqen më së shumti të luaj jetën e një tjetri. E konsideroj veten monoton, të mërzitshëm, sepse studioj, punoj, stërvitem, shkruaj, nuk dal, nuk shkoj në festa…

Kështu që, kur më takon të luaj një rol që është ndryshe nga unë, aq më tepër, në një tjetër epokë, zhytem në të. Për Rivombrozën, studiova epokën, bëmë shumë prova të detajuara, u morëm shumë me veshjet, me tranzicionin e modës që ishte aso kohe, mes asaj pariziene dhe së resë. Punova shumë me shpatën, ndërsa me kuajt gjithçka ishte e zgjidhur. Ishte një kohë e mirë, kam luajtur me aktorë të zotë, me regjiorin kemi të tjera projekte. Jo gjithçka që doli nga ai film më pëlqeu, por ishin 8 muaj pune interesante.

Çfarë duhet për të ndërtuar një karakter?

Për të realizuar një karakter, duhet patjetër të bësh “detyrat e shtëpisë”. Edhe roli është si një instrument, ku gjithçka varet nga zëri, trupi, mënyra se si lëvizim, nga ndjeshmëria. Në film duhet të shfrytëzosh eksperiencat që ke jetuar, për të tjera situata, me të cilat nuk je përballur. Nuk mjafton që të mësosh përmendësh batutat e të interpretosh. Qëllimi i aktorit është të jetë sa më i vërtetë, duke mos qenë i vërtetë. Është një jetë e tërë e brendshme dhe e jashtme, që të bën të besosh. Më pëlqejnë më shumë rolet e karakterit. Më pëlqen të jem dikush tjetër, jo vetvetja, sepse me veten jetoj çdo ditë. Ç’mërzi!!

Madje, nuk bëj personazhe të ngjashme dhe në çdo herë më duhet të shëndoshem, të dobësohem… Madje them se më dalin më mirë rolet negative, pasi mendoj se janë më interesantë. Të bësh të mirin, është e mërzitshme. Heronjtë përgjithësisht janë të bukur, të mirë, të sjellshëm me të gjithë, ndërsa “negativët” kanë një histori, janë keqtrajtuar që fëmijë, nuk kanë pasur prindër.. dhe për ta është një lloj sfide. Në një farë mënyre është e justifikueshme ajo që bëjnë.

Por Martino Ristori është një “i mirë” apo jo?

Po, është e vërtetë. Por doja që të fusja pak “perversitet” edhe tek Martino Ristori. Të ndihej pak ideja që ai ishte i dashuruar me të motrën, Anjezën. Pra jo vetëm rivaliteti mes Andrea Van Nekerit, por dyzimi i tij. Martinon do ta përkufizoja “dua, por nuk mundem”. Donte kushërirën, por kishte frikë. Kur ajo afrohej, ai largohej. Pastaj ishte kjo lloj dashurie mbrojtëse obsesive për Anjezën, sepse ai kishte marrë përsipër të kujdesesj për të, kur vdiqën prindërit. Por e donte më shumë se një motër. Besoj se kjo e bënte rolin më interesant. Në të kundërt, personazhi nuk do ishte asgjë, do ishte thjesht vëllai, djali i Kontit Ristori dhe kaq.

Të jesh i (e) bukur, sa të ndihmon të bësh karrierë në kinematografi?

Kur isha më i ri, nuk isha një djalë i shëmtuar dhe të gjithë më thoshin se kjo më ndihmonte shumë, por nuk mjafton. Bukuria mund të të çojë deri në një pikë, por më tej… Megjithatë ka edhe shumë vajza të bukura, që bëjnë aktoren dhe janë për t’u mëshiruar (sigurisht që ka edhe shumë të zonjat), madje tek femrat, bukuria vlen më shumë se talenti. Them se luan një rol prej 70%, sepse duke qenë i (e) bukur, njerëzit investojnë për ty, të japin mundësira. Kështu që në fillimet e mija më ka ndihmuar ky fakt, por do të doja të kujtohem më së shumti si një aktor i mirë.

Përse nisët të shkruanit, nuk ju mjaftonte aktrimi për të thënë gjëra?

Nisa të shkruaja pikërisht historinë e prindërve të mi, “Fuga dall’Ungheria”, sepse doja të bëja një serial televiziv, për këtë grua heroinë që mbeti vetëm në shtëpi me 4 fëmijë, madje pesë se në atë kohë ishte shtatzënë. Iu desh që për 9 muaj, mes dyshimesh, të kujdesej e vetme për fëmijët e saj. Nga ana tjetër, është historia e tim eti, 9 muajt e jetës së tij në Budapest, torturat psikologjike që i bëheshin, arrestimet e vazhdueshme.

Janë dy histori paralele, që ndodhin njëkohësisht, por që mbyllen në një pikë. Doja ta shkruaja këtë histori, jo sepse janë prindërit e mi, por sepse ka shumë për të thënë. Ndaj nisa të shkruaja, por jo një libër. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund të bëhesha shkrimtar. Regjistroja biseda dhe dëshmi të prindërve të mi dhe i lidha bashkë. Them se ia kam arritur të sjell të folurën karakteristike të tim eti, disi bukovskian, me “parolace” dhe sjelljen tepër të mbyllur, të ndrojtur, femërore të nënës sime.

Dhe stilet e të shkruarit janë të ndryshme. Kur shkrova 400 faqe të romanit dhe ua tregova miqvetë mi, më thanë që duhet ta publikoja. Tashmë më pëlqen të shkruaj edhe pse nuk jam shkrimtar. Jam vrojtues i mirë, dëgjoj, shoh mënyrën e të sjellurit të njerëzve, gjë që më ndihmon si në rastin e të shkruarit dhe të aktorit.

Shumë angazhime, aktroni, shkruani, bëni edhe regji.., keni ndonjë moment të lirë?

Nuk ka asnjë moment të lirë. Edhe ato dy ditë të lira që kisha, ai (Nikolini) më mori e më solli këtu. Jo, jo, bëj shaka, duhet të vija patjetër në Shqipëri. Jeta ime mbeti avionëve. E them shpesh që jam i lodhur, por duhet të bëhem shumë i pasur, për të pasur një avion privat dhe ndoshta atëherë do të jem më pak i lodhur. Por deri atëherë jeta ime do të jetë makinë-aeroport.

Amerika dhe Italia, kanë të tjera ritme jete, si ambientoheni?

Në Amerikë, në punën time nuk ka ndonjë ritëm të shfrenuar. Por kur realizon 2-3 filma njëkohësisht, atëherë situata është e tmerrshme. Kur xhiroja “Ultimon”, punoja edhe tek “Një çaj me Musolinin” me regji të Zefirelit dhe po të shohësh me vëmendje kam të njëjtën prerje flokësh e mustaqesh. Ditën e ndaja mes dy sheshxhirimesh. Gjithçka zhvillohej mes Toskanës dhe Romës. Më dukej se po çmendesha, por isha në Itali.

Ndërsa gjatë “Stinët e zemrës” xhiroja dhe në Francë. Imagjinoni nga njëri avion në tjetrin dhe regjisorët nuk donin t’ia dinin për këtë. Të donin në sheshxhirim.Por përveç këtyre situatave, bëj një jetë të qetë. Amerikanët janë më të dhënë pas biznesit, parave. Ata kanë shpikur edhe “fast food-et”, pasi nuk ka kohë. Nuk bëj këtë jetë, nuk shkoj në zyrë, por jeta e një akori është si një garë, sepse duhet të tregosh gjithnjë se kush je.

Nuk mjafton ajo që ke bërë më parë, duhet të bësh audicione, të interpretosh rolin… Je gjithnjë në konkurrim. Nuk ka një moment qetësie. Duhet të lexosh, të studiosh, të shkosh në kinema e në teatër, jo sepse të pëlqen, por sepse duhet të mësosh. Je në zbulim të vazhdueshëm.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama