Ka edhe një fytyrë tjetër të ISIS-it që shkon përtej ekzekutimeve publike, videove të tmerrshme dhe kërcënimeve ndaj Perëndimit. Është ajo e strukturës së brendshme të Shtetit Islamik: hierarki dhe rregulla që po zbardhen falë burimeve të antiterrorizmit të përkushtuara në Siri e Irak. Mes shumë gjërash, ka dalë një fakt dhe tronditës, ku ushtria e militantëve, të cilët paguhen mesatarisht 100 dollarë në ditë, furnizohet me drogë dhe viagra për të përhapur terror në botë.
Anfetamina, metanfetamina dhe kokainë. Ja çfarë përdorin para dhe gjatë luftimeve luftëtarët e ISIS-it, sipas burimeve të shërbimeve sekrete të huaja. Këto të fundit, po ashtu referojnë se xhihadistët përdorin edhe viagra për të përdhunuar gratë në territoret e pushtuara.
Sipas CIA-s, njerëzit e bashkuar tashmë në radhët e Shtetit Islamik, janë rreth 30 mijë, të përkushtuar 7 ditë në 7, 16 orë në ditë. Pas një muaji luftimesh, secili luftëtar ka 3-4 ditë pushim. Një mënyrë tjetër për të marrë leje, që autorizohet nga një zyrë e mirëfilltë, është që të martohesh me një grua nga vendet e Kalifatit, një praktikë gjithnjë e më e kërkuar nga shefat ushtarakë para së gjithash për “luftëtarët e huaj”.
Gjithçka është e drejtuar nga një farë sistemi pikësh, ku për çdo anëtar të ushtrisë, vlerësohen pesë kritere: roli, premtimi i besnikërisë, mosha, rendimenti në betejë dhe plagosjet e pësuara. Çdo njeri mund të marrë maksimumi 6 pikë, dhe me rritjen e totalit, rriten edhe benefitet: të ardhurat ekonomike, kartat e kredisë dhe lejet speciale.
Por me një rregull që mbetet në bazën e gjithçkaje: nga ISIS-i nuk mund të largohesh duke e braktisur dhe përpjekjet për dezertim janë të ndëshkueshme edhe me vdekje.