Papavrami vjen me nje koncert recital ne Tirane

Papavrami vjen me nje koncert recital ne Tirane

Violinisti i njohur, Tedi Papavrami, do të interpretojë për herë të parë në Shqipëri ciklin e plotë të sonatave dhe partiturave të Johan Sebastian Bah. Më 13 dhe 14 maj, për dy net rresht, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncertin solo të një prej artistëve më virtuozë shqiptarë. Papavrami do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës vetëm një ditë pas trupës së baletit “Preljocaj”, e cila gjatë fundjavës do të interpretojë dy premiera si “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni”, pjesë që sollën në Tiranë dhe koreografin e njohur shqiptar Angjelin Preljocaj. Papavrami është një tjetër surprizë e kësaj skene, e cila po i ofron publikut emra tepër të zgjedhur brenda një kohe të shkurtër.

 

Tedi Papavrami lindi në Tiranë, më 13 maj 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një burse të ofruar nga qeveria franceze, ai vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985, fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton me unanimitet çmimin e parë të Konservatorit të Parisit. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në vitin 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona.

 

Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, Tedi, krahas karrierës së tij si violinist, ka përkthyer në frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë. Ndërkohë, ai ka luajtur në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, me orkestra të ndryshme ose në recitale..


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama