Diskutimi i fundit i “Rastit Becchetti”, i dyshuar si operacion pastrimi parash, apo dhe mjaft rasteve të tjera të kësaj natyre të lidhura me drogën, prostitucionin, evazionin fiskal, trafikun klandestin, fshehjen e të ardhurave etj., janë një dëshmi e ndjeshmërisë gjithnjë në rritje që institucionet dhe shoqëria shqiptare kanë ndaj këtij fenomeni. Problemi i rëndësishëm që ka të bëjë me cilësinë e zbulimit dhe parandalimit të pastrimit të parave, ashtu siç insistohet nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, është kalimi nga dyshimet e arsyeshme te përcaktimi i lidhjes direkte me veprën origjinuese nga rrjedhin paratë e pista.
Çfarë është procesi i pastrimit të parave? A ka një përkufizim të qartë dhe njëkohësisht të thjeshtë për t’u kuptuar ky fenomen?
Pastrimi i parave është procesi që konsiston në fshehjen apo devijimin ligjor të fitimeve apo parave që vijnë nga aktivitete të paligjshme me natyrë kriminale si drogë, prostitucion, tregti armësh etj., parave të fituara nga korrupsioni, spekulimet dhe mashtrimet financiare, informaliteti dhe shmangia e detyrimeve fiskale, etj. Qëllimi final i pastrimit të parave është transformimi i këtyre parave në para të ndershme e të pastra, në fitime të ligjshme, dhe për pasojë, përdorimin normal të tyre në aktivitete ekonomiko-financiare të ligjshme. Pastrimi i parave është aktualisht një fenomen mjaft i përhapur, por edhe po kaq në vëmendjen e shumë autoriteteve kombëtare e ndërkombëtare. Mjafton të përmendësh faktin se aktualisht, sipas FMN-së, llogaritet se rreth 2-5% e GDP-së botërore qarkullon si para e pisët. Në shifra konkrete do të thotë se rreth 2500-3500 miliardë dollarë (GDP botërore më 2014-n ishte rreth 75 000 miliardë USD) sigurohet nga burime joligjore e kriminale.
Përse paraja ndahet në të “pastër” dhe të “pisët” dhe cili është kuptimi i shprehjes “pastrim i parave”?
Shprehja “pastrim parash” në kuptimin zyrtar të saj buron nga fakti se paraja e fituar ilegalisht, cilado qofshin mënyrat e saj, quhet “financë e zezë” që përfshin aktivitete mafioze, kriminale etj. “Pastrimi” u shërben këtyre parave që të jenë njësoj si paratë ligjore të ndershme, pra të mos kenë asnjë “njollë” kompromentuese. Shprehja “pastrim parash” filloi të bëhet pjesë e fjalorit të përditshëm në vitet 1970 në kohën e skandalit të Watergate në SHBA, ndërkohë që mori kuptimin dhe përmbajtjen e vërtetë ligjore në fillim të viteve 1980.
Nga pikëpamja historike ekzistojnë disa shpjegime për këtë shprehje. Njëri prej tyre e lidh origjinën e shprehjes me një familje mafioze në Çikagon e viteve 1920, e quajtur Biron, e cila zotëronte një rrjet të gjerë lavanterish «Sanitary Cleaning Shops», të cilin e përdorte si fasadë ligjore për të ricikluar, dmth, “pastruar” paratë e fituara nga aktivitete ilegale të të gjitha llojeve. Në mënyrë më të hapur për këtë proces u fol gjatë procesit gjyqësor të Al Capone-s, i cili megjithëse kishte në CV e tij krime të shumta, u dënua pikërisht për mashtrime fiskale dhe pastrim parash, si dhe në proceset kundra mafiozëve si Lucky Luciano e Meyer Lanski në vitet 1930-‘40 në SHBA. Thjesht për kuriozitet mund të përmendet dhe fakti se në Europën mesjetare të shek. XIII-XVI ekzistonin dy lloj monedhash: monedhat e arit dhe argjendit që shkëlqenin, me të cilat bëheshin pagesat kryesore, dhe monedhat e metalit, që kishin vlerë të ulët dhe nxiheshin shpejt, me të cilat “mbaronte punë populli” dhe që në shumicën e kohës ishin të pakontabilizueshme dhe pa statistika të qarta.
A ekziston një mënyrë e përgjithshme e njohur tashmë, ose si të thuash, një model standard se si pastrohen paratë, apo në çdo rast kemi të bëjmë me improvizime të ndryshme?
Në këtë këndvështrim, besoj se pastrimi i parave ndjek një rrugë pak a shumë standarde, pavarësisht veçorive specifike të rasteve të ndryshme: së pari, “investimi” ose hedhja e parave në qarkullim, qoftë si investime, si depozita bankare, si transferta financiare, si çeqe kazinosh apo lojërash fati etj., me një fjalë, “futjen e tyre në sistemin financiar e monetar ligjor”; së dyti, veçimi ose shkëputja e parave nga origjina dhe burimi fillestar i tyre dhe shpërndarja e qarkullimi i tyre nëpërmjet transaksioneve të ndryshme, ose siç quhen rëndom “montimeve financiare apo valsi i transfertave”, në mënyrë që të maskohet dhe të humbin gjurmët e origjinës. Këto lloj operacionesh bëhen me ndihmën e bankave, parajsave fiskale, shoqërive financiare, shoqërive të sigurimeve, fondeve të investimit, transfertave spekulative të aksioneve, fitimeve, shpenzimeve, kazinove e lojërave të tjera të fatit etj.; së treti, ribashkimi i këtyre parave në një ose disa pjesë, tashmë si “para të pastra” dhe legjitimizimi i tyre si investime të ndershme në sfera si pasuritë imobiliare, ndërtimi, fonde bamirësie, fonde investimesh, financime në fushën e sportit, modës dhe medias, investime në bursë, blerje objektesh luksi etj. Nëse do flasim për improvizime, mund të thuhet se metodat moderne të pastrimit të parave sa vijnë e bëhen më të sofistikuara e komplekse, duke e vështirësuar natyrën kriminale apo antiligjore të tyre. Institucionet e specializuara ndërkombëtare si FMN apo organizma të tjerë ndërqeveritarë publikojnë rregullisht studime e tipologji ku tregohen teknikat dhe metodat e përdorura në sferën e pastrimit të parave. Asgjë nuk është më e panjohur. Thjesht, çështja e pastrimit të parave është bërë pjesë e globalizimit ekonomik, financiar e monetar duke funksionuar në rrjete të mirorganizuara.
A ka tregues apo indikatorë të qartë që e klasifikojnë një vend apo territor si “parajsë fiskale”, dhe, a është e lehtë për çdo individ apo biznes që të pastrojë paratë nëpërmjet tyre pa qenë i shqetësuar nga autoritetet e drejtësisë të vendeve të veçanta?
Kriteret ndërkombëtare që identifikojnë parajsat fiskale janë 3: taksat shumë të ulëta apo mungesa totale e taksave; mungesa e çdo lloj transparence në sistemin fiskal; dhe, sekreti i plotë bankar e fiskal duke mos bashkëpunuar me asnjë vend tjetër në këtë drejtim. Ekziston dhe një dallim ndërmjet parajsave fiskale dhe parajsave financiare, parajsave bankare, parajsave të investimeve etj. Në këto grupe futen që nga vendet tipike “lavatriçe parash” e deri te vende të zhvilluara që tolerojnë aspekte të veçanta të pastrimit të parave. Aq fluide është kjo gjë, sa çdo shtet i veçantë boton në fillim të çdo viti listën e vendeve apo territoreve të dyshuara se zhvillojnë këtë lloj aktiviteti. Gjuetia më e re e parave të pista duket se po kalon nga kapja e parave të pista me origjinë kriminale të mafies dhe bllokimin e riciklimit ligjor të tyre në gjetjen e fitimeve të fshehura të të pasurve, fitime që vijnë kryesisht nga klientelizmi politik, korrupsioni me pushtetin, shmangia e pagimit të taksave, transferimin e fondeve publike në aktivitete personale etj. Megjithë luftën e madhe në nivel ndërkombëtar që i bëhet procesit të pastrimit të parave, akoma parajsat fiskale dhe sofistikimet financiare krijojnë mundësi e hapësira për të zhvilluar një aktivitet të tillë.
Shpesh ka qëndrime e konkluzione se “mjaft vende kanë përfituar nga procesi i pastrimit të parave, sidomos kur nuk janë ato vetë vendi i origjinës së tyre”. Përse duhet luftuar fenomeni i pastrimit të parave, dhe përse duhet të jemi kaq rigorozë në këtë qëndrim?
Është e vërtetë se vendet “pritëse” apo “qarkulluese” të parave të pista mund të kenë disa përfitime financiare nga ky proces, sidomos “operatorët ndërmjetës”, dmth ata që realizojnë pastrimin. Rreth 20-25% e shumës së parave që pastrohen janë “shpërblimi” për këta operatorë ndërmjetës. Natyrisht që një pjesë e parave investohen si para të pastra në këto vende dhe supozohet se zhvillojnë ekonominë apo stimulojnë konsumin në këto vende.
Megjithatë, përvojat e shumta ndërkombëtare dhe studimet specifike në këtë drejtim kanë provuar se pastrimi i parave është fenomen negativ me pasoja të rënda afatgjata nëse tolerohet. Si të tilla mund të përmend: së pari, pengimin e zhvillimit të sektorit privat formal e ligjor, të cilin e përball me konkurrencë të pandershme; së dyti, shkaktimin e turbullirave dhe paqartësive në flukset monetare dhe përqindjen e këmbimit në tregjet monetare; së treti, krijon destabilitet në tregjet financiare, si dhe ul reputacionin e bankave dhe institucioneve financiare në përgjithësi, duke shkuar deri në provokimin e falimentimit apo krizave të rënda strukturore të tyre; së katërti, zvogëlon të ardhurat fiskale në vendet ku kryhet ky proces, sepse të ardhurat që vijnë nga aksione që kanë lidhje me pastrimin e parave zhvillohen në pjesën dërrmuese të tyre në informalitet; së pesti, siç tregon përvoja ndërkombëtare, paraja e pisët e konvertuar në legjitime përdoret gjithnjë e më shpesh në aktivitete kriminale, informale apo si korrupsion për klasat politike e drejtuese apo menaxherët e lartë; së gjashti, paratë e pastruara përdoren për të krijuar pushtete paralele kriminale apo klienteliste jashtë tregut, qeverisjes, ligjit dhe qytetarëve duke e bërë korrupsionin mjaft të fuqishëm; së shtati, sa më lehtësisht të pastrohen paratë në një vend, aq më i madh është stimulimi për veprime informale, për shpërdorim pushteti, klientelizëm, shkelje ligjore etj.; së teti, mjaft nga skandalet më të mëdha financiare që kanë ndodhur në botë si “skandali Enron” në SHBA, “skandali Parmalat” në Itali, skandali i “naftëmbajtëses Prestige” me kapital zviceran, “çështja Elf” në Afrikë, “çështja Glencore” e multinacionales së çelikut etj., kanë qenë raste të pastra operacionesh pastrimi parash të pista. Pikërisht për këtë arsye, sipas mjaft autorëve të specializuar në këtë fushë, çështja e parandalimit të pastrimit të parave konsiderohet si “thembra e Akilit” për një kapitalizëm të shëndetshëm e të qëndrueshëm.
Shqipëria është e imunizuar apo e pashërueshme ndaj një fenomeni të tillë?
As njëra dhe as tjetra. Duhet të kemi parasysh se Shqipëria ka disa “specifika” kur flitet për fenomenin e pastrimit të parave. Së pari, ashtu si shumë nga vendet e tjera ish-komuniste lindore, ka vetëm pak më shumë se dy dekada që po ndeshet me këtë fenomen krejtësisht të ri për eksperiencën dhe traditat e saj. Si e tillë, në mjaft raste “është një pré e lehtë” për t’u futur në kurth nga “ustallarët e vjetër” në këtë fushë. Dhe përvoja jonë, të paktën në 10-15 vitet e fundit, e ka dëshmuar në shumë raste një gjë të tillë. Së dyti, procesi i parandalimit të pastrimit të parave nuk është thjesht vullnet i mirë apo vendosmëri politike, por është i lidhur ngushtë me ngritjen dhe forcimin e institucioneve specifike për këtë qëllim, me përgatitjen e një sërë ligjesh, rregulloresh e masash tepër specifike, të shoqëruara dhe me përgatitjen e kualifikimin e burimeve njerëzore të specializuara. Dhe së fundi, vullneti për parandalimin apo zbulimin dhe dënimin e pastrimit të parave nuk duhet të jetë amator, selektiv, i përkohshëm, i politizuar apo i keqfinancuar, çka nënkupton se institucionet e specializuara në këtë drejtim duhet të kenë maksimumin e mbështetjes ligjore, politike dhe financiare.
Diskutimi i fundit i “Rastit Becchetti”, i dyshuar si operacion pastrimi parash, apo dhe mjaft rasteve të tjera të kësaj natyre të lidhura me drogën, prostitucionin, evazionin fiskal, trafikun klandestin, fshehjen e të ardhurave etj., janë një dëshmi e ndjeshmërisë gjithnjë në rritje që institucionet dhe shoqëria shqiptare kanë ndaj këtij fenomeni. Problemi i rëndësishëm që ka të bëjë me cilësinë e zbulimit dhe parandalimit të pastrimit të parave, ashtu siç insistohet nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, është kalimi nga dyshimet e arsyeshme te përcaktimi i lidhjes direkte me veprën origjinuese nga rrjedhin paratë e pista.
A mund të pohohet se Shqipëria është tashmë pjesë bashkëpunuese e strukturave të specializuara ndërkombëtare në parandalimin e pastrimit të parave, aq më tepër që sa herë ka debate publike për raste të supozuara si pastrim parash, çështja shndërrohet në debat politik pozitë-opozitë?
Shqipëria ka tashmë një ligj të mirë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ka një strukturë të veçantë të inteligjencës financiare, siç është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, të koordinuar me homologët dhe rregullatorët ndërkombëtarë, dhe që bashkëpunon me të gjitha autoritetet mbikëqyrëse, veçanërisht me Bankën e Shqipërisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Në dijeninë time, kjo strukturë ka mbi 30 memorandume bashkëpunimi ndërkombëtar me agjenci analoge nacionale apo ndërkombëtare. Përveç kësaj, mendoj se shumë nga aktorët apo institucionet monetare e financiare në Shqipëri po e formojnë kulturën institucionale dhe rregullin për të evidentuar dhe raportuar sipas kritereve ligjore rastet që lidhen me aktivitete të mundshme të pastrimit të parave. Dua të shtoj këtu se dhe opinioni shqiptar po bëhet më i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka suksesi në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimeve nga para me origjinë të dyshimtë apo kriminale.
Përse shpesh, sa herë flitet për parandalimin e pastrimit të parave, Shqipëria asociohet edhe me domosdoshmërinë e parandalimit të financimit të terrorizmit?
Shqipëria ka tashmë një ligj të veçantë “Për parandalimin e financimit të terrorizmit”, qëllimi i të cilit është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve dhe e atyre që mbështesin dhe financojnë terrorizmin, apo të atyre, për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, po kryejnë ose kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla. Lajm pozitiv në këtë drejtim është fakti se tashmë, në 2015-n, Shqipëria nuk është më pjesë e grupit të vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Ky është një nga konkluzionet e raportit të grupit Onsite Team të ICRG. Shqipëria vlerësohet se ka plotësuar të gjitha mangësitë e raportuara në vite nga FATF (Financial Action Task Force), që monitoron zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në botë.