Papunesia po shtyn shqiptaret drejt bixhozit
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Mungesa e një pune dhe mungesa e të ardhurave po i shtyn të rinjtë e sotëm të venë sa më shumë skedina, me shpresën se do mund të kenë para për të mbajtur vetën dhe për plotësimin e nevojave të moshës. Siç dhe mund të vërehet fare lehtë pikat e bastëve po shtohen gjithmonë e më shumë, duke tërhequr në mënyrë “iluzive” të rinjtë e papunë, të cilët fatkeqësisht i shohin si mundësinë e vetme “për të bërë ndonjë para”. Në qytetin e Elbasanit pikat e basteve janë kthyer në “vende pune” për shumicën e atyre njerëzve që janë të papunë. Por jo vetëm të rinjtë, papunësia po çon shqiptarët drejt bixhozit. Sëbashku me moshat e reja janë edhe burrat e moshave 40-55 vjeç që luajnë “lloto”.
Ndërkaq të habit fakti se si këto pika bastesh mbushen plot në kohën kur njerëzit nuk kanë një punë dhe i mungojnë paratë madje dhe për të mbajtur familjen. Aty ku numri i të papunëve po rritet, duket se po shkon në përpjestim të drejtë me numrin e personave që luajnë “lloto”. Duke biseduar me disa të rinj rreth kësaj çështjeje, kuptuam se ato shkojnë në këto pika vetëm për të siguruar para xhepi. Një prej tyre shprehet se luan lloto me shpresën se do të fitojë ndonjë para më shumë për ta harxhuar me shoqërinë.
’’ Unë vë lloto rregullisht me shpresën se do të fitoj dhe do të kem ndonjë lek për kafe e për të dalë me shoqërinë. Puna më mungon dhe jo se s’dua unë, por se këtu nuk ka vende pune për të rinjtë dhe kështu na mbetet skedina si rrugë e vetme për te fituar para”- thotë ai.
Mungesa e vendeve të punës për të rinjtë është fenomen shqetësues jo vetëm i kryeqytetit por veçanërisht në qytetët e vendit. Numri i të rinjve, të cilët kanë humbur shpresat për punë dhe gjejnë strehim tek skedina, për fatin e keq të shoqërisë sonë po rritet. Të rinj madje dhe me diploma në xhep, por në pamundësi të gjejnë një punë, rendin “të joshur” pas bixhozit. Duke shkaktuar fillesat e një drame të madhe që po duket në horizontin e shoqërisë sonë.