Para Ministrit Cani ka patur nje tjeter viktime te koncesionit klientelist te TVSH-se

Para Ministrit Cani ka patur një tjetër viktimë të konçesionit klientelist të TVSH-së

Tashmë, ka pak dyshime se shkarkimi i pamotivuar i ish-Ministrit të Financave Shkëlqim Cani u bë për shkak të refuzimit të tij për të firmosur fillimin e proçedurave për konçesionin e e dyshimtë të TVSH-së, mbas së cilit, sikurse është bërë publike, qëndrojnë partnerë të vëllait dhe klientë të Kryeministrit Rama.

Por ajo që nuk është bërë e njohur publikisht është se konçesioni klientelist ka patur një tjetër "viktimë" mes drejtuesve të lartë të Ministrisë së Financave.

Para një muaji dha dorëheqjen Arjana Dyrmishi, ish-drejtoresha e politikave fiskale në Ministrinë e Financave, drejtoria e së cilës ishte ngarkuar për përgatitjen e projektit dhe dokumentave për konçesionin e TVSH-së. Zonja Dyrmishi refuzoi të firmoste studimin e fallsfikuar që i çeli rrugën konçesionit, vendim që e çoi në dorëheqje të detyrueshme.

Propozimi për ndërtimin e një platforme për raportimin në kohë reale të faturave të TVSH-së iu paraqit Ministrisë së Financave në vitin 2014, pak muaj pas ardhjes në pushtet të Kryeministrit Rama.

Propozuesi ishte një kompani nga Hong Kongu, relativisht modeste dhe krejtësisht e panjohur ndërkombëtarisht. Kompania nuk ka asnjë aktivitet të mëparshëm në Europë e aq më pak në Shqipëri; dhe nuk ka asnjë përvojë të mëparshme në fushën fiskale dhe nuk ka ndërtuar ndonjëherë ndonjë platformë apo zgjidhje si ajo që i propozoi qeverisë shqiptare.

Fillimisht, Ministria e Financave e hodhi poshtë propozimin e kompanisë kineze, por në mesin e vitit 2015, me ndërhyrjen direkte të Ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, Ministria e Financave vendosi, papritmas, ta rikonsiderojë propozimin kinez.

Për këtë arsye, në Ministrinë e Financave u ngrit një grup pune për kryerjen e studimit të fizibilitetit të platformës elektronike të transmetimit të faturave elektronike, i cili, duke shmangur Ministrin Cani, i raportonte Ministrit Ahmetaj.

Dokumenti studimor që hartoi grupi i punës fallsifikoi dhe shtrembëroi të gjitha kostot e projektit duke i tejfryrë ato dhe duke "rritur" kështu rreziqet e projektit, për të konkluduar, si pasojë, që platforma duhet të ndërtohet me konçesion pasi qeveria do të merrte rrezik të madh nëse do e bënte vetë.

Këtë dokument nuk e pranoi ta mbështeste drejtoresha e politikave fiskale Arjana Dyrmishi, e cila u detyrua të japë dorëheqjen.

Ndërsa Ministri Cani, fillimisht, pranoi të jepte dakordësinë për konçesionin duke imponuar një kusht të rëndësishëm për pagesën e konçesionarit: pagesa të përfitohej vetëm nëse rritja e të ardhurave nga TVSH-ja të kalonte nivelin mesatar shumëvjeçar prej 11 përqind.

Mbas përmbushjes së këtij kushti, Ministri Cani e mbrojti konçesionin në Kuvend gjatë një replikë me deputetë të opozitës, por pastaj u tërhoq, menjëherë, nga çdo lloj mbështetje apo përmendje në publik e konçesionit. Të gjithë barrën e informimit të publikut dhe mbrojtjes së konçesionit e mori zëvendës ministrja Irena Beqiraj.

Për më tepër, Zoti Cani zvarriti firmosjen e urdhërit për fillimin e proçedurave të konçesionit. Në një moment të caktuar ai kërkoi që funksionarë të tjerë të qeverisë apo të Ministrisë të firmosnin për hapjen e proçedurave, por jo ai vetë, duke e mbajtur praktikisht të bllokuar proçesin e konçesionit.

Këto qëndrime të Ministrit Cani ngjallën zëmërimin e Kryeministrit Rama, i cili vendosi, jo vetëm ta shkarkojë pa asnjë motivim formal, por mbi të gjitha ta shkarkojë në një mënyrë shembullore përçmuese dhe injoruese: ja përcolli vendimin e shkarkimit Ministrit Cani përmes medias.

Kjo metodë shembullore ndëshkuese u bëri të qartë të gjithëve në qeveri dhe administratë se çfarë fati i pret nëse kundërshtojnë Kryeministrin Rama dhe interesat e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama