Dhe në këtë rrugëtim, janë pikëtakuar dhe me rrënjët shqiptare. Sipas Stipçeviçit, edhe te kroatët në Mesjetë ka ekzistuar ideja e rrënjëve ilire, duke e përgjithësuar këtë fenomen për të gjithë sllavët. Por ama nuk mohohej nga ana e tyre që dhe shqiptarët kishin rrënjë ilire. Dhe këtu autori lë për të kuptuar se ngjizet njëfarë afeksioni i kroatëve për shqiptarët, e vërtetuar kjo nga studimet dhe veprat e shumta që iu kushtuan Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga Mesjeta e deri në shekullin XIX, ku, siç thotë Stipçeviçi, "vetëm në këtë shekull, interesi për albanologji u ngrit në nivel të një disipline shkencore. Punimi më i shtyrë në shekuj kushtuar shqiptarëve më të hershëm, Stipçeviç rendit atë të Ludevit Gajit me artikullin e tij "Kush ishin ilirët e vjetër". Studimi i Gajit nuk është konsideruar aspak shkencor, por ama ka pasur vlerë për shkak të kushtëzimit për të cekur rrënjët ilire të shqiptarëve. Ndërsa si punim i parë, i dokumentuar, që kishte të bënte me shqiptarët, Aleksandër Stipçeviçi konsideron atë të Stjepan Marjanoviçi, i cili ka shkruar mbi kolonitë shqiptare në Srem e treva të tjera dalmate. Pas një çinteresimi aty nga mes i shekullit XIX shfaqet në studimet albanologjike Ivan Kukeleviçi- Sakcinski, i cili ka dhënë një kontribut të madh në marrëdhëniet kulturore shqiptaro- kroate, ndonëse dhe disa shënime të tij mbi një qëndrim të shkurtër në Shqipëri, cilësohen jo me ndonjë vlerë të madhe arkivore. Ndërsa libri i parë i mirëfilltë me të dhëna historiko-gjeografike mbi shqiptarët mban autorësinë e Gjuro Gjurkoviçit. Nga Stipçeviçi, edhe ky libër me rreth 150 faqe nuk mund të thuhet se ka standarde të larta shkencore, por është konsideruar si një doracak i vlefshëm për njohjen fillestare të një populli, në rastin konkret, atij shqiptar. Shime Lubiçi është historiani prej nga nis seria e historianëve dhe arkivistëve kroatë, të cilët, siç shkruan Stipçeviçi, botonin dokumente nga arkivat e ndryshme me të dhëna për shqiptarët. Një gamë tjetër kroatësh që janë marrë me hulumtime për shqiptarët janë dhe ata me raso. Bëhet fjalë për personalitete fetare, siç ka qenë për shembull, françeskani (i ashtuquajtur i qetë dhe kryengritës) Josip Dobrosllav Bozhiqi. Për një periudhë kohe ai ka shërbyer në Shqipërinë e Veriut, kryesisht në Lezhë. Kur u kthye në Bosnjë, ai shkroi një histori me titull "Arbanija", duke u rrekur të bëjë një histori të shqiptarëve deri në rënien e tyre nën sundimin turk. Edhe françeskani Lovro Mihaçeviçi është një tjetër personalitet që ka shkruar për shqiptarët.
I detyruar që të udhëtonte nëpër Shqipëri për shkak të detyrave fetare, ai e njohu me të prekur Shqipërinë e fillimshekullit XX dhe shkroi veprën "Po Albaniji". Aty shkruan: "…Për të mësuar diç dhe populli kroat për Shqipërinë dhe së paku deri diku t‘u dal borxh shqiptarëve trima për takimet e prekshme, për ndjenjat e dashurisë dhe respektit të cilët më ofruan për katërmbëdhjetë vjetët e qëndrimit në mesin e tyre". Për Stipçeviçin, interesi i kroatëve për shqiptarët shtohet deri në nivel akademik, kur mes viteve 1910-1916, në Universitetin e Zagrebit, filologu J.Florschutz ligjëronte gjuhë shqipe. Në këtë periudhë nis e shkëlqen ylli i Milan Shuflajit në studimet albanologjike. Stipçeviçi shkruan se deri në shfaqjen e Shuflajit, interesimi për shqiptarët nga ana e kroatëve përcillej më shume në nivelin e publicistikës. Ndërsa Shuflaji i jep një kthesë këtij interesimi. Ai, në bashkëpunim me Lajosh Thalozyn dhe Konstandin Jeriçekun, arrin të hartojë vepra të plota dhe me nivel të lartë akademik e filologjik mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Por kjo histori nuk mbaron me Shuflajin. Aleksandër Stipçeviç përmend në studimin e tij emrin e dubrovnikasit Henrik Bariç. Linguist në profesion, ai me anë të një reviste të themeluar në Universitetin e Beogradit, ka nxitur dijetarë të tjerë për t‘u marrë me rrënjët shqiptare.
Bariç njihet si autori i një vepre të titulluar "Histori e gjuhës shqipe", e cila i përket vitit 1959. Aty, ai hodhi tezën se "në realitet, shqipja është një dialekt trakas", duke i mëshuar ngjashmërive gjuhësore të shqipes me rumanishten. Por ama, ngaqë kjo vepër e Bariçit hidhte poshtë tezën e prejardhjes ilire të shqipes, tezat e tij janë konsideruar prej studiuesve shqiptarë si të pabazuara shkencërisht dhe në shërbim të politikës serbe. Duke kaluar nga gjuhësia në histori, Stipçeviçi këtu veçon disa emra kroatësh, të cilët, sipas tij, themeluan memuaristikën me subjekte shqiptare me kujtime gjatë Luftës së Parë Botërore.
Këtu ai ndalet me keqardhje te Milostisllav Bartulica, që sipas tij, shkruante jo objektivisht për shqiptarët. "Urrejtja ndaj shqiptarëve e pengoi të mendojë esëll", shkruan St i - pçeviçi në studimin e tij. Më tej, në mënyrë kronologjike, ai jep emra dhe vepra kroatësh për Shqipërinë e shqiptarët, të cilët datojnë nga Mesjeta e deri në vitet ‘80. Për Stipçeviçin ka qenë e pashmangshme krijimi i një enti në kuadër të Universitetit të Zagrebit, për studimet albanologjike.
Nga Gazeta Shqip