Një grevë me çadra nën dritaren e Kryeministrit, përpara marrjes së statusit po përsëritet sërish në skenën politike shqiptare. Dhjetë të larguar nga puna, si përfaqësues të kësaj administrate, prej 8 orësh janë përpjekur që të hyjnë në grevë urie, duke ngritur çadrat e tyre përballë Piramidës, në krah të lulishtes së Kryeministrisë. Fillimisht ato nuk janë lejuar nga ana e policisë dhe shërbimit të Gardës që të ngulnin çadrat. Pas këtij incidenti menjëherë në vendin e grevistëve kanë shkuar deputetët Majlinda Bregu, Flamur Noka, Mesila Doda. Më pas kanë mësuar pjesë më e madhe deputetëve të PD-së, që kryesoheshin nga kreu i grupit demokrat, Edi Paloka. Shoqata kërkon kthimin në punë të 7000 punonjësve të administratës, që sipas tyre janë shkarkuar në mënyrë antiligjore nga puna.
Dhe për këtë arsye, kryetarja e shoqatës, Nertila Qafzezi, sqaroi dje se greva e urisë vjen si pasojë e moszgjidhjes së kërkesave të tyre nga ana e qeverisë. “Kam marrë konfirmim për të zhvilluar protestën, pasi u vërtetua që ne e kemi dorëzuar 24 orë para në polici, lejen për aktivitet. Pritet nga momenti në moment instalimi i çadrës”, tha Qafzezi, ndërsa i cilësoi të paligjshme veprimet e policisë për të mos lejuar ngritjen e çadrës. “Po përballemi me një dhunë policore. Nuk lejohemi të bëjmë asnjë veprim. Policia, në detyrë për të kënaqur Kryeministrin Rama dhe Tahirin. Punonjësit të furgonit që ka sjellë tendën policia i merr dokumentet. Grevën do e vazhdojmë nuk largohemi. Ne nuk largohemi do rrimë në qiell të hapur derisa të rivendoset çadra”, u shpreh Qafzezi. Demokratët Gent Strazimiri dhe Mesila doda kanë shkuar në Drejtorinë e Policisë për të realizuar zhbllokimin e situatës së krijuar, duke u shprehur se lejen për ngritjen çadrave nuk e jep policia, por Bashkia e Tiranës.
Edhe pse u lajmërua se ajo do të niste rreth mesditës së djeshme, ngritja e çadrave të grevistëve që u ngujuan në grevë urie pa afat fillimisht hasi në kundërshtimin e forcave të policisë dhe vetëm rreth orës 20:00 Drejtoria e Policisë së Tiranës do të zhbllokonte situatën, duke lejuar që grevistët të ngrinin 7 çadra në krah të zyrës së shefit të ekzekutivit. Por situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë gjithë pasdites së djeshme ishte e tensionuar, duke shkaktuar dhe përplasje fillimisht mes punonjësve të policisë dhe grevistëve, por në mbrëmje do të shënonte dhe një tjetër përplasje të uniformave blu dhe deputetëve të PD-së, pasi tentuan të fusin objekte për grevën e të larguarve nga puna. Dhe për këtë arsye, policia është përpjekur të pengojë futjen e pajisjeve të tualeteve për zhvillimin e grevës. Vendin e grevës në mbrëmje e vizitoi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai është shprehur se Kryeministri Rama po sillet si Janukoviçi i fundit i Ballkanit. “Ata erdhën me një vendim sublim dhe u dërgoi të gjithë bandat me uniformë. Ai paraqet Janukoviçin e Ballkanit. Demokratët do dinë t’i përgjigjen Janukoviçit siç e meriton”, u shpreh Berisha. Ndërkohë, autoriteti shëndetësor ka vënë në dispozicion të grevës një ekip mjekësor.
Greva e urisë vjen vetëm dy ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita, që do të zhvillohet nesër para Kryeministrisë kundër asaj që ajo e cilëson si narkotrafikun që po zhvillohet me mbështetjen e strukturave qeverisëse. Përkrahja e kësaj greve nga deputetët demokratë, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, si dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës. Kjo tregon qartë se PD-ja dhe kreu i saj, Lulzim Basha, po përdor të gjitha format për mobilizimin e militantëve për një pjesëmarrje sa më masive në protestën e nesërme, duke ndjekur të njëjtin skenar të ndjekur më parë nga socialistët kur ata vetë ishin në opozitë. Skenari me grevë urie para marrjes së statusit u bë vite më parë nga ana e PS-së, kur kauza e tyre ishte për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, në një intervistë televizive, u shpreh se greva e të larguarve nga puna nuk ka asnjë lidhje me çështjen e statusit, apo me atë të disa viteve më parë që bëri opozita. Por ky skenar, duket një imitim që PD-ja po i bën PS-së gjatë kohës që ajo ishte në opozitë.
Mbesa e Berishës, në mbështetje të grevës
Në mbështetje të përfaqësuesve të Shoqatës të të Larguarve nga Puna të cilët kërkonin nisjen e grevës së urisë u shfaq edhe Dasara Malltezi ose siç njihet ndryshe mbesa e ish-kryeministrit, Berisha, e cila iu përgjigj thirrjes së gjyshit, i cili në Facebook bënte apel për mbështetje të grevës. Për më shumë se një orë Dasara së bashku me të rinjtë e PD-së, që do të qëndronte në sheshin te Piramida, teksa shfaqej herë pas here duke bërë foto ‘selfie’.