Kryemadhi: Shumë shpejt do të krijomë dhe Forumin Ekonomik të Gruas pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim
TIRANË 7 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Lëvizja e Gruas për Integrim zhvilloi një takim me gratë e qytetit të Patosit në një sipërmarrje private për të diskutuar lidhur me marrjen e masave për parandalimin dhunës mbi baza gjinore.
Në këtë takim ishin të pranishme deputetet Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, Silva Caka, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha si dhe Kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Erisa Xhixho.
Duke e cilësuar si një risi organizimin aktiviteteve të tilla, deputetja Monika Kryemadhi u shpreh se të gjitha gratë duhet të solidarizohen me njëra-tjetrën për t'i bërë ballë sfidave e vështirësive me të cilat ato ndeshen.
Në vijim të fjalës së saj Kryemadhi theksoi se, shumë shpejt do të krijohet edhe Forumi Ekonomik i Gruas pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim.
"Problemet që kalojnë gratë shqiptare janë të gjitha njëlloj, pavarësisht nga ajo që ne përfaqësojmë. Ne shumë shpejt do të krijojmë Forumin Ekonomik të Gruas pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Do të organizojmë dhe grupet e vogla të punës sa i përket evidentimit të grave të dhunuara dhe ndihmës që mund t'u japim ne si LSI këtyre grave. Të mos harrojmë që një grua e dhunuar është si rezultat i jetës së vështirë ekonomike, i faktorëve ekonomikë që ndikojnë në ambientin e saj", tha Kryemadhi.
Më tej, deputetja e LSI-së apeloi që të gjitha gratë të denoncojnë rastet e dhunës dhe fenomenet negative të keqtrajtimit të tyre, pasi në këtë mënyrë do të parandalohen edhe fenomenet negative në shoqërinë tonë.
"Duke i denoncuar këto probleme, kjo nënë do të jetë shumë më e qetë për të rritur fëmijën e saj, jo nën presione, nën trysninë e dhunës, por duke edukuar një brez të ri. Është detyrë e politikës shqiptare dhe është detyrë edhe e jona si nëna që të fillojmë të sensibilizohemi. Nevojitet që të luftojmë sa më shumë këto fenomene negative, të cilat ndikojnë në familjen dhe në shoqërinë shqiptare. Një grua që gjen forcën për të denoncuar dhunën në familjen e saj, gjen forcën për të denoncuar problematikën me të cilën përballet, do të jetë një nënë e cila do të edukojë fëmijën e saj për të ecur përpara. Ne kemi nevojë për të pasur një shoqëri të reformuar, për të pasur një shoqëri të barabartë që të ecim më shpejt drejt BE-së", deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha vlerësoi se janë bërë hapa përpara që tashmë edhe burrat janë ndërgjegjësuar se duhet të kujdesen më shumë për gratë dhe t'i trajtojnë ato s të barabarta.
"Për mua kjo temë ka zënë gjithmonë një vend të veçantë. E para, sepse një grua që dhunohet gjithnjë ka një problem brenda familjes së saj dhe mbi të gjitha është problemi ekonomik dhe sidomos sipërmarrje të tilla që punësojnë kaq shumë gra për mua do të thotë që e luftojnë dhunën në familje dhe e luftojnë këtë fenomen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sa më shumë gra të jenë të punësuara, sa më shumë gra të jenë të pavarura ekonomikisht, aq më shumë luftohet dhuna në familje. Kjo ju bën juve më të forta për të denoncuar dhunën dhe kjo është një çështje thelbësore. Përveç anës financiare, një grua e dhunuar nuk është vetëm problemi i vetes së saj, apo i familjes, i nënës, i babait të cilat lëndohen. Problemi më i madh është i fëmijës, pasi ai rrezikon të rritet me mundësinë që edhe ai të bëhet një dhunues dhe ne këtë nuk duhet ta lejojmë dhe zëri jonë duhet të jetë përballë çdo gjëje", tha Gjosha.
Deputetja Silva Caka, e cila është njëherësh edhe Sekretare e Aleancës së Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, tha se në LSI pjesëmarrja e grave në struktura është e barabartë me atë të burrave.
"Jam shumë e bindur për këtë që them, që Lëvizja e Gruas për Integrim, Lëvizja Socialiste për Integrim, ishte ajo që ndryshoi jo vetëm jetën time. Kërkova në Parlament në emër të grave, Lëvizjes Socialiste për Integrim, që të barazoheshin gratë edhe burrat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Pavarësisht se nuk u arrit në të gjitha nivelet, të paktën ne arritëm që shembullin tonë personal të Lëvizjes Socialiste për Integrim ku të gjitha strukturat i kemi të balancuara 50% gra dhe 50% burra ta implementonim edhe në të gjitha këshillat bashkiakë të gjitha qyteteve", u shpreh Caka.
Ndërsa, deputetja Kejdi Mehmetaj shprehu angazhimin për të bërë të gjitha përpjekjet për rritjen e të drejtave të grave në shoqërinë shqiptare.
"Kur u bëra pjesë e Parlamentit pashë që ishte e domosdoshme për mua që në radhë të parë të kisha pas vetes mbështetjen e grave dhe vajzave të tjera të LSI-së, por edhe të Parlamentin që të kisha mundësi të ecja, sepse në të gjitha fushat, pavarësisht se në çfarë niveli të flasim, është shuam e vështirë për një vajzë apo për një grua që të ecë përpara dhe të ecë e pa paragjykuar dhe e pa dhunuar në të gjitha format e dhunës. Më besoni që nëse ka një gjë që është shumë e rëndësishme, është pikërisht mbështetja që vjen nga shoqet e tua, pavarësisht punës që bën dhe ju siguroj që ju do të keni mbështetjen edhe të vajzave dhe grave të LSI-së, siç e keni patur", - tha Mehmetaj.
Kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar, Erisa Xhixho deklaroi se problemi më i madh i dhunës është fshehja e rasteve dhe mosdenoncimi i tyre.
"Sot dhuna nuk është më çështje familjare, por është çështje sociale e gjithë shoqërisë. Statistikat tregojnë se numri i raportimeve sa vjen e rritet por absolutisht nuk është i mjaftueshëm. Sot dhuna quhet vepër penale dhe kjo është shumë rëndësishme dhe është një arritje në legjislacion. Gjithashtu kemi një ligj për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje dhe gjithashtu çdo grua që denoncon e cila kërkon urdhrin e mbrojtjes, ajo i jepet përsëri dhe kjo është sërish një arritje në legjislacion. Problemi është me implementimin e tyre, me vënien sa më shumë në jetë të infrastrukturës akomoduese për gratë viktima", theksoi Xhixho.
/f.n/