Përfitimi mesatar mujor i familjeve të varfra që janë të përfshira te skema e ndihmës ekonomike ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa numri i familjeve në nevojë është rritur. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e përditësuara të Institutit të Statistikave. Që nga viti 2009 e më pas, përfitimi mesatar për familje është reduktuar me mbi 11 për qind, pavarësisht se shumë institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe Bankën Botërore, i kanë rekomanduar shumë shpesh qeverisë të ndihmojë të varfrit, si një mënyrë për të lehtësuar krizën ekonomike.
INSTAT raporton se numri i familjeve në skemë në fund të vitit 2011 ka arritur në 99,500, me rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin 2008, kur përfituesit qenë 94 mijë familje të varfra.
Ndërkohë, përfitimi mesatar për familje ka rënë nga 3,400 lekë në muaj që qe në vitin 2009, në vetëm 3 mijë lekë në muaj në vitin 2011. Ndihma ekonomike është një shumë e vockël në para që u shpërndahet para së gjithash familjeve me shumë fëmijë që jetojnë në zonat më të varfra të vendit, kryesisht në fshat dhe në zonat e thella malore.
Qeveritë shqiptare, (kjo e sotmja dhe ajo e shkuara), e kanë konsideruar gjithmonë si barrë të rëndë për buxhetin këtë skemë dhe kanë bërë vazhdimisht përpjekje për të përzënë njerëzit nga skema apo për të ulur masën e përfitimit duke vendosur kufizime nga më të çuditshmet, përfshirë edhe detyrimin e përfituesve për të plotësuar një numër të stërmadh dokumentesh.
Qeveria shqiptare harxhoi 3.6 miliardë lekë, (rreth 36 milionë dollarë) gjatë vitit 2011 për skemën e ndihmës ekonomike, sipas Institutit të Statistikave. Kjo është një shifër e papërfillshme për buxhetin e shtetit të Shqipërisë, i cili aktualisht ka mbi 3.5 miliardë dollarë shpenzime. Shtatë në çdo dhjetë familje përfituese kanë familje me katër, pesë apo më shumë pjesëtarë.
Skema e ndihmës ekonomike sipas të dhënave të INSTAT, ka qenë më bujare para vitit 1998 sesa në vitin 2011, pavarësisht se të ardhurat e buxhetit të shtetit, si dhe ekonomia shqiptare janë trefishuar gjatë kësaj periudhe.
Masa mesatare e përfitimit nga skema pësoi rënie të ndjeshme pas vitit 1998 në terma nominalë, ndërsa duke marrë parasysh inflacionin, përfitimet reale të të varfërve janë shumë më të ulëta sesa një dekadë më parë.
Disa qeveritarë (socialistë e demokratë), kanë argumentuar shpesh se në skemë ka spekulime dhe se ndihma përfitohet nga njerëzit e gabuar. Por fakti që shumica e përfituesve janë familje me shumë fëmijë dhe jetojnë në zona që njihen si shumë të varfra, mjafton për të thënë se në fakt, nuk mund të ketë spekulime shumë të mëdha për përfitimin e 10, 20 apo 30 dollarëve në muaj. Duke marrë parasysh edhe torturën që përfituesit duhet të kalojnë për të grumbulluar dokumentet e panumërta të kërkuara nga zyrat e ndihmës ekonomike nëpër bashki e komuna, është gjithashtu e qartë që njerëzit që kanë të ardhura, nuk do të këmbëngulin shumë për të përfituar pa të drejtë shifra të tilla.
Ndihma ekonomike konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Kur Banka Botërore ndihmoi qeverinë shqiptare në vitin 1993 për krijimin e skemës, Shqipëria përfitoi një mekanizëm për të ndihmuar një në çdo tri familje që në atë kohë mbeti pa të ardhura nga puna. Sot, afërsisht një në shtatë familje shqiptare përfiton nga kjo skemë. Ndihma ekonomike është gjithashtu një mekanizëm i vlefshëm për të shpërndarë para fizike në zonat më të thella të vendit, zona ku praktikisht nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të kryer këtë funksion.