Vitin e parë të vënies në efekt të këtij projekti janë regjistruar 27 milionë udhëtime me biçikletë me qira në kryeqytet, të cilat janë kryer nga rreth 21 milionë persona, ose nëse do të caktonim një mesatare ditore, bëhet fjalë për 120 mijë rrugëtime në ditë. Më 27 korrik, në përfundim të turit të Francës, 365 biçiklistë të këtij projekti do të përzgjidhen për të marrë pjesë së bashku me çiklistët e turit në një garë simbolike në kryeqytet. Ndërkohë, në Francë, një industri e tërë ka filluar të lulëzojë përreth këtij projekti. Ka filluar një modë e caktuar e veshjes për një rrugëtim sa më komod me biçikletë, si dhe janë ngritur bloge dhe sajte të pafund interneti. Në njërin prej tyre, thuhet se veshja më e mirë për t‘i dhënë biçikletës në kryeqytet është minifundi. Mënyrat e marrjes me qira të një biçiklete janë të larmishme. Ajo mund të merret për një orë, për të gjithë ditën, ose mund ta pajtosh për disa ditë rresht, por 96 për qind e personave që e preferojnë e përdorin për një periudhë më të shkurtër se 30 minuta, sepse një biçikletë të tillë mund ta marrësh në një stacion, por mund ta lesh në një stacion tjetër dhe duke qenë se ka shumë të tillë në të gjithë kryeqytetin, puna bëhet shumë më e lehtë. Askush nuk e di ndërkohë se sa udhëtime me makinë dhe me taksi janë shmangur gjatë vitit që ka filluar varianti i qarkullimit me biçikletën me qira.
Sipas specialistëve të ndotjes së ambientit thuhet se janë vënë re përmirësime të lehta në pakësimin e sasisë së dioksidit të karbonit. Po a sulmohen, apo vidhen biçikleta të tilla? Sipas të dhënave të fundit, edhe ato janë bërë herë pas here pre e vandalizmit. Kështu, rreth 3000 biçikleta janë vjedhur dhe sigurisht që janë zëvendësuar nga të tjera. Kjo do të thotë se janë vjedhur 15 për qind e të gjithë arsenalit të vënë në dispozicion. Disa prej tyre janë parë në rrugët e Rumanisë, apo edhe në Marok. Vendosja e helmetave nuk është e detyrueshme në Francë dhe kjo do të thotë se shpesh këto mjete janë bërë edhe shkak aksidentesh, madje vdekjeprurëse. Tre persona kanë vdekur nga përplasje apo rrëzime të ndryshme me autobusë, apo mjete të tjera transporti.
Programi i biçikletave me qira në Paris u iniciua nga kryetari aktual i bashkisë, Bertrand Delanoe, dhe më pas kontrata dhjetëvjeçare për zbatimin tij u fitua nga një firmë e njohur vendase e prodhimit të biçikletave. Kjo marrëveshje pritet që të jetë e mirë për Parisin, por edhe për fituesin e tenderit. Ai ka marrë përsipër jo vetëm furnizimin e qytetit me biçikleta, por edhe organizimin e sistemit të marrjes me qira, reklamimin e tyre, si dhe mirëmbajtjen. Parisi është vetëm nismëtari i një programi të tillë, pasi ai ka filluar të zbatohet edhe në qytete të tjera më të vogla të vendit, si në Lion, Ruen etj. Sistemi është shumë i lehtë për t‘u përdorur, sepse informacionet për të ofrohen në gjuhë të ndryshme dhe sapo të japësh paratë mund të marrësh në dorëzim biçikletën. Disa nga përdoruesit më të shumtë në numër janë turistët e huaj në Paris. Sipas pjesës më të madhe të tyre, kjo lloj gjetjeje është një favor i madh që ka lehtësuar qarkullimin dhe vizitën në Paris. Pjesa më e madhe e atyre që e pëlqejnë këtë gjetje janë amerikanët. Ndërkohë, çdo ditë, shkojnë për t‘u riparuar rreth 1500 biçikleta . Një nga efektet anësore të projektit është rikthimi në modë i qarkullimit me biçikletë. Ato janë bërë shumë të modës dhe ka njerëz që qarkullojnë me to vetëm për t‘iu dukur vetja trendi.
Marre nga : Gazeta Shqip