Para Migjenit shumekush s’e ka ditur c’eshte poezia moderne

Para Migjenit, shumëkush s’e ka ditur ç’është poezia moderne
Jam duke përfunduar një monografi sintetike e kritike për veprën letrare të Millosh Gjergj Nikollës, që do ta botoj me rastin e jubileut të madh të 100- vjetorit të lindjes së tij.

Migjeni zë një vend kaq të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe, saqë  vazhdimisht jep shkas t’u kthehesh krijimeve të tij të mrekullueshme, kaq të begata, me vlera të shquara artistike, saqë lexuesi e studiuesi nuk mund të mos niset për një lexim të ri. Këtu e gjej nxitjen që më shtyn të shpejtoj për të hedhur në letër ca mendime qysh sot, në përvjetorin e 99-të të tij, pa pritur jubileun e madh.

Është i vërtetë konstatimi i kritikës, se për jetën e veprën letrare të Migjenit është shkruar më shumë se për çdo shkrimtar tjetër shqiptar dhe këtë e ka merituar. Por disa studiues kanë konstatuar njëkohësisht se për dhjetëra e dhjetëra vite me radhë, deri nga fundi i viteve ‘80, me përjashtime të pakta, në shkrimet për veprën e tij janë thënë jo vetëm shumë të pavërteta, por ka pasur më shumë ujë dhe përsëritje të të dhënave të mirënjohura dhe pak mendime të reja. Për të mos pasur mëdyshje për këtë pohim, po citoj nga një analizë objektive të mendimit kritik për Migjenin, të studiuesit prof. Ali Aliut: “Bibliografët mund të shënojnë me qindra emra autorësh, shpesh të profileve dhe vokacioneve të ndryshme, që kanë shfaqur mendimin e vet mbi veprën e Migjenit.

Dhe pasi të bridhet edhe një herë nëpër këtë det të gjerë shkrimesh, mund të vërehet se, të shumtë dhe të ndryshëm janë motivet nxitës që kanë vënë në lëvizje mendimin kritik lidhur me veprën dhe fenomenin “Migjeni”, në traditën tonë kulturore shpirtërore. Natyrisht, në këtë shtrirje të gjerë të mendimit kritik mbi veprën e Migjenit, para së gjithash bie në sy teprica, inflacion fjalësh. Është shkruar shpesh dhe shumë, por është thënë rrallë dhe pak diç e re për të.

Në shumicën e këtyre shkrimeve dhe në të shumtën e rasteve, zakonisht është përsëritur, përtypur dhe stolisur i njëjti mendim: qoftë edhe atëherë kur “i pari” ka thënë dhe ka bërë një vlerësim jo të saktë ndoshta edhe të gabuar”.(1980) Kurse studiuesi tjetër kosovar, Sefedin Fetiu, e pat konkretizuar qysh më 1984 më qartë orientimin e shumicës dërrmuese të shkrimeve të kësaj periudhe: “Në fushën e letërsisë dominonte maniheizmi ideologjik, kriteret politike e të tjera jashtë letrare dhe shumica e autorëve, i theksojnë dhe i forcojnë disi tepër elementet që e favorizojnë Migjenin në një situatë të tillë. Ç’është e vërteta, vepra e Migjenit nuk kishte nevojë për kurrfarë mistifikimesh, sepse vlera e saj i imponohej vetvetiu publikut lexues me mënyrën e trajtimit e të formësimit. Kjo vlerë imanente mbizotëronte në horizontin e pritjes dhe nuk varej nga ndihma e jashtme, nga parulla, propaganda dhe gjykimet deklarative. Shkrimet kritike të kësaj fazë rreth veprës së Migjenit, në pjesën më të madhe kanë dalë nga vështrimi i Dh. Shuteriqit me tendenca utilitariste e me elementë të kritikës ideologjike te revista “Literatura jonë”.

Në vitet ’80 kishte shumë shkrimtarë e artistë që ishin lodhur nga metoda sunduese shuteriqiane e sociologjizmit vulgar, nga direktivat partiake, nga ideologjizimet e politizimet absurde dhe prireshin drejt ndryshimeve e reformave demokratike. Kjo duket nga njëra anë në krijimin prej tyre të disa veprave letrare të përsosura, të ngjizura jashtë normave të “socrealizmit” enveriano-zhdanovist dhe nga ana tjetër, në diskutime, herë vesh-më-vesh e herë publikisht, ku shfaqej pakënaqësia nga këto norma.

Në këtë periudhë, dy herë është hapur diskutim në Seksionin e Shkencave Shoqërore, kur u paraqit për miratim platforma e hartimit të vëllimit të tretë të historisë së letërsisë shqipe. Gjatë diskutimit u kundërshtua titulli i propozuar nga Redaksia dhe IGJL : “Historia e letërsisë së realizmit socialist, (1944-1988)” ngaqë në këtë periudhë ka pasur mjaft vepra të denja, të talentuara letrare, që nuk karakterizoheshin nga parimet e “socrealizmit”, shkrimtarësh të mirënjohur si S. Godo, D. Agolli, T. Laço, I .Kadare, S. Andoni, Q. Buxheli, N. Prifti, F. Arapi etj. Gjithashtu, u shpreh mendimi që ajo të ishte histori e letërsisë kombëtare, domethënë edhe e shqiptarëve të Jugosllavisë, ashtu si edhe e letërsisë së arbëreshëve të Italisë, madje edhe e diasporës sonë, ku janë krijuar vepra dinjitoze në gjuhën shqipe, të cilat kritika jonë i pat vlerësuar si vepra të dobishme, ndonëse dihej se nuk kishin të bënin me “socrealizmin”.

Autorët e projektit dhe kryesia e ASH i mbylli diskutimet dhe u pranua të quhet “Histori e letërsisë së realizmit socialist”. Por pas vitesh e ndryshimesh politike, në vitin 1998, kur ishte paraqitur për miratim po ky variant i vonuar mjaft kohë i “Historisë së letërsisë të realizmit socialist” (1944-1988), u përsërit në diskutimet propozimi që të quhej “Histori e letërsisë kombëtare”.

Kryeredaktori i përhershëm i kësaj “gjelle” të thartuar dhe Kryesia e ASH, e konsoliduar politikisht, duke bërtitur me egërsi, la në fuqi propozimin e kryeredaktorit, i cili, pasi ishte larguar nga Lidhja e Shkrimtarëve, komandonte Akademinë e Shkencave. U desh edhe pak kohë që me këtë titull të botohej nga ASHSH vëllimi i tretë i “Historisë së letërsisë të realizmit socialist”.

Sidoqoftë, ndonëse kohët kishin ndryshuar, patën mbetur pa u dhënë zgjidhje shkencore mjaft problemeve mbi veprën letrare të Migjenit, që kishin lindur prej kohësh. Dhe drejt këtyre problemeve u përqendrua tashmë jo vetëm vëmendja e ca punonjësve të IGJL, por edhe e mjaft studiuesve të tjerë sidomos nga Kosova, por edhe nga diaspora, që vlejti për të rikujtuar atë vorbull të pavërtetash, paragjykimesh e përsëritjesh, që e kishin gozhduar hulumtimin e veprës së Migjenit pas “dobisë” dhe “aktualitetit”. Stuhinë e kësaj vorbulle e pat paralajmëruar prof. Skënder Luarasi, qysh në botimin e parë pas lufte të veprës së Migjenit, kur pat shkruar: “Në këtë botim kemi dhënë pak shënime e komentime, ato më të domosdoshmet, duke dashur që të mos influencojmë njeri në mendimet e tij të lira për Migjenin. Vetë vepra do të shpjegojë veten e saj”.

 Por ja që s’ishte e lehtë të zbatohej ky kriter e të zbulohej e mbrohej e vërteta, veç të tjerash, edhe nga dëshira për t’u vënë në shërbim të monizmit, duke mos përfillur veprën, duke u distancuar prej saj në shërbim qëllimesh pragmatiste e dogmash të ulëta. Prirje të tilla nuk ishin taze; ato ishin shfaqur e tek-tuk shfaqen gjatë gjithë rrugës së kërkimit të së vërtetës, e cila është e vështirë, prandaj edhe Niçja u drejtohej lexuesve të ardhshëm të tij: “Përpiqi të më lexoni drejt!”. Sikur e pat ditur se do ta lexonin shtrembër edhe kur të lidhej me veprën e Migjenit. Shumë pjesë kishin humbur asaj rruge që duhej të shpinte te e vërteta e Veprës dhe e Jetës së Migjenit. Shumëkush desh vetë të gabohej, apo e mashtruan, apo e detyruan, apo s’kishte asnjë mundësi tjetër, siç pat qenë koha – kjo mbetet një e fshehtë në ndërgjegjen e secilit, që desh të afrohej e s’mundi me Migjenin. Por kohët ndryshojnë në drejtime të ndryshme, edhe për mbarë, por jo menjëherë, se edhe koha, na pëlqen ose jo, ka ligjet e saj. Veç koha sjell edhe mundësi për t’u ndriçuar mendja e njeriut.

Dhe prandaj ka vite që jam përpjekur t’i afrohem përherë e më shumë Migjenit, e nuk mund të mos kujtohesha edhe në 99- vjetorin e lindjes së tij, duke i përshëndetur gjithë lexuesit e studiuesit e tij të mos e harrojnë. Guxoj ta shpreh këtë mendim ngaqë kam frikë se një gazetar i mençur, vetëm pak përpara, shkruante i shqetësuar fort në një gazetë se është një fakt i tmerrshëm që ka njerëz, të cilëve u pëlqen heshtja për Migjenin, por nuk tha se cilët janë ata; janë ata që s’u mjaftoi t’i prishnin varrin, ta mbyllnin muzeun më të merituar të qytetit që e adhuronte Migjenin, që guxojnë të ringjallin edhe ndonjë gënjeshtër të vjetër, bajate kundër poetit “Diell”, akoma sot, që tashmë kur Shqipëria bëhet gati të hyjë në hapësirat e tolerancës humane të qytetërimit europian. Këto fjalë s’kisha për t’i thënë për ata që e duan dhe e nderojnë poetin modern shqiptar, më të madhin të shek. XX, po të mos u kumtoja një mesazh të freskët me myzhdenë, që e kemi pritur kushedi sa kohë. Tani vërejmë një kthesë në studimet e dy dekadave të fundit drejt pasurimit të trajtimit shkencor të veprës së Migjenit, siç janë punimet e B. Sutës, S. Hamitit, A. Kapuranit, K. Petritit, A. Aliut, S. Fetiut, R. Qoses, I. Kadaresë, K. Jorgos, A. Nikollës, M. Zeqos, S. Bejkos, N. Paplekës etj.

Këto vitet e fundit, megjithëse ka ende që heshtin ose vazhdojnë të gënjejnë, kam venë re se një varg studiuesish e kritikësh janë angazhuar të hartojnë monografi të tëra dhe artikuj e ese me brumë, që edhe kur përsëritin ca të vërteta të mirënjohura, pas kërkimesh të vazhdueshme e këmbëngulëse, po sjellin në mendimin kritik shqiptar plot të vërteta të reja, plot hipoteza e përgjithësime, të cilat shpërndajnë tymnajat e ndërtuara kundër veprës e jetës së Migjenit në të kaluarën, ndriçojnë vlera të shquara estetike të krijimtarisë migjeniane, që kanë pas munguar deri sot në studimet tona. Në të tilla studime spikat fryma pluraliste, e çliruar nga dogmatizmi e skemat e plakura, spikat vërtetësia shkencore dhe sidomos përgjithësimi i përvojës estetike të veprave konkrete poetike e prozaike të Migjenit. Qoftë konkluzionet ose hipotezat e reja të këtyre studimeve janë fryt edhe i zotërimit të teorive moderne estetike, që janë përdorur jo si modele absolute për imitim, por si nxitës kërkimesh të mirëfillta shkencore për të zbuluar e njohur më mirë estetikën migjeniane. Një lajm i gëzueshëm ky!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama