Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, shprehet i bindur në aftësitë e tij për të zgjidhur çështjet e debatueshme me Shqipërinë. 84-vjeçari që është president prej vitit 2005, ka deklaruar se ai ka gjetur “zgjidhje” me regjimin e Enver Hoxhës dhe jo më me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Papulias ka mbajtur detyrën e ministrit të Jashtëm gjatë viteve 1985-1989 dhe 1993-1996.
Një deklaratë të tillë, presidenti grek e ka bërë gjatë takimit me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili i ka shprehur atij shqetësim për situatës dhe problemeve që ndesh minoriteti grek.
Papaulias nga ana e tij ka shprehur besimin se, “liderët miq të Shqipërisë”, do të diskutojnë hapur dhe në mënyrë të sinqetë të gjitha çështjet mes dy vendeve.
Duke iu referuar përpjekjeve të tij si ministër i Jashtëm në fund të viteve ’80, kur shkriu akujt me regjimin komunist të atëhershëm në Shqipëri, Papulias është shprehur: “Pasi gjetëm zgjidhje me Malilen (atëherë ministër i Jashtëm), nuk do ta gjejmë sot me një lidership demokratik në Shqipëri?”
Sipas raportimi të AP-së, Papulias më 30 korrik të vitit 1988 zhvilloi një vizitë 1-ditore në portin e Sarandës ku zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm, Reiz Malile. Papulias zhvilloi këtë vizitë me ftesë të Maliles. Para këtij takimi në nëntor të 1987-s, Papulias zhvilloi vizitë 3-ditore në Tiranë. Ndërsa Malile, ia ktheu vizitën më mars, duke u bërë ministri i parë i Jashtëm shqiptarë që viziton Greqinë.
Greqia dhe Shqipëria kanë lidhur marrëdhënie në vitin 1971. Ato u përmirësuan në shtator të vitit 1987, kur kryeministri Andreas Papandreou i dha fund gjendjes së luftës mes dy vendeve fqinje.