Papavrami feston me sonatat e plota te Bahut ditelindjen e 43-te

Papavrami feston me sonatat e plota te Bahut ditelindjen e 43-te

Tedi Papavrami pas 32 vitesh feston ditëlindjen e tij në Shqipëri me një koncert. Për herë të parë ai interpretoi për publikun ciklin e plotë të sonatave të Bahut për violinë, që luhet rrallë edhe në botë. Koncerti u hap nga Ajola Xoxe, redaktore e librit autobiografik të violinistit. Xoxa falenderoi për mbështetjen Universitetin Europian të Tiranës dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Dje ishte një ndër rastet e rralla që salla binte në heshtje të plotë dhe shijonte interpretimin virtuoz të Tedi Papavramit. Skenografia ku ishin përzgjedhur kryeveprat botërore të Rilindjes, të sjella përmes efekteve speciale shkriheshin në notat e Bahut. Koncerti u hap me Sonatën I, tipike e muzikës për organo të kishave, siç e shpjegon vetë violinisti, dhe paraqiste një truall fetar që mund të quhet si i trashëguar. Muzika e çoi publikun në suitat franceze dhe në jetën e oborreve mbretërore franceze. Sonata II e ndërtuar në katër kohë me një fugë në mes, shprehte një intensitet dhe pështjellim pasionesh. Sonata III, ashtu siç dhe “premtonte” Tedi Papavrami, një optimizëm dhe distancë e re pushtoi publikun, e përtejme, mbinjerëzore.


Publiku nuk i kurseu duartrokitjet për violinistin që me guxim në vitet e diktaturës zgjodhi të jetonte vetëm për violinën e tij. Ndoshta Papavrami e ka ndjerë mbrëmë te duartrokitjet e publikut se gjithë sakrifica e tij ia ka vlejtur. Në fund të koncertit, që u duk se përfundoi shpejt pa plotësuar dot dëshirën e publikut, një Hapyy Birthday në kor kumboi në sallë. Tedi Papavrami festoi me publikun në sallë ditëlindjen e tij të 43-të. I emocionuar, ai mbeti pa fjalë për disa minuta dhe vetëm përkulej në shenjë respekti ndaj një publiku që gjithmonë e mirëpret dhe i jep ngrohtësi. Në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, përveç emocioneve të një mbrëmjeje të jashtëzakonshme, publiku mori me vete dhe librin autobiografik “Fugë për violinë”, botuar nga UET-Press.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama