Paolo Tramezani Keto jane ngjashmerite mes Hysajt dhe Lahm

Paolo Tramezani: Këto janë ngjashmëritë mes Hysajt dhe Lahm

Ndërsa në mediat zvicerane emri i tij përmendet si një kandidat i mundshëm për pankinën e Luganos, Paolo Tramezani duket shumë i fokusuar te kombëtarja shqiptare e futbollit ku luan një rol thelbësor përkrah trajnerit De Biazi. Zëvendëstrajneri i kuqezinjve, në një intervistë për "Radio Kiss Kiss Napoli", ka folur për eksperiencën e deritanishme në Europian, duke u fokusuar sidomos te paraqitja e Elseid Hysajt, një prej lojtarëve që po shkëlqen më shumë.

13442278_10154105163212110_8423043055636046819_n

"E dinim që ky djalosh kishte cilësi të rëndësishme, jo vetëm futbollistike, por edhe nga pikëpamja karakteriale dhe përulësia. Po përfiton gjithnjë e më shumë eksperiencë në nivel ndërkombëtar, është një djalosh inteligjent që i kupton limitet që ka. Ai është një djalë që ka mundësi të mëdha përmirësimi për t'u bërë një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në qarkullim.

A i ngjan Lahm? Sigurisht, është një krahasim që mund të qëndrojë. Ngjasojnë edhe nga pikëpamja karakteriale, janë dy lojtarë që nuk bëjnë asnjëherë ndërhyrje të rënda dhe janë gjithmonë korrekt", tha Tramezani.

Ai mendon se Europiani është hapi i parë i kombëtares shqiptare të futbollit, e cila tashmë ka si objektiv të paraqitet sa më mirë edhe në kualifikueset e Botërorit edhe pse ka një grup shumë të vështirë.

"Për De Biazin ka pasur shumë interesim nga Federata Italiane e Futbollit. Ne vijmë nga një realitet ku kemi bërë shumë sakrifica, ky Europian ishte një hap i rëndësishëm. Por tani objektivi ynë është Botërori", theksoi ai.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama