Paraja eshte e mundur te jetohet pa te

Paraja, eshte e mundur te jetohet pa te
Në një botë si kjo e sotmja, ku gjithçka është e lidhur me paranë, ka nga ata që provojnë të jetojnë kundër rrymës, pra të jetojnë pa para. A është e mundur një gjë e tillë? Për dikë do të ishte një mision i pamundur, por kjo nuk vlen për njerëzit që i kanë qejf sfidat dhe zbulimet e reja.

E gjithë bota, që prej mijëra vitesh, rrotullohet rreth parasë. Paraja, thonë që nuk të bën të lumtur, por të mundëson të arrish lumturinë. Sigurisht në sasi të mëdha të bën dëm, sikundër në sasi fare të vogla mund të të bëjë me të vërtetë fatkeq. Po kur je tërësisht pa para, a mund të jetosh, madje të jetosh dhe të jesh njëherazi i lumtur. Ja një shembull. Mark Boyle është një i ri 31-vjeçar, që ca nga bindja e ca nga dëshira për të bërë gjëra të veçanta në jetë, vendosi që të hiqte dorë nga monedhat, kartëmonedhat dhe çeqet e kartat e kreditit të të gjitha llojeve. Këtë vendim e mori në vitin 2008.

Për ta bërë një gjë të tillë vendosi që të jetonte në një karvan, që ishte parkuar në një fermë organike në afërsi të Bristolit. Aty pranë, ai ka krijuar një rezervat me perime, të cilat i ka mbjellë, kultivuar dhe rritur vetë për t’i konsumuar dhe duke mos përdorur asnjë lloj plehu që kushton para. Por thjesht ujë. Brenda karvanit, që është një dhomë pa elektricitet, 31-vjeçari i mbulon të gjitha nevojat për energji me një panel diellor, që i siguron ndriçim dhe ngrohje. Këtë panel kryesisht ai e ka ndërtuar vetë, me pjesëza të ndryshme para se të ndërmerrte eksperimentin e tij. Veç kësaj, ka edhe një telefon celular që e përdor vetëm për telefonatat thirrëse, që gjithashtu karikohet me energji diellore. Boyle është vegan, pra jo vetëm që është vegjetarian, por konsumon sipas parimit të veganëve vetëm produktet që janë tërësisht të pjekura.

Në vitin 2007, ai ngriti një sajt me titull “Freeeconomy”, një rrjet online që inkurajon njerëzit që të ndajnë me njëri-tjetrin aftësi, talente, apo edhe sende. Aktualisht ky sajt ka 17 mijë anëtarë. Këto ide të reja i lindën djaloshit në një pub, kur së bashku me miqtë kishin hapur një temë diskutimesh në lidhje me problemet aktuale në botë, me çështjet e klimës, luftërave dhe konflikteve të vazhdueshme dhe dëmtimit të natyrës.

Në atë moment, 31-vjeçari e kuptoi që në themel të të gjitha problemeve, në një mënyrë, apo në një tjetër qëndronin paratë. Ishte ky momenti kur ai vendosi që ta braktisë paranë dhe të ndërtojë, sado që mund të duket e pamundur, një ekzistencë tërësisht pa para. Si hap të parë ai dha dorëheqjen nga pozicioni i drejtuesit që kishte në një fermë të ushqimit organik dhe më pas, bëri një listë të gjatë të të gjitha gjërave më të domosdoshme që i duhen një njeriu në ditët e sotme dhe u përpoq që t’i zëvendësonte një e nga një me gjëra të tjera të ngjashme, që nuk kërkonin para.

Kështu, për shembull, në vend të pastës së dhëmbëve, nisi që të përdorte një përzierje farash dhe mendër që japin thuajse të njëjtin efekt për larjen e gojës dhe pastrimin e dhëmbëve. Ndërsa për sa i përket mjeteve të tilla si “iPad” e të tjera, ai thjesht i përjashtoi nga lista, duke hequr dorë pa asnjë lloj keqardhjeje.

Muzika e “iPad” mund të zëvendësohej denjësisht me këngën e zogjve në pemë. Në një botë pa para për të siguruar gjërat e domosdoshme, për të jetuar të duhet më shumë kohë se në rastin kur shkon dhe i ble. Kështu larja e rrobave në një govatë të ndërtuar nga një zgavër druri dhe me ujë të ftohtë e me hi, do thuajse dy orë në ditë, ndërkohë që me lavatriçe mbaron punë për një minutë. Djaloshi e ndërmori fillimisht këtë aventurë për t’i provuar vetes dhe të tjerëve se nuk ishte e pamundur që të jetoje në një botë për para. Fillimisht ai kishte parashikuar që të qëndronte në karvanin e tij në kushtet e mësipërme për një vit, por ja që duket se kjo jetë i pëlqeu dhe tani ai kërkon që ta shndërrojë jo më në një eksperiment, por në realitetin e vetëm ekzistencial të tijin. “Kam kaluar një fëmijëri normale dhe kur vendosa që të ndërmarr këtë aventurë, të parët që më panë me habi ishin prindërit.

Por kur ua shpjegova arsyen e eksperimentit, më përkrahën dhe më mbështetën plotësisht dhe madje më thanë se do ta provonin edhe ata këtë gjë”, rrëfen djaloshi. Ndërkaq, ai e pranon se ndonjëherë është e vështirë që të socializohesh kur nuk ke para. “Unë jam rritur në Irlandën e Veriut, ku njerëzit qerasin njëri-tjetrin dhe e konsiderojnë këtë një nder të madh, që ia kthejnë herë pas here në mënyrë të rregullt njëri-tjetrit, por po të fillojnë që të kenë një mënyrë të re të menduari, do ta kuptojnë se është e mundur që të kënaqesh edhe pa pasur një kuletë plot me para. Për momentin jam i vetëm, pa ndonjë mikeshë.

Zgjedhja që kam bërë, m’i ka pakësuar jashtëzakonisht shumë mundësitë, por jam i bindur që ajo që do të ndajë me mua të njëjtën ide dhe mënyrë jetese, do të jetë me të vërtetë gjysma ime binjake. Dhe më mirë kështu, se sa të kesh para dhe shumë vajza rrotull e duke u sorollatur e të mos dish se cila është vërtetë e duhura për ty”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama