Papa ne Bosnje u con myslimaneve mesazhin e paqes

Papa ne Bosnje, u con myslimaneve mesazhin e paqes

Papa Françesku do të vizitojë sot Sarajevën, 20 vjet pas përfundimit të luftës, për të përcjellë në Bosnjë me shumicë myslimane mesazhin universal të paqes.

Kjo është vizita e tretë e një Pape në vend, që kur Bosnja u nda nga Jugosllavia dhe u përfshi në luftën që mori 100 mijë jetë njerëzish.

Në prill të vitit 1997, teksa vizitoi Sarajevën e shkatërruar më pak se dy vjet pas përfundimit të luftës, Papa Gjon Pali II i bëri thirrje për falje dhe pajtim, por 18 vite më vonë Bosnja mbetet peng e konflikteve të trashëguara, e ndarë politikisht dhe etnikisht dhe duke u zvarritur në rrugën e integrimit europian.

“Vij tek ju si vëlla dhe me një mesazh paqeje, për të shprehur, e theksoj të gjithë respektin dhe miqësinë time për ju”, u shpreh Bergolio në një video mesazh gjatë kësaj jave.

Ati i Shenjtë viziton Bosnjën vetëm pak kohë pasi Bashkimi Europian ka vënë një veprim një marrëveshje të vonuar gjatë në lidhje me përforcimin e marrëdhënieve me Bosnjen, një hap i parë drejt anëtarësimit të mundshëm.

Ky veprim është pjesë e një nisme të re perëndimore për të inkurajuar ndryshime politike dhe ekonomike, por edhe gjithashtu për të ulur ndikimin negativ që vjen nga varfëria në vend, papunësia e korrupsioni, të cilat çuan vendin në trazira të dhunshme në shkurt të 2014.

Vendi përballet gjithashtu me presionin e republikave autonome serbe, të cilat kërcënojnë shkëputjen nga Bosnja, inkurajuar edhe nga aleati serb Rusia. Disa kroatë katolikë, gjithashtu, kërkojnë njësinë e tyre si të serbëve ortodoksë.

Por në video mesazh, Papa Françesku u bëri thirrje katolikëve të qëndrojnë krah për krah me bashkëqytetarët e tyre.

“Po vij mes jush me ndihmën e Zotit për të forcuar besimin katolik, për të mbështetur dialogun ndër-fetar dhe mbi të gjitha për të nxitur bashkëjetesën paqësore në vendin tuaj”, shprehet Bergolio.

Katolikët, shumica e tyre kroat etnik, përbëjnë rreth 15 për qind të popullsisë prej 3.8 milionë banorësh në Bosnje, e cila është goditur nga një valë e madhe emigrimi jashtë vendit gjatë dhe pas luftës.

Kroatët kanë ndarë pushtetin me boshnjakët myslimanë në Federatën e Bosnjës, rajon tjetër autonom i vendit krijuar në bazë të një marrëveshje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërmjetësuar në negociatat e qeverisë me grupet e ndryshme etnike.

Marrëveshja e BE-së hyri në fuqi më 1 qershor dhe në kthim politikanët kanë miratuar një angazhim për të ndjekur reformat ekonomike për të mirën e popullit të tyre të varfër dhe të integrimit europian të vendit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama