Punësimi, çështje shifrash
Ndërkohë që rritja ekonomike e vendit ka ardhur në rënie, punësimi ka ardhur në rritje. Ky është një paradoks që realisht, por as teorikisht, nuk mund të ndodhë. Por Banka e Shqipërisë e ka dhënë një shpjegim. Treguesit e tregut të punës për vitet 2010 – 2012 janë rishikuar pas publikimit të Anketës së Forcës së Punës dhe Censusit të vitit 2011, duke sjellë ndryshime metodologjike në statistikat e punësimit në sektorin privat bujqësor dhe të normës së papunësisë. Të dhënat më të fundit nga bilanci i forcave të punës tregojnë se punësimi në ekonomi ka shënuar rritje, ndërsa numri i të papunëve dhe norma e papunësisë kanë ardhur në rënie. Kjo e fundit qëndroi në nivelin 12.8% në fund të vitit të kaluar. Punësimi në sektorin privat jobujqësor ka ndikuar pozitivisht në rritjen e punësimit në ekonomi, duke kompensuar rënien e punësimit në sektorin shtetëror. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në tremujorin e parë të këtij viti numri total i të punësuarve ishte 967 mijë, tre mijë më shumë krahasuar me fundin e vitit 2012.
Sektorët
Banka e Shqipërisë, bazuar në statistikat afatshkurtra, ka analizuar shpërndarjen sektoriale të punësimit në ekonomi. Indeksi i punësimit në sektorët e shërbimeve u zgjerua ndjeshëm, me 15.9% vit mbas viti. Ndër sektorët prodhues, numri i të punësuarve u tkurr me 3.8%. Me një tkurrje vjetore prej rreth 11.0%, ndërtimi pati rënien më të thellë në punësim ndër sektorët prodhues. Ndërkohë, punësimi në sektorin e tregtisë regjistroi rritjen më të lartë ndër sektorët e shërbimeve, me 19.9%, në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, kjo rritje u shoqërua me rënie të ndjeshme të pagës mesatare.
Në tremujorin e parë të vitit 2013, bizneset shprehen më pak pesimistë në vlerësimin e tyre mbi situatën e punësimit në ekonomi gjatë kësaj periudhe. Banka Botërore sheh si një nga pikat më të forta të daljes nga kriza rritjen e punësimit në vendet e Ballkanit. Pasi në këto vende edhe para krizës problemi i papunësisë ka qenë i madh. Banka Botërore sugjeron se krijimi më i shpejtë i vendeve të punës do të kërkojë ndryshime në kontratën sociale ndërmjet punëtorëve, ndërmarrjeve dhe qeverive. Axhenda e politikave duhet të përqendrohet në heqjen e pengesave ndaj sipërmarrjes, duke ndihmuar sistemet e arsimit dhe trajnimit të përshtaten më mirë me tregjet e punës, rekomandon BB.
Ekonomia e vendit është frenuar, punësimi ka ardhur në rritje. Ky është një paradoks që realisht, por as teorikisht, nuk mund të ndodhë. Por Banka e Shqipërisë e ka dhënë një shpjegim. Sipas saj, treguesit e tregut të punës për vitet 2010–2012 janë rishikuar pas publikimit të censusit të vitit 2011, duke sjellë ndryshime metodologjike në statistikat e punësimit