Slovan Bratislava, nën drejtimin e qipriotit Niki Papavasiliou, të martën do të përballet me Partizanin në stadiumin "Elbasan Arena". Në një intervistë për mediat sllovake, trajneri Papavasiliou ka pohuar se ka kujtime të këndshme nga stadiumi i Elbasanit, pasi në vitin 1989 ka luajtur me OFI Kretë për Kupën Ballkanike.
Trajneri e shikon të vështirë takimin e parë, duke e vlerësuar Partizanin, si dhe ka folur për 3 lojtarët e ekipit që vijojnë me Sllovakinë dhe Hungarinë në Kampionatin Europian. Nëse Sllovakia dhe Hungaria eliminohen sot, trajneri pret që tre lojtarët t'i bashkohen ekipit në Shqipëri.
Shorti ka vendosur që Slovan Bratislava për herë të parë të luajë ndaj një ekipi shqiptar. Çfarë prisni nga ndeshjet kundër "FK Partizani"?
Kemi grumbulluar tashmë shumë informacion rreth kundërshtarit tonë. E dimë që është një nga skuadrat më të forta të kampionatit shqiptar. Kanë tifozë fanatikë, si dhe luajnë një futboll të mirë. I kam paralajmëruar lojtarët që të kenë kujdes, kryesisht në takimin e parë, që do të jetë shumë i vështirë. Sigurisht, unë kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë kundërshtar.
Të dielën tre futbollistë të ekipit presin përballjet me kombëtaret në Europian. A ka shanse që Jan Muça, Kornel Salata dhe Tamas Priskin të jenë të gatshëm për Slovanin në ndeshjen e së martës në Shqipëri?
Ka mundësi, por ne i kemi bërë llogaritë pa ata. Nëse Sllovakia dhe Hungaria dështojnë të dielën, lojtarët mund t'i bashkohen ekipit në Shqipëri. Por ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë ecurie do të kenë takimet e tyre në Francë. Ne jemi të përgatitur pa ata, por nëse vijnë për këtë ndeshje, atëherë kjo do të jetë bonus për ne.
Jan Muça dhe Kornel Salata janë pjesë e ëndrrës së bukur sllovake, pasi kanë kaluar në 1/8 e Europianit, ndërsa Hungaria me Tamas Priskin doli kokë grupi. A jeni i kënaqur që lojtarë të Slovanit marrin pjesë në këtë aktivitet, ndonëse duhet të përballeni me mungesat e tri shtyllave të ekipit gjatë fazës përgatitore?
Ekzistojnë dy ndjenja. Para së gjithash, jam shumë i lumtur për lojtarët e mi që po përjetojnë një përvojë mahnitëse në Kampionatin Europian. E kam parë paraqitjen e Tamas Priskin me Hungarinë, ndërsa Jan Muça dhe Kornel Salata ende nuk kanë pasur mundësi për të luajtur në këtë aktivitet, gjithsesi për ata është mirë që ndodhen aty. Nga ana tjetër, përgatitja e ekipit do të ishte ndryshe po të kisha edhe këta lojtarë të mëdhenj në dispozicion. Gjithsesi, ne e njohim njëri-tjetrin dhe pas kthimit të tyre do të bëhen pjesë e plotë e ekipit. Nuk e mohoj se jam vetëm i kënaqur për ata dhe sa më shpejt të jetë e mundur të vihen në urdhrat e mia.
Le të kthehemi te ndeshja e së martës në Shqipëri. A keni qenë më parë në këtë vend si lojtar apo trajner?
Si lojtar kam luajtur në stadiumin e Elbasanit në vitin 1989 me OFI Kretë. Kjo ndeshje ishte për e Kupën e Ballkanit, në të cilën merrnin pjesë shumë ekipe nga rajoni. Ne barazuam në atë takim në shifrat 1-1 dhe në fund kaluam në finale, të cilën e fituam. Pra, kam kujtime të këndshme nga Shqipëria si lojtar dhe do të jem i kënaqur edhe tani nëse e përsëris atë sukses duke fituar si trajner.