Paralajmerimi i Del Boske Mos prisni nje tjeter 4-0 nga ne

Paralajmërimi i Del Boske: Mos prisni një tjetër 4-0 nga ne

Për Visente Del Bosken mund të jetë ndeshja e fundit në krye të pankinës së Spanjës, nëse kombëtarja e tij përsërit të njëjtën paraqitje të dobët si ndaj Kroacisë, por ndërkohë duket thuajse e sigurt se sido që të shkojë ky Europian, 65-vjeçari nuk do të rinovojë kontratën me federatën e tij. Gjithsesi, më shumë sesa për të ardhmen, duhet parë e tashmja, dueli i sotëm për jetë a vdekje kundër Italisë, sepse ai që humbet, kthehet në shtëpi.

Del Boske

Dhe duke parë se Spanja nuk është në formën e saj më të mirë, kjo e shtyn Del Bosken që të paralajmërojë qartazi futbollistët e tij. "Kam dëgjuar shumë që të thonë se mes nesh ka një hendek të madh teknik, por me sa e kam analizuar unë Italinë dhe duke parë edhe miqësoren e fundit, ajo që mund t'ju them është se ata janë një rival shumë solid, por edhe mjaft efikas, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje me eliminim direkt.

Ne më të lodhur? Po, është e vërtetë që kundrejt tyre kemi shpenzuar më shumë, por fundja për të fituar një turne si ky duhen bërë edhe sakrifica. Prandaj, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, të përqendruar në maksimum sepse e ritheksoj, shanset për kualifikim janë 50 me 50. Dhe mos prisni një tjetër 4-0 si në vitin 2012, - vazhdon trajneri, i cili tregon edhe pikën e fortë të të tijve. - Spanjë më kuadrate? Jo, ne besojmë te stili i lojës sonë. Personalisht pres shumë nga mesfushorët tanë. Ata janë pika jonë më e fortë, ata xhirojnë lojën tonë dhe kushtëzojnë rivalin. Ndaj, ky repart duhet të jetë ai që duhet të bëjë diferencën".

Në lidhje me zërat se ai ia ka komunikuar tashmë Federatës Spanjolle të Futbollit lajmin se nuk do të rinovojë, Visente Del Boske nuk i konfirmon, por buzëqeshja me të cilën përgjigjet duket një aprovim. "Unë di që në lojë kanë mbetur ende 11 kombëtare që kanë mundësinë për të tentuar fitimin e këtij Europiani dhe unë jam i lumtur që përfaqësoj vendin tim. Por nëse kjo do të jetë aventura ime e fundit apo jo, nuk është diçka që më shqetëson".

Lopetegui gati

Pikërisht fakti se Spanja nuk do të drejtohet më nga trajneri që e ka udhëhequr këtë kombëtare që prej vitit 2008 ka bërë që media iberikase të "gërmojë" dhe thashethemet që vijnë nga federata nënvizojnë se tashmë jo vetëm Del Boske e ka komunikuar largimin, duke qenë se edhe kontrata i skadon pas "Euro 2016", por ndërkohë edhe trajneri i ri ka një emër. Ai pritet të jetë Julien Lopetegui. Ish-portieri, por edhe ish-trajneri i Portos dhe i Kombëtares U- 21 spanjolle, aktualisht është pa kontratë, prandaj kjo i ka lehtësuar edhe më shumë bisedimet dhe arritjen e një akordi mes palëve, i cili pritet të zyrtarizohet në mesin e muajit korrik.

Përgatiti: JETON STAMOLLA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama