Tedi Papavrami sjell në një libër autobiografik jetën e tij. Ikjen nga Shqipëria kur ishte vetëm 11 vjeç, dhe sagën e vuajtjeve të pjesës tjetër të familjes në burgjet dhe internimet e komunizmit. Ky libër është një thirrje për kujtesë me zërin e një artisti që kërkon t’i flasë kohës
“Mbërritja ishte shumë e vështirë dhe brutale. E ndjeva veten shumë keq, diçka e ftohtë e stërmadhe, një udhëtim pa përgatitje në një botë shumë më moderne, pastaj nuk më linte të qetë edhe ndjenja e përgjegjësisë. Në atë kohë ndieja se fati më kishte përkëdhelur, nuk e dëgjoja shumë veten, por vetëm tani e kuptoj që shkëputja nga fëmijëria dhe jetesa në Shqipëri ishte shumë brutale”. Tedi Papavrami gjen këto fjalë për të shpjeguar mbërritjen e tij për herë të parë në Francë me sytë e një djaloshi që ende nuk kishte kaluar fëmijërinë. Kujton mallin që e mori menjëherë për prindërit, dhe tingujt e violinës që gjithnjë e çonin në Shqipërinë që kishte lënë pas. Ndoshta ishin këto momente dhe çaste të tjera më pas që e çuan violinistin e famshëm drejt shkrimit. “Shkrimi është vepër vetmie”, thotë ai, ndërsa mundohet të gjejë shenjat që e çuan drejt një bote tjetër po aq magjepsëse sa violina. Në fillim nisi të përkthejë veprat e shkrimtarit Ismail Kadare në frëngjisht, pas ndarjes nga jeta të Jusuf Vrionit më 2002-shin.
Nuk e ndjeu aspak të vështirë të zëvendësonte një mjeshtër të gjuhës shqipe si Vrioni, dukej sikur përkthimi kishte qenë gjithnjë aty pranë tij dhe duhej të vinte momenti që të dilte jashtë për ta zbuluar. Kështu ndodhi teksa një mbrëmje u kthye në shtëpinë e tij, dhe vendosi të hidhte në një libër jetën e tij, për të nxjerrë nga kujtesa të gjitha kujtimet e jetës së një artisti jo të zakontë. Në fakt ky çast kishte kohë që endej në mendjen e artistit, sa herë që me miq e kolegë i duhej të rrëfente për Shqipërinë, për historinë e rritjes së tij në një vend të izoluar të Ballkanit. Një letër e dajës së tij, për vuajtjet e panumërta e shtyu më shumë drejt shkrimit. Drejtori i përgjithshëm i “Robert Laffont”, shtëpisë botuese që botoi librin, ishte miku i tij, një pianist amator, i cili shpesh i thoshte se duhet të shkruante një libër, ku të përfshihej jeta politike dhe regjimi i Enver Hoxhës. Ai donte që të vinte theksin në aspektin didaktik të muzikës, dhe të shkurtonte kujtimet për Shqipërinë, por Papavrami nuk donte një libër që t’u drejtohej vetëm violinistëve.
Me gjuhën e vendit që i hapi dyert e karrierës dhe që i fali aq shumë frymëzime e duartrokitje, Tedi Papavrami shkroi librin me kujtime “Arratisje për një violinë solo”, i cili sapo ka dalë në treg në Francë nga shtëpia botuese “Robert Laffont”. Libri rrëfen sagën e familjes Papavrami, ikjen e tij nga Shqipëria drejt Konservatorit të Parisit me një bursë teksa ishte vetëm 11 vjeç, vendimin për të qëndruar përfundimisht atje dhe pasojat e familjes. Një rrëfim biografik tepër emocionues për një lexues të huaj, që i duken këto ngjarje sikur vijnë nga një tjetër kohë. Libri sjell dëshmi mbi fatin e pjesës tjetër të familjes Papavrami, pas vendimit të artistit dhe prindërve që të mos ktheheshin më në Shqipëri. Burgjet, internimet, puna e detyruar në minierë janë përshkruar në faqet e kësaj biografie. “Ndiej admirim për kurajën me të cilën kanë jetuar gjëra kaq të vështira, si dhe mirënjohje për faktin që janë munduar të mos më vënë peshë dhe faj si shkaktari i tyre, duke mos më folur për këtë periudhë të hidhur”, thotë Papavrami.
Më shumë se vuajtja e një familjeje ky libër është një lloj kujtese për atë çfarë ka ndodhur në Shqipërinë komuniste. Libri duket sikur ecën në një rrugëtim që të çon të zbulosh fuqinë e vetmisë. Vetë titulli i tij, sipas Papavramit, është një aluzion për ikjen. “Vetmia është aspekti më i vështirë i këtij zanati. Je në dhomë me partiturën dhe asaj duhet t’i japësh jetë, ta perfeksionosh, ndërsa qëllimi është ta zotërosh për një a dy vjet. Dhe një gjë e tillë mbetet e vështirë, prandaj është më e këndshme të jesh në kurs me të tjerë. Aty je i detyruar në rast se do të arrish nivelet e larta. Një punë e tillë vetmitare nuk zëvendësohet me asgjë. Të bësh muzikë dhome është e mrekullueshme, por puna e duhur te Bah është kohë, punë dhe vetmi. Nuk ka shpëtim”, shprehet ai. Në kujtimet e tij nuk kanë si të mungojnë dhe të gjithë ata që e ndihmuan drejt karrierës.
Arthur Grumiaux, Jascha Heifetz, Nathan Milstein, Zino Francescatti, janë ende referencat e tij. “Edhe pse nuk bëj pjesë në çdo gjë që bën Heifetz, rrugëtimi i tyre personal është i rëndësishëm për mua, përtej preferencave stilistike, edhe pse muzikantë të tjerë janë më të respektueshëm. Grumiaux mund të jetë më pranë respektimit të tekstit dhe kontaktit me instrumentin, me një përulje ekstreme. Si një Lipatti, por violina lë më shumë shenjë se pianoja. Si për zërin e njeriut, mund të dallojmë një violinist në një regjistrim, edhe pse nuk e kemi dëgjuar kurrë”, thotë Papavrami. Për të jeta është një shenjë kalimi, ashtu siç ndodh me të, nga Shqipëria në Ganë, nga partiturat tek interpretimi, nga muzikanti te përkthyesi dhe tani te shkrimtari. “Mes muzikës dhe përkthimit ka goxha ndarje. Njerëzit që më njohin si përkthyes e injorojnë faktin që jam muzikant, dhe e anasjelltas. Gazetarët që e dinin se përktheja Kadarenë dhe që nuk e pëlqenin atë që bëja, gjenin material për kritika, “po, por është tepër intelektual”.
Në rastin tim kishte një tjetër paragjykim që lidhej me kërkesat e mia teknike. Ka një problem në Francë me përshtypjen se artistët gjeni nuk i luajnë të gjitha notat, si p.sh. Samson François, ndërsa atyre që kanë një teknikë rigoroze u mungon domosdoshmërish ekspresiviteti”, thotë Papavrami. Libri pritet të përkthehet në gjuhën shqipe për t’u botuar më pas në vendin tonë. Për Papavramin, ky rrëfim i ngjan një lloj çlirimi, pasi ka mundur të tregojë të vërtetën e tij. Pas këtij rrëfimi, ai ndien se nuk është penduar që i është kushtuar violinës me gjithë vështirësitë dhe presionin që profesioni i tij ka. Ai e di se tashmë është një njeri i njohur, në mos nëpër botë, Shqipëria e tij e do dhe e vlerëson.
“Fama ime në botën e muzikës klasike është relative. Shqipëria është vend i vogël dhe ku individë si unë janë të njohur edhe nga njerëz që nuk dëgjojnë muzikë klasike. Në Francë ose në vende të tjera, si shumica e kolegëve të mi, jashtë botës së kësaj muzike ne jemi po aq anonimë sa çdo njeri”, thotë violinisti, i cili, megjithatë, e kujton mjaft mirë çastin kur e njohën për herë të parë. “E ndjeva veten të njohur kur isha 12 vjeç. Ndodhesha në Shqipëri gjatë pushimeve, në një fshat të Shkodrës. Më ishte shpuar goma e biçikletës dhe ai që e riparoi më tha se e dinte kush isha. Por ndjesia e të qenët i famshëm nuk më shoqëron, për fat të mirë, ndryshe do të ishte qesharake”. a.b.